Armët që Franca i ka shitur Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) janë duke u përdorur në luftën në Jemen, pohoi media franceze, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas transmetuesit publik Radio France dhe faqes së internetit Disclose, armët franceze janë duke u përdorur në Jemen kundër rebelëve Huthi, të dhëna këto që bazohen në një dokument të klaisifikuar të datës 25 shtator 2018 të Departamentit të Inteligjencës Ushtarake që vepron në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes.

Siç raportohet, në këtë dokument gjenden të dhëna të detajuara lidhur me armët që përdoren në Jemen, ndërsa 35 civilë kanë humbur jetën në 52 sulme midis marsit të vitit 2016 dhe dhjetorit të vitit 2018 në rajonet ku janë përdorur 48 obusë francezë të tipit “Caesar”.

Po ashtu, në Jemen përdoren edhe 70 avionë francezë dhe tanke që Franca ia ka shitur EBA-së në vitet 1990.

Sipas dokumentit, Rijadi ka ndërmarrë 24.000 sulme ajrore në territoret e kontrolluara nga rebelët nga marsi i vitit 2015 e deri më tani, gjatë të cilave avionët i ka furnizuar me teknologji franceze të prodhuar nga firma franceze Thales.

Shteti francez vazhdon t’i shesë armë Arabisë Saudite dhe deri në viti 2023, këtij vendi do t’i dorëzojë 147 topa, thuhet në raportimet e mediave.

Dokumenti në fjalë i është dorëzuar edhe presidentit francez Emmanuel Macron, ministrit të Jashtëm Jean-Yves Le Drian dhe ministres së Mbrojtjes Florence Parly gjatë një takimi mbi Jemenin të Këshillit të Mbrojtjes së Kufizuar më 3 tetor të vitit 2018, thuhet më tej.

Gjatë një fjalimi në Kuvendin Kombëtar më 13 shkurt, Le Drian ishte shprehur se Forcave Ajrore të Arabisë Saudite nuk i është dorëzuar asgjë.

Ndërkaq, Parly për radion France Inter më 20 janar kishte deklaruar se armët franceze nuk përdoren në Jemen./ AA

16