Arabia Saudite dhe Vëllazëria Muslimane: Nga miq në armiq

Më herët këtë muaj, Arabia Saudite, së bashku me Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejnin, ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar atë për mbështetjen e “ekstremizmit” dhe destabilizimin e rajonit.

Ministri i Jashtëm saudit, Adel al-Jubeir u tha gazetarëve gjatë një vizite në Paris dy ditë pas kësaj që Katari duhet t’i japë fund mbështetjes së tij për Vëllazërinë Muslimane dhe grupin palestinez Hamas, përpara se lidhjet me shtetet e tjera të Gjirit Arab të mund të rivendosen.

Menjëherë pas kësaj, blloku Saudit lëshoi ​​një listë të “terroristëve” të dyshuar me lidhje me Katarin, duke përfshirë dijetarin egjiptian me bazë në Doha, Yusuf al-Qaradawi, një anëtar i vjetër i Vëllazërisë Muslimane.

Por Arabia Saudite nuk e ka parë kurrë Vëllazërinë Muslimane si një kërcënim rajonal. Në fakt, marrëdhënia mes tyre është luhatur midis harmonisë dhe tensionit që nga takimi historik midis Mbretit Abdulaziz Al Saud dhe themeluesit të lëvizjes Hassan al-Benna në vitin 1936.

Një rrjet i lirë politik që u krijua në vitin 1928 nga një mësues në qytet-portin egjiptian të Ismailisë, Vëllazëria Muslimane fillimisht kishte për qëllim të promovonte reformën shoqërore me Islamin në thelbin e saj.

Nga vitet 1940, grupi vlerësohet të ketë pasur gjysmë milioni anëtarë aktivë në Egjipt, dhe idetë e tij kishin arritur në vendet fqinje arabe. Anembanë vendit u krijuan degë lokale, secila duke drejtuar një shkollë, një xhami dhe një klub sportiv.

Benna e pa Vëllazërinë si një lëvizje gjithëpërfshirëse që ai e përshkroi si “një mesazh Selefij, një mënyrë sunite, një e vërtetë sufiste, një organizatë politike, një grup atletik, një bashkim kulturoro-arsimor, një kompani ekonomike dhe një ide sociale”.

Lëvizja u bë shpejt një forcë politike masive që sfidoi marrëveshjen trepalëshe që qeveriste Egjiptin deri në Revolucionin e vitit 1952: monarkinë, sundimin kolonial britanik dhe partinë al-Wafd.

Në të njëjtën kohë, Vëllazëria zhvilloi krahun e saj të fshehtë, të quajtur “aparati sekret”, i cili thuhet se ishte përgjegjës për vrasjen e një numri zyrtarësh kryesorë, përfshirë Kryeministrin Mahmour Nuqrashi në vitin 1948.

Menjëherë pas kësaj, Benna u qëllua nga agjentë egjiptianë të shërbimit sekret.

Në vitin 1952, një grup oficerësh të ushtrisë, që e quajtën veten Lëvizja e Oficerëve të Lirë, përmbysi monarkinë egjiptiane në një grusht shteti pa gjak, në bashkëpunim me Vëllazërinë Muslimane.

Por marrëdhëniet u përkeqësuan shpejt. Oficerët e Lirë, të udhëhequr nga Gamal Abdel Nasser, nuk u pajtuan me vizionin e Vëllazërisë Muslimane për zbatimin e ligjit Islam dhe favorizuan një model socialist laik.

Pas një përpjekjeje të dështuar për të vrarë Nasserin në Aleksandri në vitin 1954, gjë për të cilën Vëllazëria u fajësua dhe u ndalua, mijëra anëtarë u ekzekutuan, u burgosën, u torturuan dhe u internuan.

Nasser u bë president në vitin 1956, dhe me këtë, e shtypi lëvizjen.

Megjithatë, goditja e qeverisë shkaktoi një ndryshim të rëndësishëm në ideologjinë e Vëllazërisë, e dukshme në shkrimet e Sayyid Kutbit, një anëtar i shquar.

Shkrimet e Kutbit nga burgu avokuan luftën e armatosur kundër regjimeve arabe perëndimore dhe korruptive për të përhapur vlerat islame, të cilat vazhdojnë të përdoren si justifikim nga një numër grupesh “ekstremiste” për përdorimin e dhunës.

Duke u frikësuar nga hakmarrja, mijëra anëtarë të lëvizjes gjetën strehim në Arabinë Saudite dhe u futën shpejt në shoqërinë saudite. Duke dalë si shtet i ri modern, mbretëria gjeti në mysafirët e saj edukatorët, burokratët dhe inxhinierët e kualifikuar që kishte nevojë.

Mbreti Faisal bin Abdulaziz, i cili sundoi nga viti 1964 deri në vitin 1975, gjithashtu gjeti në ta zërin që i duhej për të neutralizuar përhapjen e pan-arabizmit dhe komunizmit në rajon, që kërcënonte pozitën e Arabisë Saudite si qendër.

Me pak fjalë, Arabia Saudite dhe Vëllazëria Muslimane gjetën te Nasseri një armiqësi të përbashkët.

Kjo marrëveshje vazhdoi me sundimin e Anwar Sadat, pasardhës i Nasserit, sipas së cilit Vëllazëria Muslimane ishte zgjedhur dhe ri-futur në arenën politike, megjithëse jo si një parti zyrtare.

Pushtimi sovjetik i Afganistanit në vitin 1979 ishte një zhvillim tjetër që ngurtësoi lidhjet ndërmjet tyre.

Së bashku me Shtetet e Bashkuara, Arabia Saudite i kanalizoi fshehurazi miliarda dollarë grupeve muxhahedane afgane për të luftuar sovjetikët. Përmes mbledhjes së donacioneve dhe përpjekjeve për mobilizim, Vëllazëria Muslimane thuhet se ka qenë një pjesë integrale në ngritjen e atyre që quhen “arabët afganë”, që më vonë u bënë bërthama e al-Kaedës.

Por kjo nuk zgjati shumë. Harmonia u ndërpre nga dy zhvillime kryesore rajonale: përshëndetja revolucionit iranian nga Vëllazëria në vitin 1979 dhe dënimi i saj për ftesën e trupave të huaja të Arabisë Saudite në Luftën e Gjirit.

Ish presidenti irakien Saddam Hussein kishte urdhëruar pushtimin e Kuvajtit në vitin 1990 në një përpjekje për të marrë rezervat e naftës së vendit. Të alarmuar, Arabia Saudite dhe anëtarët e tjerë të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) i bënë thirrje vendeve amerikane dhe perëndimore që të shmangin kërcënimin dhe zgjerimin e Irakut në rajon – një lëvizje që Vëllazëria Muslimane dhe degët e saj lokale e kritikuan hapur.

Një lëvizje islamike saudite, e njohur si Sahëa ose “Zgjimi Islamik”, filloi fushatën e saj të brendshme për të mobilizuar shoqërinë saudite kundër vendimit të mbretërisë për të lejuar trupat amerikane të përdornin territoret saudite për të luftuar Sadamin. Grupi gjithashtu shkroi disa letra të hapura ndaj mbretit Fahd për t’i kërkuar reforma radikale politike.

Ky veprim shënoi një devijim të qartë nga korniza tradicionale përmes së cilës organizata fetare ndërveproi me monarkinë, e cila zakonisht ia la politikën në përgjithësi dhe politikën e jashtme familjes sunduese për t’a administruar ekskluzivisht, ndërkohë që organizata fetare kontrolloi kulturën dhe çështjet fetare.

Në vitin 1995, regjimi e kishte shtypur krejtësisht lëvizjen Sahwa, por fajësoi Vëllazërinë si një përgjegjëse për episodin e paprecedent të mospajtimit.

Pasojat e sulmeve të 11 shtatorit 2011 shënuan një ndryshim tjetër në dinamikën midis mbretërisë dhe Vëllazërisë.

Duke u përballur me rritjen e presionit nga SHBA-ja për të bashkëpunuar në luftën kundër “terrorizmit”, mbretëria filloi të godiste organizatat e lidhura me Vëllazërinë, duke hapur një luftë mediatike kundër tyre – duke shënuar një largim të madh nga qëndrimi i saj i fundit zyrtar.

Princi Nayef bin Abdul Aziz Al Saud, atëherë ministër i brendshëm, akuzoi hapur Vëllazërinë Muslimane se ishte “burimi i të gjitha të këqijave” dhe rrënja e problemeve në botën arabe dhe ndoshta edhe në botën muslimane.

Pastaj erdhi Pranvera Arabe për të tendosur më tej marrëdhënien. Ndërsa bota shikonte rënien e katër diktaturave arabe (në Tunizi, Egjipt, Libi dhe Jemen), Sahwa e Saudit pa një mundësi të ripërtëritur për të nxitur qeverinë për reforma politike.

Një numër peticionesh u nënshkruan dhe u shpërndanë në mediat sociale në vitin 2011, siç është “Një thirrje për reformë”, e nënshkruar nga disa anëtarë të Sahwas përfshirë Nasir al-Umarin, dhe “Drejt një shteti të së drejtave dhe institucioneve”, nënshkruar nga Salman al-Awda. Awda vazhdoi të shkruante një tjetër letër të hapur për Mbretin Abdullah në mars 2013.

Megjithëse asgjë në shkallën e kryengritjeve që ndodhën në vende të tjera gjatë Pranverës Arabe nuk ndodhi në Arabinë Saudite, atmosfera e përgjithshme i ringjalli frikën mbretërisë.

Ngjitja e islamit politik në Egjipt e shqetësoi regjimin saudit, veçanërisht me ish-presidentin Mohamed Morsi që shprehu gatishmërinë e tij për të ndërtuar një “marrëdhënie konstruktive” me armikun e Arabisë Saudite, Teheranin.

E gjithë kjo e çoi mbretërinë, së bashku me Kuvajtin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, t’i ofronin 12 miliardë dollarë Egjiptit në vitin 2013 – katër herë sa paketa e kombinuar e ndihmës e ofruar nga SHBA-ja dhe Evropa Egjiptit – një javë pas përmbysjes së kreut të parë të zgjedhur në mënyrë demokratike në Egjipt, Presidentit Morsi.

Një vit më vonë, Arabia Saudite e quajti Vëllazërinë Muslimane një “organizatë terroriste” së bashku me të dyshuarit më të dukshëm, si Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë dhe grupe të tjera të forta që luftojnë në Siri. Mbreti i Arabisë Saudite, Abdullah bin Abdulaziz Al Saud njoftoi një afat burgimi deri në 20 vjet për të gjithë ata që akuzoheshin se i përkisnin “grupeve terroriste” dhe luftonin jashtë.

Por caktimi si “grup terrorist” nuk e pengoi Arabinë Saudite që të zhvendoste sërish pozitën e saj. Në vitin 2015, mbretëria priti një numër udhëheqësish të lidhur me Vëllazërinë Muslimane: Rachid Ghannounci, kreu i partisë islamike Ennahda në Tunizi, Abdul Majeed Zindani, udhëheqësi i partisë el-Islah në Jemen dhe Khaled Meshaal, ish-udhëheqësi i Hamasit, në atë që atëherë dukej të ishte një afrim i mundshëm mes tyre.

Që në fillim, marrëdhënia midis Arabisë Saudite dhe Vëllazërisë Muslimane ka qenë e varur nga një faktor: Arabia Saudite. Historia tregon se Rijadi është i aftë të ndryshojë pozicionin e tij në varësi të qëllimeve të tij politike.

Duke komentuar për përplasjen e fundit diplomatike midis Katarit dhe bllokut saudit, sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson tha se klasifikimi i Vëllazërisë Muslimane në tërësinë e saj si një “grup terrorist” ishte “problematik”.

“Ka elemente të Vëllazërisë Muslimane që janë bërë pjesë e qeverive”, tha ai, duke vënë në dukje parlamentet në Bahrejn dhe Turqi si shembuj.

“Ato elemente … e kanë bërë këtë duke hequr dorë nga dhuna dhe terrorizmi,” tha ai.

“Pra, në përcaktimin e Vëllazërisë në tërësinë e saj si një organizatë terroriste … Unë mendoj se ju mund të vlerësoni kompleksitetin që kjo krijon në marrëdhëniet tona me [qeveritë në rajon].” / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne