Anglia i propozon BE-së formimin e “Zonës së lirë tregtare për mallrat”

Gjatë mbledhjes së posaçme të Këshillit të Ministrave të qeverisë angleze me temë Brexitin, u vendos që Bashkimit Evropian ti propozohet formimi i “Zonës së lirë tregtare për mallrat”.

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave të mbajtur në rezidencën e Kryeministrisë në Chequers të Buckinghamshire u publikua një komunikatë me shkrim.

Në këtë komunikatë rikujtohet se Anglia më 29 mars 2019 do të ndahet zyrtarisht nga BE-ja, ndërsa periudha e tranzicionit do të përfundojë deri në fund të vitit 2020.

“Anglia dhe Bashkimi Evropian do të fillojnë marrëdhënie të reja. Është e nevojshme të forcohen mirëqenia dhe siguria që kjo të jetë e dobishme për të dyja palët”, thuhet në komunikatë.

Në mes tjerash thuhet se kabineti arriti në konsensus për ndryshimet e rëndësishme në lidhje me propozimet që do ti bëhen BE-së gjatë negociatave, ndërsa në rast se me negociata nuk arrihet në ndonjë marrëveshje do të përshpejtohen përgatitjet për Brexit.

Theksohet se Anglia pas Brexitit do të vazhdojë me partneritetin ekonomik dhe të sigurisë me BE-në, ndërsa bëhet e ditur se është marr vendim për të detajuar qëndrimin në lidhje me këtë çështje dhe për ta vendosur mbi baza të besueshme.

Sipas propozimit të ri të cituar në komunikatë do të formohet “zona e tregtisë së lirë për mallrat” mes Anglisë dhe BE-së.

Në saje të kësaj zone synohet të zgjidhjet problemi i kufirit dhe tregtisë mes Republikës së Irlandës, e cila është anëtare e BE-së, dhe Irlandës Veriore, që është pjesë e Anglisë.

Sipas propozimit, të gjitha mallrat mes Anglisë dhe BE-së, përfshirë edhe produktet bujqësore, do të lëvizin brenda kornizave të rregullave të përbashkëta, por në qoftë se ndjehet nevoja për kontrollin e rregullave të reja Parlamenti i Anglisë nuk do ta përfshijë atë në ligjin e Anglisë.

Ndërkaq Anglia do të mbajë të drejtën për mbrojtjen e interesave të saj në sektorin e shërbimeve.

Në lidhje me mbrojtjen e konkurrencës Anglia do të veprojë brenda kornizave të përbashkëta me BE-në, ndërsa për çështjen e mbrojtjes së ambientit dhe konsumatorëve nuk do të jenë nën standardet aktuale ndërkombëtare.

Kjo do të përbëjë një kuadër të përbashkët institucional për interpretimin konsistent dhe zbatimin e marrëveshjeve mes palëve.

Për mosmarrëveshjet në Angli kompetente do të jenë gjykatat angleze, ndërsa në territoret e BE-së ato të Bashkimit Evropian.

Ndërkaq edhe “Marrëveshja e Doganimit të Lehtësuar”, e arritur mes Anglisë dhe BE-së do të hyjë në fuqi gradualisht.

Me anë të kësaj marrëveshjeje palët do të anulojnë kontrollet doganore si në “një zonë të përbashkët doganore”.

Anglia për mallrat me destinacion Anglinë do të zbatojë taksat e saj doganore, ndërsa për mallrat me destinacion BE-në do të zbatojë taksat dhe politikat tregtare të BE-së.

Këto rregullime do të vihen në mënyrë graduale pas përfundimit të përgatitjeve të palëve.

Me anë të këtyre rregullimeve parashikohet që Anglia të zbatojë politikat e saj doganore për marrëdhëniet tregtare me vendet që nuk janë anëtare të BE-së.

Qeveria e Anglisë gjatë javës së ardhshme do të publikojë të gjitha detajet e propozimit të ri të bërë BE-së, të cilat do të jenë të përfshira edhe në raportin e Brexitit./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne