Arabia Saudite: Lojëra për fron apo vërtet ndryshime?

Menjëherë pas formimit të komisionit për luftën kundër korrupsionit nën kryesimin e Princit trashëgimtar të Arabisë Saudite më 4 nëntor filluan edhe arrestimet. Dhjetëra princër, biznesmenë dhe zyrtarë të lartë ushtarak u arrestuan në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe u ngrinë llogaritë e tyre bankare. Më pas u bënë ndryshime në kabinetin qeveritar dhe u bënë emërime të reja të komandantëve të forcave ushtarake.

Mirëpo shtrohet pyetja se a është arrestimi i mbi 30 zyrtarëve të lartë në mënyrë surprize, në mesin e të cilëve ndodheshin edhe 30 princër, një sinjal i ndryshimeve rrënjësore? Ndjeshmëria e Princit trashëgimtar Muhammed ndaj korrupsionit mjaftë të përhapur në vend ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në ndërmarrjen e kësaj iniciative të guximshme. Mirëpo është e qartë se përveç kësaj edhe disa arsye tjera të rëndësishme kanë luajtur rol në këtë vendim. Princi trashëgimtar, 32-vjeçar, prej emërimit të tij në këtë post në fillim të këtij viti e këtej, tregoi se është i vendosur për të bërë disa ndryshime serioze politike, sociale dhe ekonomike. Ky qëndrim e solli atë përballë kuadrove konservatore të vendit të tij. Ndoshta Princi trashëgimtar me vendimet e fundit deshi ta forcoj pozitën e tij përballë opozitarëve dhe konkurrentëve në pozita të larta. Për këtë arsye disa analistë këto zhvillime i cilësojnë si “lojëra për fron”, ndërsa sipas disave kjo paraqet një tranzicion. Sepse, ky tranzicion duhej të filloj në njëfarë mënyre dhe kjo nevojë ishte ngritur në një nivel të pashmangshëm. Ndërkaq sipas disa analistëve të tjerë këto ndryshime përgatisin terrenin për operacione të reja të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon.

Pas daljes në fron të Princit trashëgimtar Muhammed janë vënë në zbatim ndryshimet si formimi i bllokut mes Egjiptit, Amerikës dhe Izraelit, po zbatohen presione ndaj Katarit, u arrestuan princërit, marrëdhëniet me Iranin u tensionuan deri në prag të luftës dhe dijetarët saudit filluan të japin fetva në favor të Izraelit. Mirëpo të gjitha këto zhvillime janë vendimet e Mbretit Selman, ndërsa Princi Muhammed është zbatuesi i këtyre vendimeve.

Arabia Saudite me shpenzimet e bëra viteve të fundit në fushën ushtarake krijon përshtypjen se ky vend është duke u përgatitur për një luftë të gjatë. Pretendohet se këto përpjekje mbështeten edhe nga udhëheqja e Uashingtonit dhe Izraeli. Edhe politikat e izolimit të Katarit mund të vlerësohen si një veprim i bërë për të përfshirë edhe Katarin në këtë koalicion. Mirëpo dobësitë më të mëdha të Arabisë Saudite janë brishtësitë që po jetohen brenda saj. Me projekte, të cilat i vuri në zbatim dhe vendimet e marra pas daljes në fron të babait të tij, Princi Muhammed rrezikoi shumë. Marrëdhëniet e fronit, ekonomia (projekti i vizionit të vitit 2030), konkurrenca me Iranin, posaçërisht aktivitetet ushtarake në Jemen dhe bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë çështjet që në vete përmbajnë probleme, të cilat duhet të kapërcehen. Gabimi më i vogël që do të bëjë Princi në këtë drejtim do të shkaktoj dëme edhe për vendin edhe për familjen e tij, të cilat nuk do të mund të riparohen.

Arabia Saudite është një vendi i rëndësishëm edhe nga aspekti i energjisë edhe nga aspekti i burimeve njerëzore. Vendimet që do të merren dhe reagimet që do të shkaktohen nga këto vendime janë në interes të të gjithëve në rajon. Por, ndryshimi edhe më i vogël politik në rajon do të shkaktoj rritjen e çmimit të energjisë dhe në disa raste do të mund të shkaktoj konflikte ndërsektare, ndërsa do të tensionoj edhe më shumë situatën.

Turqia për momentin këto zhvillime i cilëson si politikë e brendshme e Arabisë Saudite. Fjalët e Ibrahim Kalin, zëdhënësit të Presidentit Recep Tayyip Erdogan, të bëra në një kanal televiziv në lidhje me çështjen janë mjaftë domethënëse. Ai në prononcimin e tij thotë kështu: “Si mund të ndryshoj struktura e mentalitetit? Ata përpiqen të hedhin hapa në lidhje me këtë çështje. Bëhet fjalë për një mbret të ri dhe për rregullime politike për periudhën e ardhshme. Bëhet fjalë për një vizion të vitit 2030. Shpresojmë që këtu të jetohet një proces, i cili do të kontribuoj në paqen e Arabisë Saudite”.

Parë nga aspekti i Turqisë për zhvillimet e jetuara në Arabinë Saudite, sipas të gjitha gjasave Turqia në vend se të jetë pjesë e drejtpërdrejtë e këtij tensionimi do të përqendrohet në interesat e saj të sigurisë. Sepse struktura e organizatës terroriste PKK/PYD-së, për të cilën bëhen përpjekje për vendosjen e saj në kufijtë jugore të Turqisë (në Siri dhe në veri të Irakut), paraqesin kërcënim prioritar për Turqinë, e cila po hedh hapa në drejtim të asgjësimit të këtij kërcënimi.

Turqia do të mund të marr përsipër një rol diplomatik gjatë periudhës në vijim të kësaj krize. Sepse mosmarrëveshjet mes vendeve të rajonit rrisin ndikimin e aktorëve të jashtëm. Kjo situatë i hapë rrugë organizatave terroriste. Parandalimi i tensionimeve që do të krijohen nga vakumi është një çështje prioritare nga aspekti i Turqisë. Në rast të thellimit të krizës Turqia do të mund të marr përsipër një rol aktiv, sepse në mesin e prioriteteve të politikës së jashtme të Turqisë është edhe parandalimi i krizave që do të mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti në sigurinë e saj.

Autor: Cemil Dogaç Ipek

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne