Arabia Saudite po e keqpërdor Mekën

Pas vrasjes së Jamal Khashoggit, mbretëria e Arabisë Saudite ka shfrytëzuar Xhaminë e Madhe në Mekë duke përdorur imamët e saj për të lëvduar, shenjtëruar dhe mbrojtur sundimtarët sauditë bashkë me veprimet e tyre.

nga Khaled M. Abou El Fadl, The New York Times

Sunduesit e Arabisë Saudite e fitojnë pjesën më të madhe të legjitimitetit dhe prestigjit të tyre në botën myslimane nga kontrolli dhe mirëmbajtja e Xhamisë së Madhe, Qabes në Mekë dhe xhamisë së Profetit Muhamed në Medinë. Mbreti Salman, sikurse sundimtarët para tij, mban titullin “Khadim al-Haramayn al-Sharifayn”, që do të thotë, “Kujdestari i dy xhamive të shenjta”, ose më saktë “Shërbëtori i dy vendeve të shenjta.”

Pavarësisht nga ky titull mbretëror modest, monarkia saudite ka një histori të gjatë të shfrytëzimit të podiumit të Xhamisë së Madhe në Mekë duke përdorur imamët e saj për të lëvduar, shenjtëruar dhe mbrojtur sundimtarët dhe veprimet e tyre.

Pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi, ndërsa shikimi akuzues i botës u drejtua tek Princi Mohammed bin Salman, monarkia saudite përdori përsëri Xhaminë e Madhe për të mbrojtur dhe për të hyjnizuar princin e kurorës në një mënyrë që e bën legjitimitetin dhe kontrollin e tij të Mekës dhe Medines moralisht shqetësues si asnjëherë më parë.

Më 19 tetor, Shejh Abdulrahman al-Sudais, imam zyrtar i emëruar i Xhamisë së Madhe dhe autoriteti më i lartë fetar i mbretërisë, mbajti predikimin e tij të së premtes duke e lexuar atë nga një shkrim në letër. Predikimet e së premtes në Xhaminë e Madhe transmetohen drejtpërdrejt në rrjetet televizive dhe në faqet e mediave sociale, nga ku ndiqen me një respekt të madh nga miliona muslimanë, të cilët i vlerësojnë ato si për nivelin e lartë fetar që përmbajnë por edhe për respektin që autoriteti i lartë fetar arab gëzon.

Imam Sudaisi mbajti një predikim shqetësues, duke shkelur shenjtërinë e hapësirës së shenjtë ku qëndronte. Ai i referohej një thënie të Profetit Muhamed, ku një herë në çdo shekull, Zoti dërgon nga një muxhedid, një reformator të madh për të ringritur dhe për të ringjallur besimin Islam. Ai shpjegoi se muxhedidi është një njeri i nevojshëm që merret me sfidat e periudhës kohore.

Ai vazhdoi të lavdëronte princin Mohammed bin Salman si një dhuratë e bekuar hyjnore për myslimanët, duke nënkuptuar se princi i kurorës ishte muxhedidi i dërguar nga Zoti për të ringjallur besimin islam në epokën e sotme. “Rruga e reformimit dhe modernizimit të kësaj tokë të bekuar … përmes kujdesit dhe vëmendjes së princit të ri të kurorës, ambiciozit, të frymëzuarit hyjnor, vazhdon të ndricojë përpara duke u udhëhequr nga vizioni i tij inovator dhe percepsioni modernizues, pavarësisht nga gjithë presionet dhe kërcënimet e dështuara,” deklaroi imami, nga podiumi ku Profeti Muhamed dikur mbajti fjalimin e tij të fundit.

Duke cituar debatin pas vrasjes së Khashoqit, Imam Sudaisi paralajmëroi muslimanët që të mos i besonin thashethemet e mediave dashakeqe që synojnë të hedhin dyshime mbi udhëheqësin e madh musliman. Ai i përshkroi komplotet kundër princit të kurorës, duke thënë se qëllimin e kanë që të shkatërrojnë islamin dhe muslimanët. Imami paralajmëroi se “të gjitha kërcënimet kundër reformave të tij modernizuese, jo vetëm që synojnë dështimin por kërcënojnë edhe sigurinë ndërkombëtare, paqen dhe stabilitetin”.

Ai paralajmëroi se sulmet kundër “këtyre tokave të bekuara” janë provokim dhe ofendim për më shumë se një miliard myslimanë. Për të përshkruar princin Mohammed, Imam Sudaisi përdori fjalën “muhaddath” (një person me tipare jashtëzakonisht të veçanta). “Muhaddath” ishte një titull i dhënë nga Profeti Muhammed për Omer Ibn Khatabin, shoqëruesin i tij dhe kalifin e dytë të Islamit. Imami në mënyrë të nënkuptuar e krahasoi princin e kurorës me Kalifin Omer.

Imam Sudaisi ju lut Zotit që ta mbronte Princin Mohammed nga komplotet ndërkombëtare të thurura kundër tij nga armiqtë e Islamit, keqbërësit dhe hipokritët dhe përfundoi duke thënë se ishte detyrë solemne e të gjithë muslimanëve që të mbështesin me besnikëri dhe t’i binden mbretit dhe princit të kurorës, mbrojtësve dhe kujdestarëve të vendeve të shenjta dhe islamit.

Klerikët sauditë asnjëherë më parë nuk i kishin folur masës së madhe të besimtarëve në Xhaminë e Madhe me këtë mënyrë të paturpshme në shërbim të monarkisë. Asnjë imam i Xhamisë së Madhe nuk e kishte krahasuar një sundimtar saudit me nje muxhedid të kohës apo qoftë të kishte guxuar ta nënkuptonte atë.

Predikimet në Mekë dhe Medinë mbahen me letër, e cila miratohet paraprakisht nga forcat e sigurisë saudite. Ndërsa mbreti cakton një imam kryesor për Xhaminë e Madhe dhe Xhaminë e Profetit në Medine, secili imam ka një numër të caktuar zëvendësish që drejtojnë faljet dhe predikimet.

Për dekada me radhë, predikimet në Mekë dhe Medinë i janë përmbajtur devotshmërisë, rregullave fetare dhe besimit. Ato gjithmonë kanë përfunduar me një lutje për mbretërit e Saudisë, por imamët nuk ja atribuonin cilësitë e shenjta monarkisë dhe insistonin që sunduesit duhet te ecnin në rrugën e Zotit dhe ti bindeshin vetëm atij.

Shumë ka ndryshuar që nga ngritja e Princit Mohammed në pushtet. Princi i kurorës ka burgosur qindra imamë të shquar, të cilët kanë shfaqur forma të vogla kundërshtimesh, duke përfshirë juristë shumë të shquar dhe me ndikim, si Shejh Saleh el-Talibi dhe Sheikh Bandar Bin Aziz Bilila, ish imamë të Xhamisë së Madhe. Prokurorët sauditë kanë kërkuar dënimin me vdekje për Salman al-Audan, një klerik i shquar reformist, i cili u arrestua shtatorin e kaluar. Disa raportime pohojnë se një tjetër klerik i shquar, Sheik Suleiman Daweeshi, i cili u arrestua në prill 2016, ka vdekur në një burg saudit si rezultat i torturave.

Imamët e vetëm që duket se janë lejuar të drejtojnë faljet dhe të predikojnë në Xhaminë e Madhe në Mekë dhe xhaminë e Pejgamberit në Medine janë ata që kanë rënë dakord të bëjnë çfarëdo që princi i kurorës dëshiron. Disa dijetarë sauditë me ndikim si Shejh Abd al-Aziz Al Rayesi shkuan aq larg sa të thonin në një ligjëratë se edhe nëse sunduesi saudit “kryen kurvëri publikisht në televizion për gjysmë ore çdo ditë, muslimanëve ju kërkohet që të bashkohen rreth sundimtarit dhe jo të nxisin njerëzit kundër tij”.

Predikimi i kohëve të fundit i Imam Sudaisit i vë muslimanët në një pozitë: Ose pranoni princin e kurorës si reformatorin e bekuar të Islamit dhe besoni dhe pranoni fjalët dhe veprat e tij ose ndryshe jeni armiq të Islamit. Dijetarët muslimanë reaguan ndaj predikimit kryesisht në mediat sociale me përbuzje dhe zemërim. Shfaqje të shumta komedish në gjuhën arabe dhe bisedash mediatike show në YouTube reaguan me tallje dhe e dënuan veprimin.

Kur një imam i Xhamisë së Madhe i bën thirrje muslimanëve që me dëgjueshmëri ti binden versionit jo të besueshëm të princit Mohammed për vrasjen e gazetarit Khashoggi; të miratojnë rrëmbimet, burgosjet dhe torturimet e kundërshtarëve, duke përfshirë edhe burgosjen e shumë dijetarëve muslimanë të respektuar; të injorojnë luftën e tij të egër dhe të pamëshirshme kundër Jemenit, të pranojnë minimin e ëndrrave të botës arabe për demokraci, të pranojnë mbështetjen e tij për diktaturën shtypëse në Egjipt, e bën të pamundur pranimin e kategorizimit të imamit për princin e kurorës si një reformator i zgjedhur, i frymëzuar dhe i bekur nga Zoti. Vendi i shenjtë i Profetit në Mekë po përdhoset dhe po ndotet.

Kontrolli i Mekës dhe Medinës ka mundësuar që establishmenti i klerikëve dhe monarkisë së mbytur nga paratë e naftës, ti zgjerojë interpretimet e ngurta dhe jorealiste të tyre mbi Islamin, përtej kufijve të mbretërisë. Shumica e myslimanëve do të preferojnë gjithmonë një Islam tolerant dhe etikish të llogjikshëm sesa variantin e mbrojtur nga princi i kurorës dhe kleriku i tij i afërt saudit.

Duke përdorur Xhaminë e Madhe për të mbuluar me lustër aktet e despotizmit dhe shtypjes, princi Mohammed ka vënë legjitimitetin e kontrollit dhe kujdestarinë saudite të vendeve të shenjta të Mekës dhe Medinës në pikëpyetje.

Khaled M. Abou El Fadl është profesor i drejtësisë në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos dhe autori i “Arsyetimi me Zotin: Rivendosja e Sheriatit në Epokën Moderne”.

burimi: nytimes/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne