“Me armët që blen nga Izraeli, Mianmari bën spastrim etnik të muslimanëve”

Zbulohet se me armët që blen nga Izraeli, Mianmari i përdor për vepra penale të “spastrimit etnik” të muslimanëve të Arakanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në artikullin e gazetës izraelite ‘Haaretz’ thuhet se Forcat Detare të Shtetit të Mianmarit, të cilët po kryejnë krime njerëzore ndaj muslimanëve të Arakanit, në rrjete sociale kanë publikuar fotografitë e anijeve luftarake të blera nga Izraeli.

Më tej thuhet se armët e ekspozuara mbi anijen luftarake të blerë nga qeveria në Naypyidaw, i përkasin sistemit të ndezjes së raketave Typhoon të kompanisë Rafael, e cila prodhon sisteme të zhvilluara të mbrojtjes për ushtrinë e Izraelit.

Përkundër embargos për armë ndaj Mianmarit të vendosur nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), në artikull thuhet se Izraeli vazhdon me shitjen e armëve për këtë qeveri. Po ashtu thuhet se armët në fjalë janë pjesë e një marrëveshjeje për armë mes Izraelit dhe Mianmarit.

Gazeta ‘Haaretz’ më parë kishte shkruar se flota detare e Mianmarit ka blerë nga Izraeli një anije luftarake, raketë tokë-ajër dhe artileri luftarake. Gjithashtu thuhet se një kompani izraelite prodhon avionë ushtarakë për Mianmarin dhe se kompania e quajtur TAR Ideal Concepts, nga e cila furnizohet Ministria e Mbrojtjes së Izraelit, po ofron trajnime ushtarake për Mianmarin.

Ushtria e Mianmarit masakroi mijëra civilë

Ndryshe, mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.

Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit për shkak të pasigurisë së jetës së tyre ende përpiqen të ikin nga ky rajon. Civilët të cilët ikin nga Mianmari kalojnë në Bangladesh nëpërmjet rajoneve malore, lumit Naf ose nëpërmjet detit.

Zëdhënësja e Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Duniya Aslam Khan në një deklaratë për AA sot njoftoi se numri i muslimanëve të Arakanit që janë strehuar në Bangladesh që nga fillimi i dhunës më 25 gusht është rritur në 603 mijë./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne