Antiplagjiatura/ Zbardhet vlerësimi i senatit të UT: Ja vendimet e qeverisë me shkelje

Shumica e vendimeve dhe akteve të Këshillit të Ministrave, të dala për të zgjidhur ngërçin me studentët, janë në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit të arsimit të lartë.

Më konkretisht, bëhet fjalë për vendimin “Për kontrollin antiplagjiaturë të disertacioneve për fitimin e gradave shkencore”, VKM “Për vlerësimin e performancës në mësimdhënie të personelit akademik në institucionet e arsimit të lartë edhe nëpërmjet sondazhit kombëtar të studentëve”, VKM “Për garantimin e transparencës në institucionet publike të arsimit të lartë”, urdhër “Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për përzgjedhjen e literaturë së huaj që do përkthehet me qëllim përdorimin në institucionet e arsimit të lartë”, urdhër “Për ngritjen e grupit të punës për hartimin e modelit të statutit për IAL-të publike”.

Në afro 17 faqe analizë të vendimeve dhe urdhrave të qeverisë konstatohen shkelje procedurale e materiale nga ana e qeverisë. I vetmi kontribut i saj do të ishte ndihmesa në mjetet e duhura për realizimin e qëllimit.

“Asnjë nen i ligjit nuk i njeh të drejtën Këshillit të Ministrave apo MASR të nxjerrë akte lidhur me kontrollin e plagjiaturës.

Si rrjedhim, KM nuk kishte kompetencën për të nxjerrë VKM për kontrollin antiplagjiaturë”, citohet në vlerësimin final të grupit të ngarkuar për rishikimin e akteve. Sa i takon vlerësimit të performancës së pedagogëve thuhet se kjo është detyrë e çdo universiteti përmes mekanizmave të brendshme dhe nuk mund ta bëjë ASCAL, pasi cenohet autonomia, shkruan Panorama.
E njëjta gjë ndodh dhe me vendimin për garantimin e transparencës, ku ndërhyhet në pushtetin e IAL-ve për të marrë vendime në mënyrë të lirë e të pavarur.

Hartimin e një statuti model që do të shërbejë për të gjitha universitetet, UT e gjen të tepërt dhe sugjeron shfuqizimin e tij, pasi është në kundërshtim me ligjin e arsimit të lartë, në nenin 2, 3 dhe 5 të tij, ku flitet për rolin e shtetit në arsimin e lartë, si një rregullator dhe garantues i autonomisë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne