Antimarksizmi, ky sport i kotë

/Klodi Leka/

Akuza për marksist është rikthyer në skenën e historisë, tashmë jo si persekutim politik i qeverive ultrakonservatore, por si tentativë për të njollosur biografinë e dikujt dhe idetë e disave. Si damkë, me një fjalë. Megjithatë, pavarësisht rrënojës së trashëguar nga shekulli tragjik XX, marksizmi nuk është një relike muzeale për t’u flakur tej – sidomos jo nga injorantët, dogmatikët dhe spaçatorët e pushtetit të cilët, në shterim të ideve dhe alternativës e duke mos ditur si t’i bëjnë ballë bastardimit treqindegjashtëdhjetëgradësh të shoqërisë, i rikthehen fjalorit makartist që ndoshta mund të bënte punë nga mesi i shekullit XX, ose në Shqipërinë e 1993, por që sot, duam apo nuk duam, është britmë demode që nuk tremb askënd përveç atyre që bëjnë akuzën, të rehatuarve dhe gjithkujt që nuk e justifikon parajsën e tij.

Marksist e quan kryetari i opozitës intelektualin kritik. Marksist e quan burokrati studentin rebel. Marksist e quan edhe sofisti që shet dije pedagogun që e mbron atë.

Kjo akuzë nuk është e hershme. Atë e kishte ironizuar edhe krijuesi i marksizmit, vetë Marksi, kur hapte manifestin që do të sillte e sjellë trazira dhe shpresë për shekuj në zemrën e shoqërisë njerëzore: papa, cari, policët gjermanë i kanë shpallur luftë kësaj fantazme që sillet nëpër Evropë. Historia nuk bën gjë tjetër veçse përsërit veten e saj, herë si tragjedi e herë si farsë, herë si oportunizëm e herë si injorancë, ashtu siç ripërtypet edhe akuza për marksist në shekullin e njëzetenjëtë: herë si krim i të shkuarës, herë si padije e të tashmes. Ama e rëndësishme është se marksizmi do të vihet në skenë edhe në të ardhmen. Marksizmi nuk është relike, por ide dhe lëvizje historike që i jep fund të tashmeve që e kanë humbur arsyen për të ekzistuar. Marksizmi do të ekzistojë për sa kohë do të jetojmë brenda rrethanave të shoqërisë kapitaliste. Madje, meqë ra fjala, edhe kapitalizmin e ka konceptuar e ndryshuar nëpërmjet teorisë kritike dhe bërjes armë të saj në duart e masave.

Ndryshe nga ç’mendon liberali mesatar, rikthimin e Marksit e kanë kumtuar gjatë gjithë dekadës së fundit jo aq gazetat dhe rrethet e margjinalizuara të marksistëve të sotëm, por vetë gazetat tradicionale që pas krizës financiare të 2008 po përpiqen të paktën të kuptojnë se ç’dreqin pat thënë “mjekroshi i tmerrshëm” dhe si lidhet kjo me luhatjet e kapitalizmit nga kriza në krizë. Gazeta si “La Repubblica”, “Foreing Policy”, “The Guardian” etj. Madje edhe gazetat neoliberale si “Mapo” dhe pedagogë të establishmentit si Fatos Tarifa flasin për Marksin. Sigurisht me prezervativ, ama flasin. Madje thuhet se edhe kënga e Britney Spears-it “Work bitch” është e ndikuar, pavarësisht se sa me vetëdije, nga fryma kritike e Marksit. Imagjino ç’bëhet! Me gjasë, ndonjë ditë, edhe Keni West-i do të zgjohet marksist përveç liberalëve tanë të mirë e të shqetësuar mbi korrektesën laboratorike konceptuale, që siç thotë Žižek-u, do të donin t’i bashkëngjiteshin ndonjë revolucioni, por nuk e shohin gjëkundi atë dhe nuk e shohin sepse në të vërtetë nuk e duan.

Marksizmi nuk është dogmë që mund ta flakë tej një injorant apo liberal i lodhur. Marksizmi është teori që së paku prej 1848 e këtej ka 170 vjet që përpunohet dhe pasurohet në të gjithë sektorët: në kritikë ekonomike, politike, kulturore, sociologjike, kritikë… Letërsia, muzika, kinemaja, aksioni civil, të gjitha popullohen nga marksistët. Është për të qarë se si një adhurues i Jean Pol Sartre-it apo Simone De Beauvoir-it te urrejë marksizmin. Pasolini, Lorka, Picasso-ja, Chaplin-i, Orwell-i, Neruda, John Lenon-i, Fred Hampton-i etj., të gjithë ishin ose marksistë, ose simpatizantë të marksizmit, ose të akuzuar për marksizëm. Pra ti shijon shpirtin e marksistëve, zotërush a zonjushë e dashur, por nuk do mendjen e tyre. Marksizmi si teori e çlirimit të njerëzve të poshtëruar e të shfrytëzuar të çdo vendi, paçka se u bë shkencor vetëm në modernitetin kapitalist, ka shprehjet e veta në çdo tentativë për t’u çliruar të brezave paraardhës.

Pararendësit e marksistëve hasen që me të krishterët e hershëm të cilët, në kushtet e nguljes në hu dhe shërbimit gjer në vdekje të zotërinjve dhe zonjave në pallate, krijuan forma kolektive të barazisë dhe rezistencës së qenieve njerëzore që njiheshin si kafshë me zë ose gomarë pune. Pastaj në mesjetë. Te fshatarët gjermanë – që në shekullin XV me sektet e tyre hiliastike valdense, anabaptiste etj. dhe me figurën e ndritur të Thomas Muntzer-it, në kohën kur njeriu i thjeshtë konsiderohej si gomar për në arë dhe fshatarët duhej t’ia çonin gratë e tyre në natën e parë të martesës fisnikëve feudalë për t’i provuar – ngritën revolta dhe ide komunitariste, pa klasa dhe shtypje, ide dhe njerëz të cilët u tradhtuan prej frikacakëve, byrgerëve të qyteteve që, ashtu si byrgerët e sotëm, refuzojnë ta shohin të vërtetën në sy në këmbim të interesave ngushtësisht identitare. Pastaj, gjatë Revolucionit të madh Francez, liritë dhe liberalizmin e të cilit i duan, siç ia duan edhe Markezin e Sade-it në fshehtësi, por pa pasionin dhe sakrificat njerëzore. Siç nuk duan as fashizmin, të cilin e ngritën me apatinë dhe oportunizmin e tyre, por as njëzet milionë rusët leckamanë që vdiqën për t’i çliruar kabaretë mikroborgjeze prej sybojëqiellëve që bënin sapunë me trupa njerëzish. Pra nuk e duan surratmiun – do të thoshte Brehti tek “Arturo Uija” i rikontekstualizuar, por e duan barkun që e lindi atë.

Marksizmi nuk e shpjegon krizën e arsimit thonë, ndaj mirë është të kërkohet vetëm ulje tarifash, ulje qindarkash, ulje kështu dhe ulje ashtu. Gjykim tejet sipërfaqësor, ngase të pakontaminuarit prej marksizmit, që kërkojnë veç ulje dhe ngritje, nuk e vrasin mendjen fare se edhe arsimi është çështje parash, se diku do të gjenden paratë, se diku do të merren, ndryshe është e kotë. Nuk futen në këtë hulli ngaqë, pavarësisht të qenit për arsim të lirë dhe publik, nuk janë për taksim më të lartë të korporatave, nuk janë kundër diplomoreve private, nuk janë për riorientim rrënjësor të prioriteteve sociale. Pra le t’ua marrim paratë pensionistëve! Ata kërkojnë vetëm arsim, pa pyetur se çfarë arsimi. Ata nuk e shikojnë se si kapitalizmi e kthen universitetin në privilegj të pasunarëve, në dyqan për dije teknike, me manuale në vend të librave, me citate në vend të logjikës së shëndoshë, një universitet të cilin shumica e mbarojnë për t’u bërë burokratë dhe tregtarë, e jo njerëz më të kulturuar, poetë dhe filozofë të pamonetarizuar. Ide këto që bënë bujë gjatë revolucioneve studentore të 1968, kohë të cilës antimarksistët liberalë i shijojnë e kujtojnë veç muzikën dhe ekstravagancën ose, siç do të thoshte Jim Morrison-i, jo Jim-in, por karin e tij.

Marksizmi nuk shpjegon ekonominë thonë, ndërkohë që jetojmë në kohën kur krizat ekonomike ndodhin – për habinë e të gjithë brezave parakapitalistë – jo se nuk ka boll të mira, por se të mirat ka me tepri. Thjesht ato nuk u shpërndahen nevojtarëve sepse këta “rastisin” të mos kenë para mjaftueshëm për t’i blerë. Marksizmi shpjegon se si një pronar nxjerr fitim duke e paguar si mos më keq punëtorin, se pse ky i fundit nuk mundet të kursejë asgjë në fund të muajit dhe se si qiraxhiu, fajdexhiu, dyqanxhiu e të gjithë batakçinjtë e tjerë turren mbi pagën e tij duke mos i lënë asgjë dhe e detyruar të paraqitet të nesërmen në derën e fabrikës. Marksizmi shpjegon gjithashtu se pse papunësia e lartë e bën njeriun lehtësisht të zëvendësueshëm, sjell paga të ulëta dhe mungesë organizimi sindikal. Marksizmi shpjegon edhe depresionin e njeriut të tjetërsuar nga puna ku humbet individualitetin dhe fuqinë e tij krijuese. Marksizmi shpjegon pse privatizimet nuk sjellin mirëqenie, por shkatërrim dhe mohim të mirash, siç ka ndodhur deri më tani me procesin kapitalistëzues të Shqipërisë, pasojat e së cilit, së paku në lidhje me ish-kompanitë publike të energjisë, sigurimeve, shëndetësisë etj., i paguajmë ne të tjerët. Sa më sipër quhet kritikë e ekonomisë politike, njëlloj si nëntitulli i “Kapitalit” të Marksit.

Marksizmi nuk e shpjegon krizën ekologjike dhe urbanistike – thonë, a thua se hidrocentralet që shkatërrojnë lumenjtë e virgjër gjer në shenjtëri dhe biznesi i betonit që shkatërron hapësirat publike janë teka neronianësh në pushtet që nuk zbatojnë ligjin, ah ligjin!, e jo tendencë e kapitalizmit për ta kthyer natyrën, njeriun dhe gjithçka tjetër në mall e para, para, para, për të investuar aty ku fiton më shpejt dhe më sigurt. Nuk e duan as ngrohjen globale, por nuk është se kanë mëri sistemin e fabrikave dhe vitrinave që prodhojnë produkte të cilat vetë punëtorët e saj nuk mund t’i konsumojnë. Për të kuptuar natyrën e kapitalizmit në lidhje me natyrën ju ftoj të lexoni “Rruga për në skelën Uigan” të Georg Orwell-it, të përkthyer së fundmi edhe në shqip, ku portretizohet përbindëshi që hëngri kodrat e gjelbra të Anglisë. Nëse Orwell-i ju duket pak si trockist, mund të lexoni edhe William Blake-un që ishte dëshmitar i ndërrimit të ngjyrave të botës nga e blertë në të zezë.

Marksizmi nuk e shpjegon krizën e vlerave dhe demokracisë – thonë, a thua se ai nuk kishte lajmëruar që 150 vjet më parë se borgjezia i mbyt në ujin e ftohtë të llogarisë meskine të gjitha sentimentalizmat kalorsiake dhe zanatet e fisnikëruara humane; mjeku e poeti, ashtu si xhandari e taksidari, bëhen mekanizma të tij. Në “Fundin e pasionit politik” të kritikut spanjoll Josep Ramoneda jepet një përkufizim i thjeshtë i raportit të kapitalizmit me demokracinë: “Kapitalizmi e ha demokracinë herët a vonë ngaqë kapitalizmi është vertikal, ndërsa demokracia në thelb horizontale.” Dëshira për siguri prej njeriu perëndimor – që siç thoshte Nietzsche-ja është shprehje e njeriut të fundit që lundron në dekadencë ngaqë e ka humbur motivin e të jetuarit me një qëllim të lartë – ka bërë që politikanët me intelekt që flasin për bukën dhe trëndafilat të zëvendësohen nga ekspertë që llomotitin me statistika dhe koncepte të pakuptueshme, që poezia të zëvendësohet nga pornografia, që njeriu të komercalizohet dhe atomizohet, të bëhet i vrazhdë duke mbijetuar në xhunglën e më të fortit dhe të bëhet i huaj ndaj çdo vlere kolektive dhe solidariteti njerëzor.

Marksizmi nuk e shpjegon dot feminizmin – thonë, a thua se të drejtat e grave i sollën në këtë botë gocat romantike të epokës viktoriane, të ngjeshura në korse dhe moral të rreptë, tek ëndërronin ardhjen e princit të kaltër. Gratë kanë qenë pjesë e çdo revolucioni komunist, marksist, anarkist – quajeni si të doni. Gratë e Parisit – jo ato të shoqërisë së lartë, por të lagjeve që qëronin peshk në tregje – nisën revoltat e urisë. Iu turrën me thika e sfurqe pallatit mbretëror ne Versaje, ku desh e therën Mari Antonetën që sugjeronte se gratë e uritura të rrugës në mungesë të bukës të hanin kek. Në Komunën e Parisit, gratë përsëri luftuan ashpër dhe bashkë me burrat, e ndoshta edhe më denjësisht, u vunë para barrikadës dhe togës së pushkatimit, ndërkohe që ca gra të tjera e shikonin me dylbi nga kopshtet e Versajës këtë ngjarje të pakëndshme për shpirtin e tyre virtuoz. Ishin punëtoret e Nju Jorkut që u mbyllën në fabrikë dhe u dogjën të gjalla për të drejtat e gruas, jo lejdit e madamat në tea party-t e pasdites. Me organizimin e grave aktiviste të Partisë Socialiste të Amerikës u vendos 8 Marsi si Ditë Ndërkombëtare e Gruas. Nëse je grua punëtore, krahu dhe zyre, e punon tetë orë, paguhesh kënaqshëm, me kushte dinjitoze dhe të drejta qytetare, atëherë bën mirë të falënderosh lëvizjen punëtore dhe marksizmin për këtë. E nëse nuk i gëzon këto kushte, atëherë hidh sytë nga marksizmi sa nuk është vonë!

Marksizmi ka nevojë të kontekstualizohet, të lexohet, të diskutohet, të pasurohet më tej intelektualisht, të rigjejë gjuhën dhe metaforat e tij, të bëhet i kuptueshëm për njerëzit e thjeshtë e jo të kthehet në teori borgjeze lozhash snobiste. Pra të bëhet ashtu siç është, armë për çlirimin e njerëzve nga shfrytëzimi dhe dominimi. Akuza si marksist duhet të jetë nder për këdo, edhe nëse nuk është marksist, duke mos e lënë veten të bëhet viktimë e racionalitetit të kompromentuar, e injorancës klithëse, por të marrë përsipër pasojat, ashtu si çdo njeri i ndërgjegjësuar me një të vërtetë qoftë edhe të parakohshme. Nëse dikush të akuzon për marksist, mos u zemëro! Thjesht pyete se ç’është marksizmi dhe heshtja e tij do të të japë mundësinë për të thënë fjalën tënde.

Arsyeja pse i shkruaj këto radhë nuk vjen nga ndonjë mëri personale apo dëshirë për të treguar ndonjë intelektualizëm të thellë, por ngaqë koha në të cilën jetojmë, me sa duket, po e kapërcen tragjikisht njeriun dhe mendimin zyrtar, klishetë dhe shabllonet. Errësira e padurueshme, tradhtia që shtresa e mesme po i bën vetes dhe të tjerëve, komercalizimi i thellë i mendjes dhe i zemrës, kritika boshe me nisje revolte thjesht kulturalistë, paaftësia për të kapërcyer egon individuale, sektarizimi i inteligjencës në kabaretë e Tiranës, kullerizimi thellësisht provincial, hapja e kontradiktave dhe luftërave të rrejshme etj. po na lënë zbuluar, të çarmatosur, pa kapacitete intelektuale dhe politike, me organizime fragmentare dhe thjesht identitare, ndaj një bote që ndryshon me shpejtësi për keq. Prandaj, gjëja më e dobishme për një antimarksist është te ndalojë në bukinistin e parë që i zë syri, ose thjesht të gugëllojë, për të thithur ca njohuri elementare mbi marksizmin dhe të gjitha izmat për të cilat flet në ajër. Sepse edhe gjuha – siç do të thoshte filozofi frëng Alain Badiou te “Poetët dhe komunizmi” – është akti i parë kolektiv, d.m.th. komunist, d.m.th. marksist.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne