Arkeologët realizojnë një zbulim befasues në piramidën e Keopsit

Që prej 45.00 vitesh, piramida e Keopsit në Egjipt, një nga shtatë mrekullitë e botës antike, fshihte një befasi në zemër.

Shkencëtarët njoftuan të enjten se kishin zbuluar një gropë gjigante në mes të monumentit funerar, të cilën asnjë teori nuk e kishte parashikuar.

“Kjo gropë është kaq e madhe, saqë mund të mbajë një avion me 200 vende në zemër të piramidës”, shpjegon Mehdi Tayoubi, bashkëdrejtues i projektit “ScanPyramids” në origjinë të këtij zbulimi.

Që prej fundit të vitit 2015, misioni që mbledh shkencëtarë egjiptianë, francezë, kanadezë dhe japonezë analizon brendësinë e piramidës duke përdorur teknologji të fundit jodëmtuese, të cilat mundësojnë të shikohet nëpërmjet monumenteve për të zbuluar boshllëqe ose struktura të brendshme të panjohura dhe për të mësuar pak më shumë mbi metodat e ndërtimit, që vazhdojnë të jenë të rrethuara nga misteri.

Sipas studimit të publikuar të etnjen në revistën “Nature”, “big void” (boshllëku i madh), sikurse kanë vendosur ta quajnë studiuesit, është 30 metra i gjatë dhe ka karakteristika të ngjashme me ato të galerisë së madhe, salla me e madhe e njohur e kësaj piramide.

Kjo gropë gjendet 40-50 metra larg dhomës së mbretëreshës, në zemër të monumentit.

“Boshllëku i madhë është krejtësisht i mbyllur, asgjë nuk është prekur që prej ndërtimit të piramidës. Ky është një zbulim shumë entuziast”, thotë Kunihiro Morishima i Universitetit të Nagoias në Japoni, partner i misionit “ScanPyramids”.

Përse ky boshllëk?

Por, nëse një sekret u zbulua, një tjetër vazhdon të mbetet i fshehur, përse ky boshllëk dhe a ka ndonjë gjë brenda?

“Ne nuk mund të dimë nëse boshllëku përmban ndonjë gjë, sepse do të ishte shumë i vogël për t’u detektuar nga pajisjet”, thekson Kunihiro Morishima.

“Madje ekipi nuk ka asnjë informacion mbi rolin e mundshëm të këtij boshllëku. Kjo mund të jetë një vazhdimësi e dhomave që janë njëra pas tjetrës, një koridor gjigant horizontal, një galeri e madhe e dytë… shumë hipoteza janë të mundshme”, shton Mehdi Tayoubi.

“Por një gjë është e sigurt, do të ishte e vështirë të arrihej ‘big void’. Jemi duke menduar për mënyra hetimi relativisht të lehta, jo shkatërruese. CNRS-ja (Qendra Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore) dhe INRIA (Instituti Kombëtar Francez i Kërkimit në Shkencat Kompjuterike dhe Automatizim) na janë bashkuar prej një viti për të studiuar një tip të ri roboti, që mund të kalojë në vrima të vogla”, bëri me dije ai.

 

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne