Arnautët, ndërmjet mitit dhe legjendës

Zamputi e përmend Amedeo’n, i cili prej vitit 1567 thoshte se populli që ai e quante veten “arbër”, në Perandorinë Osmane quheshin “arnautë” [Zamputi: 1989/dok. #218/219-253]. Shumë prej të tillëve pastaj u njohën me këtë epitet, si: Arnavut Koxha Sinan Pasha, Arnavut Dukagjinzade Jahja Beu, Arnavut Abdi Pasha etj.

Shkruan: Hajrudin S. Muja, Nju-Jork

Duke lexuar “histori shqiptare” të burimeve sllave, shpeshherë kemi parë kuptimin nënçmues “arnaut” për shqiptarin. Me “shqiptar” ata njihnin vetëm katolikët që banonin në Mirditë dhe në rrethinat e Shkodrës, kurse shqiptarët e Kosovës i quanin “arnautë”, që nuk ishin gjë tjetër, veçse “serbë të shqiptarizuar” ose “serbë të muslimanizuar” [Hadzivasilević: 1905; Cvijić: 1931]. Emrat serbë, dygjuhësia, respektimi i festave të krishtera dhe traditave “serbe” u shërbenin atyre si dëshmi për karakterin serb të Kosovës, se “shqiptarët e vërtetë” ishin toskët, ndërsa gegët ishin të gjithë serbë. Të tilla ishin edhe pretendimet greke për toskët, të cilët ishin “grekë të islamizuar”, pasi shqiptarë të vërtetë ishin vetëm gegët!

Ndërsa Haxhivasileviqi, me fshirjen e arnautëve nga Serbia, nënkuptonte pastrimin e vendit nga myslimanët [Hadživasiljević: 1909], ky emërtim nuk i ndante as të krishterët, pasi gazetari danez në luftërat ballkanike, na përcjell kënaqësinë e ushtari serb “për vrasje arnautësh” [Illyria, 5. 12. 2011]. Një prift françeskan fliste për arnautët e krishterë [Scribner’s Monthly, 1881/389]. Wingfield-i shkruante për një fshat të Zarës, që banohej me katolikë aranautë [Wingfield: 1859/59]. Bartl-i citon Samiun, që thoshte se: “Boshnjakët dhe Dalmatët e veçanarisht malazezët janë më shumë arnautë se sllavë” [Bartl: 2006/4], kurse Stevenson-i thoshte se madje edhe Gjergj Cërnojeviqi nganjëherë quhej arnauti ose arvaniti, ndoshta për shkak të lidhjes martesore me derën e Topiajve [Stevenson: 1913/92]. Norris-i thotë se arnaut përdorej për të gjithë muslimanët e Ballkanit, veç boshnjakëve [Norris: 1993]!

Në versionin e dytë kemi arnautët shqiptarë, të cilët na qenkeshin fëmijët e kaukazianëve, që nuk kishin të bënin fare me ilirët! Natyrisht edhe për këtë do të na duhej një referencë për ta bërë më të besueshme. Për këtë ata gjetën Magius Patavius-in, i cili (sipas tyre) paskësh thënë se: “arnautët – shqiptarë janë nga Azia”, duke i quajtur “fëmijët e Kaukazit”! Pastaj pasojnë “dëshmitë” toponimike, duke u gjetur madje edhe vendet e stërgjyshërve të tyre! Sa për ilustrim, Mirdat paskësh qenë mbreti i Gjeorgjisë, nga i cili më pas erdhën mirditorët! Disa thonë – shkruan Hobhouse – se Alvanët janë popull i çvendosur prej Albanëve të Azisë që kanë mbajtë të njëtin emër! Strabo në librin e XI-të vë në dyshim nëse kishte ndonjë lidhje ndërmjet “Albanians” të Azisë dhe arnautëve shqiptarë. Meletius thotë se shqiptarët nuk janë as prej ilirëve dhe as prej ati kombi të quajtur Albanezë të Azisë, por një përzierje e Keltëve të cilët erdhën në Japigë të Italisë dhe pastaj përmes Durrësit u vendosen në vendin fqi [Hobhouse: 1813/117].

Këta “arnautë” shpeshherë i konsideronin si muslimanë të huaj, që herëdokurdo duhej të kalonin në Azi: “prej nga kishin ardhë”, atje ku “e kishin origjinën”. Ishte kjo një tezë pak më e vonshme, që synonte t’i paraqiste shqiptarët si qytetarë të dorës së dytë, të cilët me fanatizëm “aziatiko-musliman” vepronin kundër popullit të shumëvuajtur serb në Kosovë! Mu kjo ishte edhe arsyeja që e kishin shpikur termin e tyre gjeografik për Kosovën si “Stara Serbija” (Serbia e Vjetër), të përdorur jo më larg se në vitin 1845 në “Hartën e principatës së Serbisë” nga Jean Bugarsky, të shtypur në atë vit në Beograd [Schmitt: 2012], term që nuk figuronte në gjeografinë e Vuk Karaxhiqit (1827) [Ichirchoff: 1907].

Akademia Serbe e Shkencave i përdorte të dyja versionet në llogari të stilit të saj historik. Kështu, për shembull, Vasa Çubrilloviqi (1897-1990) në “Prodor na more” (1881), në një vjershë me dhjetë pikat e programit serb lidhur me shqiptarët [Bajrami: 2004/214], arnautët i krahasonte me ujqërit:

Ta je teško pokrenuti, Iz planine Vuke Ljute,

još je teže pritisnuti iz kamena arnaute.

Nema Srbu bjelog puta, pa da k’lepšoj sreći pođe,

nek ogrlit arnauta, pa da k’licu svome dođe”.

Kështu shkruante Filip Vishnjiqi në poezinë “Lazar Mutap i Arapin” për “turke, ljute arnaute” [Bandžović: 2011/16]. Në dëbimin e shqiptarëve përtej “Mollës së kuqe” serbët u thoshin që “nëse nuk e pranoni fenë e krishterë, shkoni në arnautllëk”. Deri atëherë afër xhamisë së Islam Agë Gjakovalisë ishte “Pazari i arnautëve” [Devaja: 2012/66, 255]. Në fillim të shekullit XIX edhe në Beograd ende ishte një lagje e tërë shqiptare. që quhej “Mahalla e Arnautëve” [Duga, #359, 28. 11. 1987].

Akademia dhe politika serbe ishte vënë në deformimin e arnautit. Vlladan Gjorgjeviqi, për shembull, që ishte president i Këshillit të Ministrave të Serbisë, thoshte që “arnautët” jo vetëm që ishin me bishta [Đorđević: 1913], por ishin madje edhe “dolikocefal” [jugorët] dhe “brakicefal” [veriorët], duke bërë kështu “dallimet anatomike racore” të shqiptarëve të “tezës mbi arnautët” [Schmitt: 2012]. Dhe, për humanizmin e madh që ata posedonin “si miq të vërtetë të tyre”, serbët do t’ua jepnin qirilikun serb, për të bërë abetaret shqipe për arnautët [Redžepagić: 1968/219]! Këtu duhet kërkuar fillin e të gjitha përçudnimeve të emërtimit “arnaut”.

Mirëpo, ndryshe mendonin disa perëndimorë, të cilët i kishin vizituar këto vende dhe ishin takuar me këta njerëz. Bie fjala, duke i krahasuar me fqinjët malazezë, Knight-i thoshte se arnautët janë më të ngritur në çdo aspekt [Knight: 1880/85]. Po këtë qëndrim e kishte edhe Montag-u: “Nga të gjitha krahinat që kam parë, arnauti më është dukur më i veçantë [Montagu: 1906]. Malte Brun-i fliste për besnikërinë e arnautëve ndaj prijësve të tyre [Malte–Brun: 1808/175], ndërsa Thallocy shkruante se: “Arnauti asht ma trim i botës” [Thallocy: 2008/175].

Në dokumentet osmane nuk ka ndonjë ndarje të shqiptarëve muslimanë dhe atyre të krishterë – ata të dy janë arnautë, por jashtë tokave shqiptare kishin të bënin me ushtrinë dhe meqenëse jomuslimanët nuk ishin të detyruar me këtë shërbim, nuk ishin në kontakt me ata.

Se cili është kuptimi i fjalës arnaut dhe cila ishte zanafilla e saj, nuk është e lehtë për t’u diskutuar. Eqrem Çabej thoshte se “nga aspektet e ndryshme të një fjale, me rëndësi themelore për etimologjinë është historia e saj, sepse me sqarimin e kësaj ane përmbushen shumë herë edhe kushtet për konstatimin e burimit të fjalës” [Çabej: 1982]. Por, duke përdorur burime të ndryshme, na paraqiten edhe kuptime të ndryshme, veçanërisht nëse burimi nuk synon zbardhjen e një gjëje, por “shijen” e autorit. Situatën e bëjnë më të vështirë jo vetëm versionet e ndryshme, por edhe mitet e legjendat e krijuara, me të cilat synojmë të merremi në këtë shkrim.

Në “Webster Dictionary”, “Ar’naut” në kuptimin e parë janë “banorët e Shqipërisë dhe të maleve përreth”. Në kuptimin e dytë janë “shqiptarët që shërbejnë në ushtrinë turke”. Vetë fjalori pasurohet me shembujt: “luftëtarët arnautë”, “trimëria arnaute” etj. Në një enciklopedi turke, arnauti dhe arvaniti janë pjesëtarë të kombit të shqiptarëve, bashkë me emërtimin gjeografik Arnavutluk për Shqipërinë [Bajrami: 1995]. Pra këtu “arnaut” derivon nga greqishtja “arvanit”, duke ndryshuar një shkronjë [Ansiklopedisi: 1997]. Edhe Sami Frashëri shpjegonte se ky term: “vie nga Arvanit, e Arvanit vie nga shprehja Arban, grekët nuk kanë shkronjën “B” dhe e kanë shqiptue arnavut, ndërsa turqit e kanë shqiptue arnaut” [Frashëri: 1899]. Janë ata të njëjtit – thotë Hobhouse: turqit i quajnë arnautë, grekët arvanitë, ne i quajmë albanian ose albanese [Hobhouse: 1813/116]. Kështu thoshte edhe një ekciklopedi e vitit 1823, se arnaud ose arnaut ishte emërtim me të cilin turqit e përcaktonin provincën e Shqipërisë [Worcester: 1823]. Kështu pati thënë edhe profesor i filozofisë në universitetin  “Halle” të Gjermanisë, Johan Thunmann (1746-1778), i cili në një shkrim për Historinë e Shqipërisë thoshte se: “Vetëm turqit i quanin ata (shqiptarët) arnautë, që  vjen nga emri i princit të fundit të Shqipërisë Jugore, Arianiti” [Thunmann: 1774].

Terbun-i thoshte se fjala greke “arvanitis” është një formë greqizuese e fjalës shqipe “arban-it-is”, kurse forma turke “arnavud”, është një formë metatetike e saj, duke ndryshuar “v” me “n” dhe “n” me “v” [Nimani: 2003]. Ngjashëm mendonte edhe Spyridon-i, se “arnaut” ishte njëkohësisht edhe “fjalë turke” për arvanitët, ndërkohë që për vetë grekët “arvanitë” ishin arbëreshët [Spyridon: 1860]. Ai, madje, thotë se arvanitë quheshin banorët e përzier të Moldavisë dhe të Vllahisë, përkatësisht grekët, bullgarët dhe serbët, mendim ky i përkrahur edhe nga Fisher [Fisher: 1970].

Faik Konica, nën pseudonimin Thrang Spiro, “arnautin” e krahasonte me “arvanitë” dhe “albanasë” [Konica: 1898]. Të tjerët që e hedhin poshtë këtë tezë nisen nga karakteristika e osmanishtes, kur fjalët e huazuara i ka ruajtur të pandryshueshme. Dogromaxhi, për shembull nuk pajtohej definitivisht me mendimin se fjala arnavut është një shtrembërim i fjalës greke arvanit [Basha: 2000] dhe as se ka të bëjë fare me të. është sjellë edhe një mendim që lidhet me shekullin XII para erës sonë, kur jetuan tre perandorë me emrin arnuvanda (I, II dhe III), prej të cilit pastaj, sipas ligjit të metafizikës, doli sinonimi për shqiptarët – arnavudë!

Sidoqoftë, një mik i imi, njohës i mirë i gjuhës turke, më thotë se me “arnaut” u referohej shqiptarëve me një ndjenjë respekti të thellë për virtytet e tyre, si: mikpritja, trimëria, tradita, bujaria etj. Në kontestin e ngushtë ishte “i pakthyeshëm”, duke i dhënë atë shprehjen e përdorur: “është kokëfortë si arnaut!”. Edhe sot – më thotë miku – ata i mendojnë “arnautët” si njerëz të vendosur e të drejtë. Kur thua në Turqi “ben arnaut’um” [unë jam shqiptar], të shohin diçka më të meritueshëm. Kjo është edhe arsyeja që nga 27 kombet që jetonin në Perandorinë Osmane statusin më të lartë e kishin arnautët, që ndryshe i quanin edhe “nexhip” (fisnikë), e që i dhanë Perandorisë qindra njerëz të mëdhenj [KohaNet, 8. 3. 2013].

Ish Ambasadori shqiptar në Turqi, Z. Nesip Kaçi, e përshkruan një bisedë që e kishte pasur me Kryetarin e Këshillit të Lartë të Arsimit të Turqisë – Ihsan Dogramaxhi, i cili ia kishte shpjeguar kuptimin e arnautit: “Fjala arnavut vjen nga persishtja e vjetër, që do të thotë ‘që nuk kthehet prapa’” [Basha: 2000]. Një version i ngjashëm e derivon nga fjala “ue adna en la neud”, që do të thotë “i betuar për të mos u kthyer mbrapa”, titull ky që u është dhënë forcave shqiptare të cilat arritën ta merrnin qytetin e Keukebanit në Jemenin e largët. Në këtë kontekst arnauti demonstronte një karakteristikë të shqiptarëve, të cilët nuk i gjunjëzoheshin armikut edhe kur ishin më të dobët. Prandaj edhe ka mbetur ndikimi i fjalës arnaut inadi për të demonstruar inatin e fortë ose “arnaut lashmak” për kokëfortësinë [Koha Ditore 17. 8. 2012].

Konica jep edhe shpjegimin e Sir James Sedhouse në fjalorin turqisht-anglisht (1921) si “Arnautligi tuttu” – filloi t’i lëvizë gjaku ose vrulli i shqiptarit [Konica: 2010/73]. Por, Konica, çuditërisht shpesh synonte ta shëmtonte kuptimin për arnautin: “Pis Arnautllar”, “Ibne Arnautllar”, “Jabani Arnautllar”, “Hassiktir xhenabet Arnaut” dhe “Vur bu qerata Arnautllari” [Albania, #33-35/1909].

Ata që i kundërshtojnë tezat e mësipërme, zanafillën nuk e gjejnë te shqiptarët e osmanët, por në mesjetën e hershme, kur emri “arnaud” u bë një nga emrat më të përdorur në jug të Francës. Kështu u quajt djali i Kontit Ermenon dhe bijës së Dukës së Gaskonisë (l. 838). Falë famës që arriti, pas vdekjes (926), emri arnaud u bë sinonimi qëndresës dhe gëzoi një përhapje të gjerë. Historiani francez Le Roy Ladurie për fshatin Montaillou, që nuk kishte më shumë se 50 familje, i shënonte dhjetë prej tyre që e mbanin këtë mbiemër! Më pastaj shpjegojnë se “arnaud” rrjedh nga teutonishtja (gjermanishtja e vjetër) dhe në shqip merr kuptimin “kryeshqiponjë” osee fortë si shqiponjë”. Ata vazhdojnë të thonë se në Ballkan u shfaq nga periudha e Mesjetës, nëpërmes osmanëve, dhe nëse është kështu, nuk është çudi që ata ta kenë pasur në fjalorin e tyre këtë emërtim shumë kohë para se të kontaktonin me shqiptarët. Ndoshta këtë qëndrim e mbante edhe Bajroni kur shkruante: “Arnautët ose shqiptarët më lënë përshtypje të forta për ngjashmërinë e tyre me malësorët e Skocisë në veshje, në paraqitje dhe në mënyrën e jetesës” [Byron: 1935].

Këtu pastaj na dalin mendimet e arkeologëve anglezë, amerikanë, gjermanë dhe turq, të cilët na japin një pasqyrim të ndryshëm për dyndjet e hititëve, që përfaqësonin një fis të veçantë të ilirëve që u shpërngulën nga Ballkani i Epërm [Dardania] kah brigjet perëndimore dhe veriore të Detit të Zi, në Kaukaz dhe në Anadollin Qendror. Ata qenë që ua sollën ballkanasve teknikat e xehetarisë dhe metalurgjisë rreth vitit 2000 p.e.s.! Në shekullin e shtatë para erës sonë përmenden tre perandorë me emrin arnuvanda, prej të cilit – sipas ligjit të metastezës – u krijua njëra nga sinonimet për shqiptarët – aranavud. Disa prej tyre mendojnë se arnautët ishin “të zotë”. Amerling-u, për shembull, i përmend prej tyre individë të shquar, si: në Greqinë e lashtë, në Perandorinë Bizantine, por edhe në Perandorinë Osmane [Amerling: 1879/449], pa përmendur një numër të madh të elitës shtetërore osmane. Natyrisht, që ishte një arsye për këtë. Beaujour-i, si edhe burimet gjermanofone, i përshkruanin si “më të mirët e ushtarëve të Turqisë Evropjane” [Beaujour: 1829; Zenelaj: 2010/152], ndërsa Karl Fridrich Maye shihte si: “i krisur deri në guximin më të madh”[May: 1885].

Zamputi e përmend Amedeo’n, i cili prej vitit 1567 thoshte se populli që ai e quante veten “arbër”, në Perandorinë Osmane quheshin “arnautë” [Zamputi: 1989/dok. #218/219-253]. Shumë prej të tillëve pastaj u njohën me këtë epitet, si: Arnavut Koxha Sinan Pasha, Arnavut Dukagjinzade Jahja Beu, Arnavut Abdi Pasha etj. [Shenja 11. 6. 2011]. Një mik i imi në spital kishte takuar një mjek, që e kishte mbiemrin “Arnauti”. Në pyetjen e mikut ai i shpjegon: “Jam me origjinë shqiptare nga Algjeria”. Duket pra se ky emërtim ishte një krenari shumë e madhe, pasi kudo që shkonin e vendoseshin shqiptarët, e përvetësonin mbiemrin “Arnauti”. Shumica e shqiptarëve të Sirisë e kanë rezervuar për familjet e veta këtë mbiemër, madje disa flasin madje për shtatë mijë të tillë.

Dokumentet austriake të shekullit XVII flasin për një numër të madh arnautësh që luftonin për Austrinë kundër osmanëve [Fjala: 2-9. 10. 2005/3]. Për rumunët arnautët ishin shqiptarët që shërbenin si trupa special të elitës së periudhës osmane, shpesh si garda ”pretoriane” të familjeve princore të Rumanisë. Në fundshekullin XIX dhe fillimshekullin XX në Bukuresht mund ta shihje fotografinë e një arnauti me kostum kombëtar të malësorit, me pisqolla e jatagan në brez, me xhamadanin e qëndisur, me qeleshe në kokë e me opingat e veçanta. Mustaqet e tij me bishta të kthyer lartë simbolizonin besnikërinë dhe sigurinë. Ndërkaq në xhaminë Bajraktarli në Prizren u organizua konferenca kombëtare “Itihad-i Arnavut” [Bashkimi Shqiptar] prej nga doli Lidhja Shqiptare e Prizrenit.

Për ata që besojnë se osmanishtja ishte një përzierje e turqishtes me persishten dhe arabishten, rrënja e termit arnaut mund të burojë nga arabishtja, që pastaj ta kenë marrë osmanët! Ne nuk gjejmë ndonjë arab që ta përdorë këtë emërtim për shqiptarin, por në fjalorin e gjuhës arabe figuron “ar-naud”, që lidhet me një mori legjendash. Një e tillë tregohet nga arnautët e Sirisë dhe daton nga koha e kalifit të dytë Omer (634-644), kur mbreti i Shamit, Ibnul Ejhem el Gasani, ishte bërë musliman dhe kishte vendosur ta bënte pelegrinazhin në Mekë. Atje, tek bënte rrotullimin rreth Qabesë, një pelegrin tjetër gabimisht shkelë mbretin, ndërsa mbreti, në reagimin e parë, i bie shuplakë. Çështja iu shtrua drejtësisë, e cila e gjykoi rastin që shkelësi t’ia kthente mbretit me një shuplakë. Pastaj, tek kërkoi sqarime se si një njeri i rëndomtë mund t’i bjerë shuplakë një mbreti, ai mori përgjigjen: “kjo është drejtësia islame – një për një”. Por, mbretit i erdhi inati dhe u largua prej Islamit. Meqë u ndie i turpëruar, nuk u kthye në mbretërinë e tij, por shkoj në vendin e shqiptarëve, që ishte nën Perandorinë Romake, ku sërish e pranoi Islamin. Të afërmit e ftuan të kthehej te mbretëria e tij, por ai u tha: “arnaud”, në kuptimin: “turp me u kthye”.

Në shënimet e Çelebiut rrëfimi është pak më ndryshe. Ai thotë se në kohen e kalifit Omer një sheikh arab me emrin Jabal’i Alhama i fisit Kurejsh të Mekës ia nxori syrin një sheiku arab, i cili shkoi pastaj te kalifi Omer për t’ia kërkuar të drejtën kuranore (5: 45)! Kur i thanë Jebalit, ai tha: ”Oh Omer, nëse është kështu, unë e respektoj ligjin dhe vetë do ia nxjerr vetes syrin”. Por, ai iku, duke mos pasur dëshirë ta kryente detyrimin e fjalës së dhënë dhe duke thënë: ar-na-bud [s’ka ndonjë turp]. Tregimi pastaj vazhdon se si kalifi i vuri në ndjekje 40.000 luftëtarë muslimanë, se Alhama u arratis me një anije deri në tokat e mbretërisë spanjolle. Kur i tha mbretit se ishte një fis i Kurejshitëve, ai ia dhuroj malet e pabanuara të Dukatit, Progonit e Frengisit, të regjionit të Vlorës e Delvinës, për të jetuar në to. Për një kohë të shkurtër ata u shtuan dhe duke u përzier me frankët, krijuan gjuhën shqipe nga një përzierje e frëngjishtes me arabishten (!?). Meqë nuk u desh ta nxirrte syrin, ata thanë “Ar-na-bud” (nuk duhet të ketë turp). Meqë ata e patën prejardhjen prej Kurejshitëve (Quraysh), malet ku po banonin i emërtuan si Quryelesh (malet e Kurveleshit) ose malet e Kurejshit [Dankof&Elsie: 2000/65]. Çelebiu thotë pastaj se Jabal Alhama vdiq si musliman dhe u varros jashtë qytetit të Elbasanit dhe këtë shqiptarët e kujtojnë për të parin e vet! Pasardhësit e tij u përzien me frankët dhe e mohuan librin. Në historinë e Tuhvas, ka informata më të hollësishme për këtë fis arab – thotë Çelebiu [Dankof & Elsie: 2000/189-191].

Një tjetër legjendë thotë se një familje e Kurejshitëve ia kishte kushtuar jetën thirrjes në Islam dhe prandaj ishte vendosur në tokat e shqiptarëve. Kjo familje e solli me vete edhe termin “arnaud”, të cilin pastaj e përvetësuan shqiptarët që i gjeti aty. Identik është edhe rrëfimi i një grupi njerëzish të cilët paskëshin qenë vendosur këtu për të njëjtin qëllim dhe për të përcaktuar këto vende thoshin “te arnautët”. Legjenda e tretë e këtij rangu lidhet me kohën kur u përhap feja, kur një ushtri e vogël paskësh ardhur në Ballkan dhe paskëssh pësuar disfatë nga shqiptarët. Komandanti i tyre pastaj i pyeti Helmud [a po kthehemi], ndërsa ata i thanë arnaut [jo, nuk po kthehemi].

Një version tjetër i kësaj legjende lidhet me një princ të Shamit (Siri), i cili për shkak të disa mosmarrëveshjeve me mbretin, iku dhe u vendos në tokat e shqiptarëve. Pasi vdiq mbreti, i çuan fjalë të kthehej, por ai u tha “Ar-na-ud”, që do të thotë “turp të kthehemi”. Në lidhje me Shamin është edhe legjenda që ka të bëjë me fisin e krishterizuar arab të Banu Ghasaneve, të udhëhequr nga Xhabal bin Al-Ahyan, i mbiquajtur Arnaut, të cilët u larguan nga Shami kur e morën muslimanët atë vend dhe u pritën nga Perandori Kostandin II në Maqedoni. Disa madje spekuluan se Perandori Nikoforus I ishte vetë pasardhës i tij.

Pavarësisht miteve dhe legjendave që janë thurur për arnautin, ne nuk mund të mos e përmendim këtu edhe pretendimin se me epitetin “Arun en Neud” (turp të kthehemi prapa) shqiptarët i emërtoj Sulltan Selimi I, i cili – duke i njohur si trima – kishte konsideratë tejet të lartë për shqiptarët! Ka plot dëshmi të besueshme se të qenit “arnaut” nuk ishte fyerje, por krenari. Pas marrjes së Shqipërisë nga Sulltan Mehmet Fatihu II, shumë shqiptarë u vendosen në një pjesë të Stambollit dhe pasi e mbipopulluan atë vend, e emërtuan me emrin “Arnavutköy” [Arnavut – shqiptar dhe köy – fshat, pra “Fshati Shqiptar”]. Edhe pse shqiptarët u larguan pastaj nga kjo zonë, ky vend edhe sot e mban këtë emërtim. Arnautët e Turqisë sot përbëjnë numrin më të madh të shqiptarëve në botë [KohaNet, 8. 3. 2013]! Atje janë pasardhësit e dhjetëra mijë arnautëve nga Sanxhaku i Nishit, të dëbuar në vitet 1877-1878.

Në Damask, në fillim të shekullit XX, kishte shumë lagje që quheshin “Lagja e Arnautëve(Mëhalla e Arnautëve), ku gjendej edhe “Xhamia e Arnautëve” dhe ku sot jetojnë mbi 10 mijë arnautë [Telegraf, 29. 7. 2002]. Edhe në Bosnjë e Hercegovinë ka fshatra me prejardhje shqiptare, si: arnautët në Zenicë, Arnautoviq në Visokë, etj [Ura, #5/2010].

Të mos lëmë pa përmendur këtu edhe takimin e arnautëve në Bejrut [27.2.2013], të organizuar nga “Sawt Arnaout International for Culture and Art” dhe të mbajtur në ndërtesën e UNESCO-s. Në këtë takim morën pjesë dhe diskutuan arnautë nga Libani, Siria, Iraku, Egjipti, Tunizia dhe Palestina. Në mos asgjë tjetër, ky takim tregon se numri i arnautëve në këto vende nuk është i vogël dhe se ata vetë gjithherë kanë parapëlqyer dhe kanë mbetur krenarë me emrin “arnauti”. Po të ishte vërtetë term fyes, pse gjithë kjo dëshirë për t’u quajtur Arnaut!?/ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne