Arsimi profesional, drama e tregut të punës

Fuqia punëtore e Shqipërisë tani është në moshën e artë, por mungesa e aftësive profesionale dhe mospërshtatja me kërkesat e teknologjisë së kohës po bëhet shkak që modeli ekonomik të orientohet nga “skllavërimi”, ku shitja e lirë e krahut të punës dominon në ofruesit e mallrave dhe shërbimeve. Zhvillimi në këtë mënyrë, përveçse po mban të ndrydhur vlerën e shtuar të ekonomisë, po zbeh perspektiven për të ardhmen.

Arsim profesional

Vetëm dy vite më parë, kompanitë CapCon, Johnson Control dhe Lear Coporation, me aktivitet në prodhimin e aksesorëve për industrinë automative, kanë dështuar të hapin linjat e tyre në Shqipëri për shkak të mungesës së krahut të kualifikuar të punës, duke zhvendosur më pas projektet në Maqedoni. Kompanitë tashmë kanë investuar miliona euro në vendin fqinjë dhe kanë punësuar mijëra persona me paga mujore mbi 500-600 euro. Gazsjellësi TAP, për të njëjtat arsye, ka kontraktuar një pjesë të madhe të fuqisë punëtore të specializuar nga jashtë.

Vendet fqinjë, kur dolën nga regjimet komuniste, ruajtën modelin e arsimit profesional dhe nuk i shkatërruan fabrikat. Shqipëria, edhe 27 vite pas terapisë së shokut, vijon të zhvillohet pa një model ekonomik të orientuar, ndërsa sot e kësaj dite arsimi profesional po zhvillohet pa asnjë lidhje me tregun e punës.
Në tre anketa që Shërbimi Kombëtar i Punësimit ka bërë në vitet 2008, 2010 dhe 2012 me bizneset, ka gjetur se mungesa e aftësive është e pranishme në të gjithë sektorët e ekonomisë. Këshilli i Investimeve, në një anketë që zhvilloi vitin e kaluar, referoi se mungesa e kualifikimit të punonjësve ishte një ndër gjashtë shqetësimet kryesore.

Kualifikimi jo i përshtatshëm i forcës së punës ishte një nga problemet kryesore në bizneset e agro-përpunimit, në industrinë përpunuese e nxjerrëse, dhe në industrinë energjetike. Ndërsa kultura e punës u referua si një problem madhor për gjysmën e bizneseve në sektorin e bujqësisë, tregtisë, hotelerisë e restoranteve, si dhe në sektorin arsimor.
Një ekspert me përvojë në sektorin e arsimit profesional që preferoi të komentonte duke ruajtur anonimatin, thotë se mungesa e një hallke që të lidhë nevojat e tregut të punës me arsimin profesional është emergjente. Ai sugjeron ngritjen e një strukture që të orientojë numrin e nxënësve me nevojat që ka ekonomia.

Qeveria Rama e ka vënë arsimin profesional në krye të prioriteteve të sektorit arsimor, por në realitet struktura e shpërndarjes së shkollave është gati e njëjtë me atë të para viteve ‘90. Trupa mësimore nuk është e kualifikuar me nevojat e kohës, ambientet dhe laboratorët e praktikave mësimore janë krejt të vjetruara, ndërsa arsimi profesional ndiqet nga nxënësit më të dobët të ciklit nëntëvjeçar. Nota mesatare në drejtimet profesionale të elektronikës, TIK, informatikës, mekanikës ishte poshtë 6-s këtë vit që u mbyll, një tregues jo pozitiv për aftësitë që tregu i punës kërkon.
Zhvillimeve kaotike që po kalon arsimi profesional aktualisht i përgjigjen projeksione jo shumë optimiste në të ardhmen.

Informacionet demografike tregojnë se numri i nxënësve që pritet të regjistrohen në arsimin e mesëm (klasa 10) do të zbresë nga 60,139 (për grupin e personave të lindur në vitin 1998) te 39,612 (për ata të lindur në vitin 2005). Ministria e Mirëqenies Sociale, në një raport strategji për arsimin profesional 2014-2020, referon se për shkak të zhvillimeve demografike, shkollat profesionale do të përballen me një rënie të numrit në masën 55% midis viteve 2013 dhe 2020. Në vitin arsimor 2016-2017 u regjistruan në shkollat profesionale 20,981 nxënës, me një rënie të lehtë nga viti 2015-2016. Mirëpo nga regjistrimi në diplomim, firot janë shumë të mëdha. INSTAT raportoi se, për vitin shkollor 2014-2015 në shkollat profesionale e morën dëftesën e pjekurisë vetëm 4702 nxënës.

Por eksperti i arsimit profesional pohon se, me gjithë problematikën në të cilën përballet sektori, të dhënat tregojnë se të papunët me arsim profesional janë në përqindje më të ulët në raport me kategoritë e tjera. Të papunët me arsim profesional janë vetëm 11% sipas të dhënave të 2016-s, teksa kjo përqindje është më shumë se dyfishi në të papunët me arsim të përgjithshëm.
Ndonëse nuk ka një sistem gjurmueshmërie për integrimin e atyre që mbarojnë arsimin profesional me tregun e punës, të dhënat indirekte tregojnë se kjo kategori ka pasur më shumë shanse të punësohet.

Nuk do të kalojnë edhe shumë vite kur brezi i punonjësve të arsimuar para viteve 1990 do të dalë në pension dhe atëherë kambanat e alarmit do të bien në të gjithë sektorët me aftësi profesionale të drejtuara. Të arsimuarit e pas viteve 1990 nuk janë në gjendje t’u përgjigjen nevojave të kohës as në numër dhe as në cilësi. Sot, arsimi edhe në vende të zhvilluara po përballet me dilema të mëdha, pasi teknologjia po avancon me hapa më të shpejta se kurrikulat mësimore dhe modelit klasik të orëve teorike do t’i duhet përshtatje.

Praktika mësimore profesionale, që në 9-vjeçare

Ekspertët, ndër të tjera, sugjerojnë përfshirjen e praktikave mësimore me drejtim profesional që në nivelin 9-vjecar të arsimit. Lëndët e praktikës, si qepjet për vajzat dhe punët me dru dhe metal për djemtë në shkollat tetëvjeçare shumë vite më parë kanë drejtuar shumicën e talenteve për kualifikimet e mëvonshme.

Mungesa e orientimit të saktë me nevojat e tregut pas viteve 1990 ka bërë që nxënësit e shkëlqyer në nivelin e mesëm të vijonin arsimin e lartë për shkenca sociale, ekonomi, juridik, etj., teksa degët e inxhinierisë dhe shkencat ekzakte u mbushën me studentë që rezultatet i kishin shumë poshtë mesatares, kur duhet të ndodhte e kundërta. Por ndryshime demografike të tilla si rënia e numrit të lindjeve dhe emigracioni i lartë ndër të rinjtë po krijon rreziqe shtesë ndaj forcës së kualifikuar të punës. Në këtë mjedis të vështirë, Shqipëria vijon të ketë financimet më të ulëta në rang europian për arsimin në më pak se 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) vitin e kaluar, teksa arsimi profesional mbetet më i nënfinancuari në të gjitha nivelet e shkollimit.

Arsimi profesional, pa lidhje me tregun e punës

Sipas një anketimi të Bankës Botërore publikuar vitin e kaluar, Shqipëria ka numrin më të lartë të firmave në vendet e Europës Juglindore (36%), që raportojnë se forca e punës nuk zotëron aftësitë që ato kërkojnë. Ndërsa statistikat kombëtare të tregut të punës tregojnë se 14% të të punësuarve nuk u përputhet profesioni me arsimimin.

Sektori bujqësor dhe sektori i shërbimeve patën përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 40,2% dhe 40,4% më 2016, gjithsej rreth 800 mijë persona. Por, të dhënat mbi regjistrimet në arsimin profesional tregojnë se vetëm 900 nxënës në të gjithë vendin vendosën të ndjekin arsimin e mesëm për bujqësi dhe peshkim në vitin shkollor 2016-2017. Në sektorin e turizmit janë të punësuar rreth 60 mijë persona, por në hoteleri-turizëm u regjistruan 2465 nxënës në vitin shkollor që u mbyll. Ndërsa për degët e së ardhmes, që kanë lidhje me teknologjinë e informacionit, mekanikën dhe robotikën, si dhe elektronikën, numri i nxënësve është shumë i ulët. Në vitin 2016-2017, në këto degë ishin të regjistruar rreth 3600 nxënës, numër ky i mjaftueshëm sa për një kompani normale me aktivitet në TIK dhe IT.

Në një bilanc që Ministria e Mirëqenies Sociale ka bërë për nevojat e punësimit në sektorë të ndryshëm, ka gjetur se në biznese të tilla si bujqësia dhe agro-përpunimi, prodhimi i veshjeve dhe këpucëve, turizmi, ndërtimi, transporti, komunikacioni, energjia, si dhe në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit ka mungesë specialistësh e teknikësh.
Ka shumë pak të diplomuar në fushat mjaft të kërkuara, si për shembull teknologë, kontabilistë, agronomë, menaxherë prodhimi, inxhinierë tekstilesh, inxhinierë mekanikë, specialistë të TI, analistë dhe programues. Përveç kësaj, programet universitare janë kryesisht teorike dhe kanë mangësi për sa u përket aftësive praktike.

Nga ana tjetër, ka një numër të madh të diplomuarish në degë të tilla, si studime arsimore, administrim biznesi, financë, juridik, gjuhë angleze, histori dhe gjeografi. Ky rezultat çon te shtrembërimi i tregut të punës, te mungesa e ofertës së punës, ndërkohë që ka kërkesë për punë dhe mbiofertë në fusha të tjera për të cilat ka më pak kërkesë.
Vrojtimet e Ministrisë së Mirëqenies tregojnë se më shumë se 50% e nxënësve të diplomuar në Arsimin dhe Formimin Profesional (AFP-të) paraqesin kërkesë për studime universitare dhe shumë nga ata regjistrohen në universitete private, edhe në profile që nuk kanë asgjë të përbashkët me profilet, të cilat i ndoqën në shkollat profesionale.

Në një analizë të posaçme për arsimin profesional referohet se sektori vijon të jetë i paorientuar me nevojat e tregut të punës.
“Nuk është ndërmarrë asnjë analizë sistematike e tregut të punës për të vlerësuar se cilat janë kualifikimet e kërkuara dhe se si mund të bëhet përshtatja dhe planifikimi i kurseve në të ardhmen. Shumë pak biznese bashkëpunojnë me shkollat për organizimin e orëve të praktikës për nxënësit”, analizon Ministria e Mirëqenies. Në të gjitha rastet, drejtorët e shkollave pohojnë se bordet janë thjesht organe shumë formale, duke pasur parasysh mënyrën se si janë krijuar dhe se si e ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Këto borde përfshijnë edhe përfaqësues nga biznesi, të cilët nuk luajnë ndonjë rol të rëndësishëm në proceset e vendimmarrjes.

Qëndrimi i bizneseve larg shkollave të arsimit profesional dhe anasjelltas, përbën një nga problemet kryesore në këtë sistem dhe të gjitha masat e marra deri tani për ta trajtuar këtë problem, kanë dështuar pothuajse. Emrat e shkollave janë kryesisht ato të trashëguara nga regjimi komunist dhe janë shumë shpesh pa lidhje me profilet aktuale që këto shkolla ofrojnë. Më tej, analiza që vetë qeveria ka bërë tregon se, edhe menaxhimi, metoda dhe kultura e mësimdhënies janë shumë larg nga ato që gjenden në sistemet e përparuara të arsimit profesional. Shumica e nxënësve, të cilët regjistrohen në shkollat profesionale, janë persona me rezultate të ulëta shkollore. Shumë prej tyre mendojnë se është më e lehtë të kalosh klasën në shkollat e AP-së.

Infrastruktura primitive

Përvojat ndërkombëtare tregojnë se infrastruktura e praktikave në shkollat profesionale duhet të jetë më e përparuar se zhvillimet e kohës. Një nxënës që nis studimet për elektronikë përgatitet për nevojat që tregu i punës ka së paku pas pesë vitesh. Në kohët e sotshme, teknologjia përparon me ditë, ndërsa ndër vite ndryshimet janë të mëdha. Kjo është vështirësia më e madhe e shkollave profesionale me drejtim në teknologji, shpjegojnë ekspertët.

Për të pasur një funksion të përshtatshëm të kurrikulave mësimore, shkollat e arsimit profesional kërkojnë fonde të mëdha në dispozicion. Raportet e shpenzimeve mes shkollave të përgjithshme dhe atyre profesionale janë 1 me 3, për shkak se ushtrimi i praktikave dhe laboratorëve kushton.
Në këto vite të tranzicionit, buxheti i shtetit nuk ka pasur fonde të mjaftueshme për investime në klasa pune, të cilat do të garantonin zhvillimin e aftësive të duhura praktike për nxënësit e AFP-së. Por gjithashtu alarmante konsiderohet edhe gjendja e mësuesve. Mosha e mesatare e mësuesve teknikë i kalon të 50-tat dhe shumica e tyre i janë afruar pensionit.

Shumë prej tyre kanë kualifikim të ulët për sa u përket njohurive dhe kompetencave të nevojshme për të zbatuar programin dhe u mungon kualifikimi dhe trajnimi paraprak, si dhe ai gjatë kohës së punës etj., sipas raporteve lidhur me këtë çështje. Shkaktari kryesor i kësaj situate janë pagat e ulëta, të cilat nuk motivojnë specialistët dhe teknikët e lartë për të punuar në arsimin profesional. Megjithatë, vitet e fundit, po punohet me disa projekte pilot që drejtohen nga donatorë të huaj.
Janë katër shkolla projekt pilot në Berat, Lezhë, Tiranë dhe Vlorë të atashuara në një program austriak. Ky program funksionon për aplikimin e praktikave mësimore në biznese, lëndët mësimore digjitale në distancë dhe shërbim-këshillim. Këto shkolla tashmë kanë lidhur kontratat me biznese të mëdha të fushës së turizmit dhe ndërtimit për praktikat mësimore.

Arsimi profesional 5 – 797Cilësia shumë e dobët

Nota mesatare në arsimin profesional u luhat rreth 6-s në vitin shkollor 2016-2017. Sipas të dhënave zyrtare, rezultatet më të dobëta në arsimin profesional i kanë drejtimet profesionale të ndërtimit, elektronikës, mekanikës, administrim biznesi, termohidraulikë. Ndërsa nota mesatare nga 6-6.4 vijon për shumicën e profesioneve, për të cilat studiohet.

Nota më e lartë mesatare për vitin që u mbyll rezultoi për drejtimet profesionale të shërbimeve sociale dhe shëndetësore me 6.9, veterinarisë me 6.8, ekonomi-biznes me 6.6 dhe ekonomi bujqësore me notë mesatare 6.5.
Banka Botërore, në të dhënat krahasuese për arsimin vitin e kaluar, ka gjetur se në Shqipëri, 60% e të rinjve janë analfabetë funksionalë në matematikë. Banka ka vlerësuar se të rinjtë shqiptarë kanë arsimim me cilësi të ulët dhe për rrjedhojë përballen me faktorë shkurajues dhe pengesa në tregun lokal të punës. Në rajon, analfabetët në matematikë janë më pak se 60% në Malin e Zi. Në Bullgari, analfabetizmi në shkencat ekzakte është 42%, në Rumani 40%, në Serbi rreth 39%, në Greqi 38%, ndërsa mesatarja e vendeve të zhvilluara për këtë tregues është rreth 14%.

Banka Botërore ka vërejtur se në Shqipëri, pagat për arsimin e mesëm janë të ulëta. Niveli i pagës është i lartë për arsimin universitar krahasuar me arsimin fillor (50%), por arsimi i mesëm nuk ka përfitim në tregun lokal të punës, për shkak edhe të emigracionit të lartë. Nga një anketim për nevojat e projeksioneve arsimore, Ministria e Arsimit ka gjetur se 40% e nxënësve nuk janë në gjendje t’i përgjigjen asnjë pyetjeje të thjeshtë në lidhje me produktet, taksat, çmimet dhe hapat e nevojshëm për ngritjen e një aktiviteti biznesi. Për nxënësit e arsimit profesional, cilësia e nxënies shihet edhe më alarmante pasi ata duhet të kenë njohuri të thelluara përtej të shkruarit, lexuarit dhe aftësive matematike.

Financimet mungojnë

Në themel të të gjithë problematikës që paraqet sistemi arsimor në drejtimin profesional është niveli i ulët i financimeve. Shqipëria vijon të shpenzojë pak për arsimin, duke dhënë më pak se 3% të fondeve në raport me PBB-në, niveli më i ulët në rajon.

Të dhënat e detajuara për buxhetimin e fondeve për arsimin tregojnë se më shumë se 60% e tyre shkojnë për financimin e arsimit fillor, ndërsa arsimi profesional ka financimet më të ulëta, të cilat nuk i kalojnë të 6% të fondeve që shkojnë për arsimin, teksa duhet të ishte e kundërta për shkak të programit dhe kurrikulave që ka. Totali i fondeve për arsimin profesional këtë vit është 1,9 miliardë lekë, me një ulje të lehtë në krahasim me vitin 2016. Rreth 70% e fondeve shkojnë për paga dhe sigurime shoqërore dhe ato që mbeten duhet të mbulojnë infrastrukturën shkollore.

Arsimi dhe formimi teknik-profesional ofrohet në rreth 53 shkolla, nga të cilat 9 janë private, kryesisht të gjitha me vendndodhje në zonat urbane. Shumica e shkollave ofrojnë dy deri në katër profile, ndërsa më shumë se një e katërta ofrojnë më shumë se tetë zgjedhje profesionale. Numri mesatar i nxënësve për shkollë është 300. Djemtë përbëjnë shumicën e studentëve të arsimit profesional, me numrin e vajzave me prirje në rënie. Sipas të dhënave nga Ministria e Mirëqenies, shumica e vajzave e shfrytëzojnë arsimin profesional si një rrugë drejt arsimit të lartë (mbi 79% e vajzave të diplomuara nga arsimi profesional regjistrohen në universitet, në krahasim me 39.2% të djemve), ndërsa djemtë kryesisht hyjnë në tregun e punës pas diplomimit.

Vetë arsimi profesional po orientohet nga prodhimi drejt profesioneve të shërbimit (ekonomi, menaxhim, hoteleri, turizëm, dhe TIK).
Por përveç shkollave profesionale të mesme ka edhe mbi 340 subjekte private të licencuara, 30 nga të cilat janë Qendra të Formimit Profesional që drejtohen nga shteti. Këto institucione japin certifikata që njihen, por ende nuk ekziston një sistem monitorimi për të vlerësuar standardet e formimit, që ato ofrojnë dhe cilësinë e njohurive që ato japin.

Ofruesi kryesor i kualifikimit për të rritur në Shqipëri janë ndërmarrjet që ofrojnë punë dhe kurse të veçanta, që zgjasin nga 1 deri në 3 muaj.
Ministria e Mirëqenies referon se, ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha janë më aktivet në ofrimin e kualifikimit dhe sasia më e madhe e formimit ofrohet në tregti, riparim makinash, në industrinë nxjerrëse, energjetike dhe përpunuese.

Shpërndarja gjeografike e shkollave profesionale dhe e qendrave të kualifikimit për të rritur tregon se shumica e institucioneve publike profesionale janë në pjesën qendrore, aty ku edhe përqendrimi i popullsisë është më i lartë. Zonat rurale janë krejtësisht të pambuluara nga shërbimet publike të arsimit dhe kualifikimit. Qendrat e kualifikimit profesional ofrojnë si kurse të shkurtra 4-6 javë, ashtu edhe të gjata (deri në shtatë muaj). Kryesisht këto kurse synojnë individët e papunë të regjistruar në Shërbimin Kombëtar të Punësimit ose jo, por kurset janë të hapura edhe për punëtorët dhe studentët, në varësi të nevojave të tyre për kualifikim.

Ndikimet demografike, trupa e nxënësve në tkurrje drastike

Shqipëria është duke kaluar një tranzicion të thellë demografik për shkak të rënies së numrit të lindjeve dhe emigracionit të lartë. Në periudhën mes dy censuseve 2001-2011, popullsia pësoi një rënie prej 8%, ngaqë pothuajse një gjysmë milion individë emigruan jashtë vendit. Pjesa e fëmijëve nën moshën 15 vjeç nga mbi 29% në vitin 2001 ra në 18% në vitin 2017, ndërsa pjesa e personave që i përkisnin moshës 65 vjeç e sipër u rrit nga 7.5% në vitin 2001 në 13.8% në 2017. Pjesa e popullsisë në moshë pune parashikohet të rritet deri në vitin 2020, dhe më pas pritet rënie. Kështu, një numër më i vogël njerëzish do të duhet të mbulojnë grupe gjithnjë e më të mëdha të moshuarish, duke paraqitur kështu një numër sfidash në arsim, tregun e punës dhe në politikat sociale. Rritja e forcës së punës në sektorin formal, duke shfrytëzuar potencialin e forcës femërore të punës, do të përbënte një nga alternativat e qarta për t’iu përgjigjur sfidave aktuale demografike.

Projeksionet arsimore tregojnë që numri i nxënësve që pritet të regjistrohen në arsimin e mesëm (Klasa 10) do të zbresë nga 60,139 (për grupin e personave të lindur në vitin 1998) te 39,612 (për ata të lindur në vitin 2005). Ministria e Mirëqenies Sociale, në një raport strategjik për arsimin profesional 2014-2020, referon se për shkak të zhvillimeve demografike, shkollat profesionale do të përballen me një rënie të numrit në masën 55% midis viteve 2013 dhe 2020. Në vitin arsimor 2016-2017 u regjistruan në shkollat profesionale 20,981 nxënës, me një rënie të lehtë nga viti 2015-2016.

Gjithashtu, numri i nxënësve që ndoqën arsimin 9-vjecar gjatë vitit të kaluar shënoi rënien vjetore më të madhe që nga viti 1991, duke dhënë sinjale alarmi se forca e re e punës në Shqipëri do të vihet në vështirësi në dekadën në vijim. Sipas të dhënave të INSTAT, vitin e kaluar, numri i nxënësve që ndoqën arsimin 9-vjecar në vitin 2015-2016 ra me 5.4% në raport me vitin 2014-2015, tkurrja më e fortë në 26 vitet e fundit. Në të gjithë vendin, arsimi 9-vjeçar u ndoq nga më shumë se 343 mijë nxënës në 2016, nga më shumë se 363 mijë nxënës që ishin në vitin në 2015.

Formimi profesional, përtej shkollës së mesme

Kuadri aktual i arsimit dhe formimit profesional, si dhe ai i arsimit të lartë, parashikojnë mundësinë e paraqitjes së programeve pas-dytësore. Sipas Ministrisë së Mirëqenies, programe të tilla u drejtohen të diplomuarve nga gjimnazet, të cilët nuk regjistrohen në universitete dhe nuk kanë asnjë kualifikim të nevojshëm në tregun e punës, dhe të diplomuarve nga shkollat profesionale, të cilët dëshirojnë të marrin një kualifikim të përparuar profesional. Paraqitja e programeve të AFP-së pas-dytësore filloi në vitin 2007, por është ende në fazë fillestare. Ende nuk ka një program të AFP-së pas-dytësore “me të drejta të plota” dhe të krijuar si pjesë e sektorit të AFP-së. Megjithatë, një model funksional i këtij programi gjendet në shkollën profesionale “Beqir Çela” në Durrës, e cila ofron pjesën praktike (50%) të AFP-së pas-dytësore në fushën e informatikës së zbatuar, ndërsa pjesa teorike (50%) ofrohet nga Kolegji Profesional i Universitetit të Durrësit. Deri më sot, programet e AFP-së pas-dytësore janë zhvilluar kryesisht si pjesë e sektorit të arsimit të lartë. Shembulli më i përparuar i zbatimit të AFP-së pas-dytësore ishte Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP) në Universitetin e Durrësit, i cili kombinoi të nxënit teorik në fakultet me të nxënit praktik në kompani.

Përveç kësaj, Universiteti Bujqësor në Tiranë, në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor në Lushnjë, ofron një Diplomë profesionale dyvjeçare (jo universitare) në fushën e menaxhimit të veterinarisë. Universiteti i Elbasanit ofron një Diplomë profesionale dyvjeçare (jo universitare) për teknikë laboratori. Kolegji Profesional privat “New Generation”, Akademia private e Ndërtimit, ofrojnë nga dy programe të AFP-së pas-dytësore secili. Universiteti Politeknik i Tiranës ofron një kurs kualifikimi të nivelit pas-dytësor për mësuesit e arsimit profesional në shkollat e arsimit të mesëm, si dhe për punonjës të kompanive tekstile. Janë përgatitur edhe programe të tjera të AFP-së pas-dytësore, të cilat janë gati për zbatim, si për shembull një program pas-dytësor dyvjeçar për infermieri në Shkollën e Studimeve Profesionale në Universitetin e Durrësit, një program i AFP-së pas-dytësore me kohë të pjesshme në Universitetin privat POLIS etj.

Synimet në lëmin profesional, deri më 2020

Qeveria shqiptare synon që deri në vitin 2020, numri i nxënësve që ndjekin programe të AFP-së të arrijnë deri në 25% të totalit të nxënësve, që ndjekin arsimin e mesëm, nga 16.5% që janë aktualisht.
Gjithashtu synohet rritje 4% e numrit të popullsisë së rritur që merr pjesë në të nxënit gjatë gjithë jetës dhe rritja e shkallës së punësimit të pjesëmarrësve në kurset e shkurtra të formimit profesional në 55%.

Sipas planit të veprimit të qeverisë, kjo do të arrihet duke shtuar investimet për arsimin dhe formimin profesional me 30% në vitin 2020. Nga ana tjetër, produktiviteti më i lartë në sektorin bujqësor, si objektivi kryesor i strategjisë së zhvillimit bujqësor dhe rural, do të shtrihet në zinxhirin e prodhimit ushqimor, duke shtuar në këtë mënyrë punësimin jashtë fermave dhe mundësitë për fitim për individët që jetojnë në zonat rurale.
Tashmë ekziston Portali i Arsimit dhe Formimit Profesional, “http://www.vet.al”, i cili ka informacion të bollshëm për shkollat profesionale dhe kurrikulat dhe gjithashtu ka grupin e profesioneve, që lëvrohen në Shqipëri.

Mësuesit sugjerojnë

N. B., një mësuese me përvojë shumëvjeçare, thotë se kurrikula mësimore në arsimin profesional kërkon ndërhyrje, sidomos në lëndët e formimit të përgjithshëm. Aktualisht, shkollat profesionale punojnë me kurrikulat e shkollës së përgjithshme. Kjo praktikë krijon ngarkesë të panevojshme, pasi nxënësit e AFP duhet të orientohen për njohuri të thelluara nga profesionet. N.B. jep lëndën e matematikës në një shkollë të mesme profesionale, me kurrikulë të njëjtë si të gjimnazit. Por ajo shpjegon se situata rëndohet edhe më shumë, pasi e njëjta ngarkesë mësimore bëhet në më pak orë mësimi se në gjimnaz. Ajo sugjeron më tej se provimet e maturës profesionale duhet të jenë të targetuara për shkollat AFP. Aktualisht, provimet e maturës shtetërore janë të njëjta me gjimnazet, kur në fakt kategoritë e arsimit profesional duhet të testohen në maturë për drejtimet mësimore që kanë studiuar.

Mësuesja e N.B. thotë se duhet gjetur një zgjidhje për të mundësuar vijimin e studimeve të larta për nxënësit e shkëlqyer pa i dekurajuar ata në sistemin e pikëzimit që aplikohet aktualisht. Ka rreth dy vite që maturantët e shkollave profesionale, me nivele të njëjta rezultatesh me ata të gjimnazit, kanë më pak pikë në dispozicion për të vijuar arsimin e lartë./ Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne