Alfred Bushi

Historia e lëvizjes sindikaliste në Shqipëri nis në vitet e para të shekullit XX[1] dhe arrin deri në vitet 30’. Pas një periudhë pauze të gjatë kemi një shpërthim disamujor në fillimvitet 90’. E palavdishmja, ose historia e antisindikalizmit, nis menjëherë pas muajve të grevave punëtorëve dhe vazhdon deri më sot, e mbase, në kushtet në të cilat gjendemi, mund të vazhdojë edhe për disa kohë. Një arkeologji e fenomenit të asindikalizmit do t’na ndihmonte të kuptonim më qartë atë që e ashtuquajtura sindikatë përfaqësonte në vitet 90’ dhe atë që përfaqëson ajo sot, e për rrjedhojë do të na ndihmonte të nxirrnim në pah karakterin destruktiv të këtij institucioni i cili, përgjatë ekzistencës së tij disavjeçare, ka vepruar kundër parimeve që karakterizonin formalisht.

Dy sindikatat më të mëdha në Shqipëri janë themeluar përkatësisht njëra në mars të vitit1991 (Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë – BSPSH) dhe tjetra në qershor të po atij viti (Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë – KSSH e cila themelohet si organizata pasuese jokomuniste e Bashkimeve Profesionale[2]). BSPSH-ja, përkundër asaj që do shndërrohet pas 1992-shit, ishte një ndër aktorët kryesorë të organizimit të lëvizjes punëtore, e cila nis me grevën e punëtorëve të Valiasit të 1991-shit, e cila më pas, siç dihet, do t’i japë goditjen përfundimtare qeverisë Nano dhe do ta rrëzojë edhe formalisht diktaturën staliniste.[3] Janë pikërisht minatorët e Valiasit të cilët kërkonin ngritje të pagave , përmirësimin e kushteve të punës, fjetjes dhe veshmbathjes, ata që nxitën grevën e majit 1990. Megjithëse qeveria e kohës i miratoi kërkesat ekonomike të minatorëve për rritjen me 60% pagave të tyre, lëvizja punëtore i shndërroi shumë shpejt kërkesat e saj nga ekonomike në politike, duke kërkuar ndryshimin e pushtetit politik. Në këtë aspekt vihet re një lloj instrumentalizmi politik i lëvizjes punëtore nga ana e sindikatës e cila duhet thënë se asokohe kishte lidhje me partinë më të madhe opozitare (PD-në). Pas këtij momenti të lavdishëm e ardhmja e kësaj sindikate, e në tërësi e sindikalizmit tonë, do marrë tëposhten. Kolapsi i ekonomik, e këtu qëndron elementi antisindikalist dhe destruktiv i sindikatave tona, do të ketë bashkëpunimin e heshtur të sindikatave. Këto dy sindikata u themeluan në një kohë kur punëtoria ishte ende nëpër fabrika, ndërkohë vazhdimësia e tyre u karakterizua nga zhbërja e industrisë, emigrimi masiv i punëtorëve dhe papunësia në masë. E vetmja punëtori që mbeti në këmbë pas ndryshimit të regjimit ishte ajo e disa sektorëve shtetërorë, e cila në parim, për nga vetë natyra e organizimit të punës, e kishte më pak të nevojshme mbrojtjen sindikale. Për klasën punëtore që i nënshtrohet ligjeve të mënyrës kapitaliste të prodhimit gjatë këtyre viteve është e vështirë të flitet. Në këto kushte organizimi sindikal i punëtorisë është pothuajse i pakuptimtë, të paktën në kuptimin e mbrojtjes së interesave ekonomike e politike. Prandaj duhet të kenë qenë të tjera arsye ato që e mbajtën në këmbë organizimin sindikal.

Megjithëse lindin në gjysmën e parë të shekullit të XIX-të, sindikatat u forcuan gjerësisht në epokën e artë të zhvillimit të kapitalizmit, saktësisht në gjysmën e dytë të këtij shekulli, si forma të veçanta të organizimit dhe mbrojtjes të interesave të klasës punëtore përkundrejt interesave të kapitalit. Natyra e këtyre organizimeve ka qenë si ekonomike, në kuptimin e mbrojtjes nga shfrytëzimi në punë nëpërmjet grevave apo formave të tjera të organizimit, ashtu dhe politike, në termat e ndërgjegjësimit të klasës punëtore për sa i përket nevojës së ndikimit politik, madje më radikalet midis tyre edhe për marrjen e pushtetit politik. Përkundër domosdoshmërisë së organizimit sindikal, që e hasim rëndom në vendet me një ekonomi të industrializuar ose në industrializim e sipër, në vendin tonë ky organizim në aspektin ekonomik është tërësisht anakronik, meqenëse në kushtet në të cilën gjendej vendi asokohe sindikata nuk kishte as ç’të mbronte dhe as ç’të kërkonte. Ndërsa në aspektin politik ajo kishte shumë më pak hapësirë veprimi si pasojë e së shkruarës dhe kaosit në të cilin gjendej vendi. Vetëm më vonë, me ndezjen e motorëve mediokër të zhvillimit ekonomik, sindikata do të shndërrohet në një armë të fortë në duart e pronarëve dhe shtetit. Vetëm se këtë herë, siç e tregon historia, kundër organizimit të punëtorisë dhe në përpjekje të vazhdueshme për ta mbajtur nën kontroll zemëratën e saj.

Element tjetër karakterizues i asindikalizmit në vendin tonë është lidhja, megjithëse jo e drejtpërdrejtë, e sindikatës me shtetin, në një kohë kur shteti në instancë të fundit s’është tjetër veçse arma juridiko-politike në duart e klasës sunduese ekonomikisht. Faktikisht sindikatat në Shqipëri, ndryshe nga ç’ndodh në disa vende të tjera, nuk financohen nga shtetit, por në mënyrë të tërthortë janë sidoqoftë të nënshtruara politikisht ndaj tij. Siç dihet dy sindikatat më të mëdha në vend janë thjesht shtojca të dy partive politike kryesore të cilat janë alternuar në pushtet gjatë këtyre njëzet e gjashtë viteve. Kështu, BSPSH-ja anon nga Partia Demokratike[4], ndërsa KSSH-ja nga Partia Socialiste. Sidoqoftë, kjo lloj varësie mbart në vetvete edhe një anë të mirë e cila shprehet në intensifikimin e veprimtarisë sindikaliste në periudhat kur partia e kahut të tyre del në opozitë. Prandaj herë-herë mund të hasim edhe në ndonjë fitore domethënëse për realitetin tonë të organizimit sindikalist.[5] Në këtë aspekt vërejmë se ka një lloj vazhdimësie mes funksionit të sindikatave në periudhën e diktaturës, të cilat quheshin Bashkime Profesionale dhe ishin në varësi dhe të kontrolluara nga shteti, dhe funksionit të sindikatave në epokën e tregut të lirë dhe pluralizmit politik, të cilat po ashtu janë nën varësinë, megjithëse jo të drejtpërdrejtë, të shtetit dhe klasës ekonomikisht sunduese.

Në veprën e saj “Liberty and Property”, teoricienia politike Ellen Meiksins Wood tregon sesi në Francën feudale të periudhës parakapitaliste prona kushtetohej politikisht. Mbreti dhe rendet e larta të aristokracisë apo klerit përdornin zyrat dhe institucionet shtetërore për të ndërtuar dhe për të ruajtur pronën e tyre, pasi pjesëtarët e këtyre dy rendeve në fakt nuk prodhonin asgjë. Jo më kot në Francën e këtyre viteve zhvillohet një luftë të ashpër për zënien e posteve ose zyrave publike, pikërisht sepse përbënin një mundësi të rrallë për të krijuar lehtësisht pronë. Ndërkohë e gjithë kjo pronë e krijuar politikisht nxirrej jo nga prodhimi, por nga shfrytëzimi i fshatarëve nëpërmjet vjeljes së taksave të larta.

Shqipëria e fillimviteve ’90, madje edhe kjo e sotmja, kanë disa të përbashkëta me Francën parakapitaliste. Në një sistem shoqëror kuazikapitalist (në kuptimin e një kapitalizmi të zhvilluar plotësisht) si ky i yni, ku prona apo prodhimi i të mirave materiale nuk kushtetohen vetëm ekonomikisht, një prej mënyrave më të rëndësishme të pronësimit është ajo politike. Duke mbajtur këtë analogji, kjo mund të shpjegojë edhe agresivitetin me të cilin përballën partitë politike me njëra-tjetrën në periudhat zgjedhore, luftën e ashpër mes kandidatëve si zgjedhje, pa harruar dhunën e jashtëzakonshme që ushtrohet mbi popullin. Paradoksalisht, që pas futjes së vendit në një sistem ekonomik të hapur, të tregut të lirë, njëra prej mënyrave më të rëndësishme për të krijuar pronë ose për të garantuar mirëqenie ka qenë nëpërmjet instrumentit politik, pra nëpërmjet shfrytëzimit të institucioneve apo zyrave shtetërore. Kështu, si në rastin e atyre që donin thjeshtë të garantonin mbijetesën, ashtu edhe të atyre që synonin të krijonin një farë pasurie, duhej me patjetër të bëheshin pjesë e sferës politike të kushtetimit dhe të ruajtjes së pronës. Andaj edhe lufta zgjedhore për zënien e institucioneve politike ka qenë dhe mbetet e ashpër. Puna në shtet, ose më saktë puna në zyrat shtetërore me njëfarë peshë, ka qenë dhe mbetet punë joprodhuese e cila kushteton pronën e një grupi të caktuar individësh. Siç dihet tashmë janë të shumtë politikanët dhe pjesëtarët e partive politike të pasuruar dhe që vazhdojnë të pasurohen me anë të ofiqeve publike, korrupsionit, tenderave të paravendosur etj. E nëpërmjet tyre, në forma të ndryshme korruptive ose jo, janë pasuruar dhe shumë individë të tjerë, të cilët nuk kanë pasur ndonjë funksion shtetëror, por kanë pasur lidhje me politikanët. Burimi i kësaj pasurie ndërkohë mbetet përsëri taksimi i punëtorëve të thjeshtë, fshatarëve ose bizneseve të vogla e të mesme.

Përveçse dëshirës, mbase, për të kopjuar institucionet e vendeve të zhvilluara që merreshin si modele asokohe, krijimi i sindikatave në Shqipëri ka qenë mbi të gjitha një formë specifike e kushtetimit të pronës politikisht nga lart. Sindikatat sot, mbase më shumë se në fillesat e tyre, përbëjnë një institucion të rëndësishëm përfitimi ekonomik, ose thënë ndryshe kushtetim të një prone të konsiderueshme për një grup të caktuar burokratësh. Sindikatat, përveç pronave të shumta që u kanë dhënë në pronësi qeveritë e ndryshme, kanë me mijëra punëtorë të sektorëve të ndryshëm që derdhin kuotizacionet[6] në arkat e tyre, duke majmur kështu barkun shekullor të funksionarëve të saj. Kodi i Punës përcakton gjithashtu se burimet e organizatave sindikale mund të vijnë edhe nga dhurimet, të ardhurat e veprimtarive shoqërore, ekonomike ose kulturore,[7] dhe këto të ardhura në disa raste (për aq sa përcaktohet nga ligji fiskal) përjashtohen nga taksat. Sakaq sindikata, nga ana e saj, luan thjesht rolin e kontraktueses me shtetin dhe pronarët kur lind nevoja (në rastin e kontratave kolektive e punës ose të mbrojtjes së punëtorëve nëpër gjykata pasi hiqen nga puna ose akuzohen nga organet shtetërore), ose bën veshin e shurdhër përballë shfrytëzimit çnjerëzor dhe mosrespektimit të ligjit, ose përpiqet, gjë që ndodh jo rrallë herë, të pamundësojë e të mbysë çdo zë revolte që ngrihet nga mbitoka e nëntoka.

Tipari dallues i sindikatave tona është se përgjatë këtyre viteve kanë arritur të formojnë një shtresë të mirëfilltë aristokracie të punëtorisë (megjithëse nuk janë punëtorë dhe nuk prodhojnë asgjë) – jo në kuptimin që i jep asaj Engelsi te “Gjendja e klasës punëtore në Angli” – por në kuptimin e një shtrese të veçantë pronarësh parazitarë brenda trupit të punëtorisë, të cilët funksionin e tyre politik si sindikalistë e kanë përdorur për të vënë pronë. Pikërisht këtu qëndron asindikalizmi, shkuarja kundër interesave ekonomik dhe politik të punëtorëve, dhe përdorimi i këtij institucioni për të krijuar e për të ruajtur pronën e krijuar me anë të saj. Rasti i Valer Xhekës, ish-kryetarit të BSPSH-së, i kërkuar ndërkombëtarisht dhe i dënuar nga gjykata për shpërdorim detyre, mashtrim, falsifikim dokumentesh gjatë kohës së ishte në kryes të sindikatës, tregon më së miri gjendjen e sindikatave dhe funksionin e tyre[8]. Asindikalizmi, aristokracia sindikale, duan të thonë se sindikatat nuk janë entitete të krijuara nga poshtë, në mbrojtje të punëtorëve, por sajesa politike për të zhvatur e shfrytëzuar punëtorët, mënyra politike për të krijuar pronë private. Punëtorët, për rrjedhojë, gjenden sot përballë një shfrytëzimi të trefishtë: nga pronari i fabrikës, sindikata dhe shteti. Në këto kushte rrugëdalja e vetme mbetet, ashtu siç ndodhte në kohëra të largëta revolucionare, përmbysja e aristokracisë dhe çlirimi i të mohuarve në mënyrë që të shtrohet perspektiva për një organizim të ri në punë e pse jo edhe në shoqëri./ op

Shënime:

[1] Në fillimet e lëvizjes sindikaliste shqiptare, Anelmo Spahia (http://opolitike.org/teori/ne-fillimet-e-levizjes-sindikaliste-shqiptare/)

[2] https://en.wikipedia.org/ëiki/Trade_Unions_of_Albania

[3] http://www.bspsh.org.al/en/typography/aktivitete/167-me-16-maj-1991-u-shpall-greva-e-pergjithshme-qe-nga-permasat-ishte-greva-e-pare-me-e-madhe-ne-historine-e-popullit-tone-si-edhe-nga-me-te-rrallat-ne-bote-me-kete-shtrirje-dhe-kohezgjatje

[4] Për të treguar marrëdhënien e ngushtë, ose më saktë varësinë, që kjo sindikatë ka me Partinë Demokratike, në mes të viteve 90’ Azem Hajdari, një nga udhëheqësit e PD-së, si pasojë e krizës politike merr drejtimin e BSPSh-së.

[5] Në vitin 2011, kohë kur në pushtet ishte PD-ja, KSSH-ja ishte në krye të grevës së minatorëve të Bulqizës duke korrur një fitore të rëndësishme.

[6] Sipas Kontratës kolektive të 2010-ës arsimtarëve u merren 400 lek në muaj nga rroga e tyre dhe u kalojnë sindikatave.http://www.oranews.tv/vendi/mesuesit-zhvaten-nga-sindikatat-fantazem-ministria-ben-fresk-me-kontratat-e-pd/

[7] Është i mirënjohur rasti i dhurimit nga ana e qeverisë Berisha së një sërë pronash shtetërore BSPSh-së.

[8] http://shqiptarja.com/lajme/2706/i-sekuestrohen-pronat-ish-sindikalistit-valer-xheka-66046.html

Imazhi: Shkarkuesit e anijeve, Ilya Efimovic Repin, 1873

21