Armë & Naftë: Mbreti saudit në Moskë, si shenjë e lindjes së aleancave të reja

Nga Bernard Guetta

Mbreti Salman i Arabisë Saudite ishte për një vizitë në Moskë, ku bleu armë ruse, firmosi kontrata në seri u përpoq të gjejë mënyra për të rregulluar, së bashku me Vladimir Putinin, çmimin e naftës. Udhëtimi i Salman tregon shumë për gjendjen e botës.

Komuniste dhe ateiste, Rusia ka qenë prej kohësh “dega” tokësore e ferrit për Riadin. Rënia e Murit të Berlinit nuk i ndryshoi gjërat, sepse lidhjet ndërmjet amerikanëve dhe sauditëve ishin të thella.

Por pastaj Amerika e Bushit vendosi të përmbysë Sadam Huseinin në Irak, duke ia besuar komandën e vendit shumicës shiite, e njëjta rrymë islamike si iranianët, të cilët janë armiq të betuar të sauditëve. Pavarësisht kundërshtimit të Riadit, Barack Obama bëri një kompromis për çështjen bërthamore, i cili i mundësoi Iranit të shpëtojë nga kthetrat e sanksioneve ndërkombëtare, të cilët po e asfiksonin ekonominë e tij. Me abstenim e tyre nga konflikti sirian, Shtetet e Bashkuara kanë rihapur dyert e Lindjes së Mesme edhe për Rusinë, dhe kështu, pavarësisht vardisjes së Donald Trumpit ndaj Riadit, sauditët kanë vendosur të bëjnë ujdi me Moskën.

Interesat përtej naftës

Situata rajonale i shtyu ata në këtë drejtim, duke filluar me naftën, burimi kryesor i rusëve dhe sauditëve, të cilët në një fazë të vështirë ekonomike ndajnë interesin për të kontrolluar çmimet për fuçi. Ata e kishin bërë këtë në dhjetor 2016, duke gjetur një marrëveshje që parashikonte një ulje të prodhimit nga vendet eksportuese. Sot, Putini përpiqet të zgjasë marrëveshjen, e cila duhet të përfundojë vitin e ardhshëm. Kjo është arsyeja pse ai ka takuar një herë Presidentin e Venezuelës dhe tani priti Mbretin Salman. Por në kundërshtim me atë që konspiratorët besojnë, nuk është vetëm nafta.

Në skenën e Lindjes së Mesme, rusët dhe sauditët janë në përplasje, sepse Moska është aleate e Iranit dhe regjimit sirian, dy armiq të Arabisë Saudite. Riadi dhe Moska nuk janë front i përbashkët në rajon, por referendumi për pavarësinë e kurdëve irakenë ndryshon shumë gjëra në Lindjen e Mesme.

Shtetet e rajonit po zbulojnë me shpejtësi se, përtej rivaliteteve të tyre dhe përplasjes mes shiitëve dhe sunitëve, duhet të gjejnë mënyrën për të bashkëjetuar, me qëllim pengimin e një ndryshimi të kufijve të tyre kombëtarë. Ka kurdë në katër prej këtyre vendeve, sunitë në Irakun me shumicë shiite dhe shiitë në Arabi Saudite, ku janë të përqëndruar në zonat më të pasura me naftë.

Raison d’État bën të pashmangshme një aleancë mes fuqive në Lindjen e Mesme dhe kështu, në Rusi, sovrani saudit e gjen veten duke bërë ujdi me një aleat të Iranit. / France Inter – Bota.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne