Anija me biografi të keqe Michelle 1 sjell skrap izraelit në Durrës

Gjergj Thanasi

Anija Michelle 1 me flamur maltez dhe numër identifikimi IMO: 9516246 po lundron drejt Durrësit me një sasi skrapi metalesh të zeza prej rreth 4400 tonësh. Anija skrapin e ka ngarkuar në portin izraelit të Ashdodit. Në pamje të parë duket një ngarkesë normale, e cila po importohet brenda të gjitha rregullave në Shqipëri.

Nëse doganat e mjera shqiptare (4 “geisha” drejtoresha të përgjithshme në 5 vjet Rilindje), do të aplikojnë profilin e rrezikut ashtu si ua kanë mësuar partnerët tanë, automatikisht anija në fjlaë del me të kuqe. Kjo anije e specializuar në të shkuarën për transport skrapi edhe drejt Portit të Durrësit ka një histori problematike në nëntor të vitit 2016. Në Portin e Gaetës në Napoli në atë kohë kishte shpërthyer një skandal ambientalist, përsa i përket riciklimit ilegal të mbetjeve të dëmshme, përkatësisht të mbetjeve ferrose (metaleve të zeza). Skandali kishte shkuar deri në Parlamentin dhe në Senatin italian. Ishte ngritur një komision hetimor parlamentar ,ku ndër të tjera bënin pjesë senatorë si Paola Nugnes (Partia e Lëvizjes së 5 Yjeve), deputeti Pierrgiorgio Carrescia (Partia Demokratike), deputeti Alberto Zolessi (Partia Lëvizja e 5 Yjeve), kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Alessandro Bratti etj. Roja e Financës si edhe Kapitaneria e Portit të Gaetës po ashtu ishin pjesë e këtyre hetimeve. Nga hetimet rezultoi se në kundërshtim flagrant me legjislacionin në fuqi në Portin e Gaetës një sasi prej 4500 tonësh skrapi metalik kishte shkaktuar ndotje ambientale në fund detin e portit. Për të korigjuar sa të ishte e mundur këtë ndotje zhytësit e Marinës Luftarake Italiane kishin nxjerrë sasi jo të vogla hekurishtesh ndotëse nga tabani i basenit të Portit të Gaetës, në Kalatën Cicconardi. Në këtë histori shkeljesh të ligjeve për mbrojtjen e mjedisin bënte pjesë edhe një sasi koksi metalurgjik, që kishte shkatuar ndotje në port. Për më shumë lexuesi mund të konsultojë në këtë link debatin parlamentar për ndotjen në fjalë: http://www.camera.it/leg17/1058?idLegislatura=17&tipologia=audiz2&sottotipologia=audizione&anno=2016&mese=02&giorno=17&idCommissione=39&numero=0087&file=indice_stenografico

Hekurishtet (skrapi) ndotës përbëhej nag amortizatorë të vjetër me vaj ndotës, filtra nafte dhe vaji, goma të vjetra, material elektrike dhe elektronike jo të bonifikuara dmth jo të pastruara nga elementët ndotës. Theksojmë se goma të tilla të përdorura apo filtra dhe amortizatorë të ndryshëm të ndotura me vajra janë rreptësisht të ndaluara të importohen në Shqipëri.

Si ëprfundim në Itali ky skandal u mbyll me arrestime, gjoba, sekuestrim pasurish të kompanive të përfshira në të si edhe me dërgimin për në Durrës të skrapit metalik (plehrave). Sipas dokumenteve italiane si policë ngarkesa, manifesti i ngarkesës, deklarata doganore e eksportit jashtë territorit të BE-së, raporti i survejimit i përpiluar nga një survejor i autorizuar në Portin e Gaetas (Autoriteti Portual Civitavekia) anija Michelle 1 kishte ngarkuar në bordin e saj fiks 4500 ton skrap të tillë me destinacion Durrësin. Për më shumë hollësi për sasinë dhe llojshmërinë e skrapit në fjalë në Portin e Gaetës mund të konsultohet linku: http://www.temporeale.info/40104/citta/gaeta/gaeta-rifiuti-ferrosi-e-pet-coke-audizione-in-parlamento-del-comandante-meoli.html.

Sipas dokumenteve të Autoritetit Portual Durrës anija Michelle 1 me flamur maltez mbërritti në radën e Portit të Durrësit në 13 nëntor 2016. Ajo u bregëzua në kalatën 10 të portit. Nga data 19 deri në 21 nëntor ajo shkarkoi fiks 4126 ton skrap (hekurishte) nga ai, që përmendëm më lart. Anija nga Gaeta u nis me 4500 ton skrap dhe në Durrës mbërriti me 4126 ton, pa ndaluar gjatë rrugës në asnjë port. Mbetën si të thuash jetim 374 ton skrap! Minimumi kemi të bëjmë me kontrabandë (mos deklarim të saktë në doganë të 374 tonve skrap), maksimumi kemi përvec evazionit fiskal edhe ndotjen e mjedisit të “Aranutistanit” tonë të dashur!

Doganat tona, që aq shumë mburren për bashkëpunim të ngushtë me partnerët e BE-së (në atë kohë kishim edhe kompaninë angleze të sjellë në Shqipëri nga sekseri Toni Bler, për të na ndihmuar doganat tona), fare mirë mund të bëjnë një kontroll të kryqëzuar të dokumentacionit të mallit me homologët e tyre italianë!

Skrapi izraelit

E njeta anije e specializuar për transport skrapi uma-uma sic i thonë italianët kësaj rradhe po na sjell në Durrës plot 4400 ton skrap izraelit. Le të shpresojmë që kësaj rradhe doganat shqiptare do ta aplikojnë profilin e rrezikut për këtë anije. Kanë gjithë kohën e mjaftueshme për të marrë masa, sepse anija kaloi travers Portit Kandija në Kretë vetëm rreth orës 6 të pasdites së 25 korrikut. Shpresojmë që vartësit e prof. Klosit në rastin e anijes Michelle 1nuk do të lëshojnë Certifikata Radioaktiviteti qesim sic ndodhi në vitin 2017 me një anije, që solli në Durrës (1 nga të paktën 3 anijet e gjendura në radë dhe në Portin e Durrësit) një sasi skrapi nga Tarabullusi i Libisë. Le të shpresojmë që qytetari dixhital i ish presidentit e kryeministrit Berisha si edhe PD-ja durrsake kësaj rradhe do ta kryejnë detyrën e tyre opozitare ndaj ngarkesës së anijes me  “kleckë nëbiografi”, Michelle 1. Për koincidencë si në rastine skrapit ndotës të Gaetës, që përfundoi në Durrës edhe në rastin e skrapit izraelit në skenë del emri i një kompanie malteze të quajtur Heavy Melting Scrap Limited. Kot nuk thonë se koincidenca është mbret i botës!!!!!!!!! Le të shpresojmë, që skrapi izraelit nuk do të ofrojë kurrfarë ndotje për mjedisin e Shqipërisë, Atdheut tonë të dashur!/ Gazeta Impakt

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne