Themeluesi i WikiLeaks-it, Julian Assange është arrestuar sot brenda ambasadës së Ekuadorit në Londër, bëri të ditur policia metropolitane, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një kumtesë të policisë britanike thuhet se “Julian Assange (47) është arrestuar sot nga oficerët e Shërbimit Policor Metropolitan (MPS) brenda ambasadës së Ekuadorit në bazë të një urdhri të lëshuar nga Gjykata Penale më 29 qershor të vitit 2012 për mosparaqitje në gjykatë”, thuhet në kumtesë.

Policia shton më tej se Assange është dërguar në paraburgim në një stacion policie në Londër, ku do të mbetet deri në kohën kur do të paraqitet para gjykatësit Penal në Westminster.

Siç thotë policia, ata kishin për detyrë të zbatojnë urdhrin, ndërsa informon se brenda ambasadës janë futur me ftesë nga ambasadori, si rrjedhojë e pezullimit të azilit nga qeveria ekuadoriane”.

Themeluesi i WikiLeaks u dëbua nga ambasada e Ekuadorit në Londër, e cila shërbeu si një shtëpi e tij për gati 7 vjet.

Australiani Assange, programues, gazetar dhe aktivist, është themelues i WikiLeaks-it, organizatë e cila publikon informacione sekrete dhe dokumente të klasifikuara nga burime anonime “denoncuese”.

Gjykata britanike në vitin 2012 vendosi për ekstradimin e tij në Suedi ku akuzohet për përdhunim të dy femrave në vitin 2010.

Pas vendimit për ekstradim, Assange i cili ndodhej në Britani, u strehua në Ambasadën e Ekuadorit në Londër për shkak të rrezikut se mund të dërgohej në SHBA në rast se do të ekstradohej në Suedi.

Në muajin maj në Suedi ishte anuluar procesi gjyqësor ku Assange akuzohet për përdhunim./ trt

11