Anija shqiptare “Butrinti” shpëton gomonen me 41 emigrantë sirianë në Egje

Anija “Butrinti” e Forcës Detare të Shqipërisë, e cila shërben në operacionin e NATO-s në detin Egje, shpëtoi një gomone të tejmbushur me emigrantë sirianë.

Ministria shqiptare e Mbrojtjes konfirmoi përmes një njoftimi se operacioni humanitar që kanë ndërmarrë Forcat Detare shqiptare për shpëtimin e jetës së emigrantëve, ka qenë i suksesshëm duke shpëtuar dhjetra emigrantë, ndër ta gra dhe fëmijë.

Forcat e Armatosura të Shqipërisë deklaruan se 41 emigrantë sirianë, nga të cilët 10 fëmijë, 7 gra, 2 prej tyre shtatzënë, iu dorëzuan një anijeje të Frontex-it, ndërsa anija “Butrinti” vijon patrullimin në zonën e saj të përgjegjësisë.

Po ashtu thuhet se stina e verës krijon kushte për lëvizje më të mëdha të emigrantëve, ndërsa anija “Butrinti” vazhdon patrullimin.

Me ngrohjen e motit, shtohet edhe fluksi i emigrantëve që tentojnë të kalojnë nga brigjet turke në ato greke, shpesh duke rrezikuar jetën, pasi lundrojnë në kushte të papërshtatshme./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne