“Atë prokurorin që na prishte punë e hoqëm!” Përgjimet e bandës shqiptare të drogës

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon 131 vite burg në total për 9 të akuzuarit si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, që trafikonte drogë nga Turqia.

Bëhet fjalë për grupin e famshëm të Jurgen Mollës, i cili u shkatërrua gjatë operacionit “Ballkan” në vitin 2016, i shtrirë në disa vende të rajonit.

Prokurori Eugen Beçi, gjatë seancës së ditës së djeshme, kërkoi 17 vjet burg për Jurgen Mollën, i cili ishte kreu i grupit të strukturuar kriminal; 16 vjet burg për Shyqyri Kotorrin, ndërsa për Anesti Koromanin, prokurori Beçi kërkoi 15 vite burg. Këta të tre, sipas Prokurorisë, janë edhe tri kokat e grupit. Prokurori Beçi kërkoi 15 vjet burg për ndërmjetësin Arif Çiço, shtetas kosovar.

Ndërsa për ty ndërmjetësit turq, Abubekir Tuncdemir dhe Mehmet Kulug, u kërkuan 15 dhe 14 vjet burgim. Ndërsa për Elmi Thaçin, Orges Myftarajn dhe Blerim Ukimerajn u kërkuan 12, 13 dhe 14 vjet burg. Hetimet për këtë grup të strukturuar kanë qenë relativisht të gjata dhe në dosjen hetimore ka shumë përgjime. Interesante është një bisedë e përgjuar mes Jurgen Mollës dhe nënës së njërit prej transportuesve, pasi ky i fundit ishte arrestuar.

Molla i premton nënës së transportuesit se do të paguante para që ta nxirrte atë nga burgu. Ai madje përmend edhe një shembull se si, sipas tij, kishte mundur të transferonte një prokuror nga Tirana në Shkodër, i cili “po i prishte punë”.

“Panorama” sjell të plotë dosjen hetimore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për grupin e Jurgen Mollës. Paratë e fituara nga droga, Molla i pati investuar në fushën e ndërtimit. Tashmë pritet që në seancën e ardhshme të mbahen edhe konkluzionet e mbrojtjes dhe të jepet vendimi për grupin.

DOSJA

Të pandehurit, Jurgen Molla, Shyqyr Kotorri dhe Anesti Koromani, nga provat e administruara, rezultoi të jenë në rolin e financuesit dhe të organizatorit të aktivitetit kriminal për sigurimin e trafikimin e lëndëve narkotike nga Turqia në drejtim të Shqipërisë, për llogari të interesave të grupeve kriminale që operojnë brenda dhe jashtë vendit.

Ndërsa të pandehurit Orges Myftaraj e Klaudio Veizaj dyshohet të jenë në role ndihmëse, duke marrë e kryer të gjitha porositë e dhëna nga Jurgen Molla, në funksion të organizimit të trafikimit të lëndëve narkotike. Në funksion të ndërmjetësimit dhe sigurimit të heroinës u provua të jenë shtetasi kosovar Arif Çiço, si dhe shtetasit turq Enver Kurtuluº, Abubekir Tuncdemir, Mehmet Kulug, etj.

Transportues të lëndëve narkotike të këtij grupi kriminal u provua të jenë shtetasit: Arben Prendi (dënuar me vendimin nr. 93 dt. 06.07.2016), Mirislav Perovic, Erol Belir dhe Songul Erek (të arrestuar tashmë). Nga hetimi i këtij procedimi penal janë evidentuar tri raste të trafikimit të lëndës narkotike. Gjatë muajit qershor 2015, të pandehurit Jurgen Molla, Arif Çiço, Abubekir Tuncdemir, kanë realizuar një sërë takimesh në Kosovë dhe në Shqipëri, në funksion të arritjes së marrëveshjes për trafikimin e një sasie heroine, e cila do të sigurohej nga shtetasi Abubekir Tuncdemir, ndërsa i pandehuri Jurgen Molla, së bashku me të pandehurin Anest Koromani, ishte blerësi i heroinës.

Pas arritjes së marrëveshjes, ku pala kosovare kërkonte garancinë e pagesës nga shtetasi Jurgen Molla, ky i fundit, më datë 27.06.2015, dyshohet se ka dërguar në Prizren, Kosovë, lidhjen e tij më të besuar, shtetasin Orges Myftarajn, me një sasi të konsiderueshme rreth 230.000 euro. Njëkohësisht, po më datë 27.06.2015, Jurgeni ka takuar në Patok shtetasin Arben Prendi, ku dyshohet se i ka dhënë dhe shumën prej 8000 euro, si pagesë për transportin e ngarkesës së Heroinës.

Shtetasi i dënuar Arben Prendi po në këtë ditë është nisur për në Kosovë me kamionin tip MAN, me targë AA090IF. Nga data 27- 29.06.2015, nga bisedat midis shtetasve të mësipërme, rezultonte fakti se heroina ndodhej në afërsi të Prishtinës, ku ishte e magazinuar dhe për këtë vend kishin dijeni shtetasit turq dhe kosovarë Abubekir Tuncdemir, Enver Kurtuluº, Arif Çiço.

Gjithashtu, nga kontaktet telefonike u kuptua se Jurgen Molla ka pasur një borxh për të paguar, një transport të mëparshëm kundrejt të pandehurit Enver Kurtuluº, i cili fillimisht nuk ishte dakord për t’i dhënë heroinën, por më pas, më datë 29.06.2015, të pandehurit Abubekir Tuncdemir dhe Enver Kurtuluº, në një valixhe ia dorëzojnë ngarkesën e heroinës transportuesit Arben Prendi në një vend në Kosovë.

Më datë 29.06.2015, ora 17.00, u arrestua në flagrancë shtetasi Arben Prendi në PKK, Morinë, pasi gjatë kontrollit në mjetin kamion tip “Man”, me targë AA 090 IF, në kabinën e mjetit, iu gjet dhe bllokuan me cilësinë e provës materiale 15 kg e 224 gr. lëndë narkotike e llojit Heroinë. Kjo sasi lënde narkotike dyshohet se ishte për llogari të shtetasit Jurgen Molla dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Më datë 30.06.2015, në kuadër të procedimit penal Nr. 81, të vitit 2015 kanë vazhduar verifikimet dhe veprimet me metoda speciale të hetimit për shtetasit: Jurgen Molla, Orges Myftaraj, Klaudio Veizaj e të tjerë të dyshuar se kanë bashkëpunuar me shtetasin Arben Prendi në lidhje me trafikimin e sasisë prej 15 kg e 224 gr. lëndë narkotike e llojit “heroinë”, kryer me datë 29.06.2015.

PËRGJIMET

-Nga studimi i transkripteve të bisedave të datave 27.06.2015, 28.06.2015 dhe 29.06.2015 rezulton që më datë 27.06.2015 shtetasi Jurgen Molla ka dërguar në Kosovë sasinë e nevojshme të lekëve me anë të shtetasit Orges Myftaraj, ka dërguar gjithashtu dhe shtetasin Arben Prendi me kamionin me targa AA090IF dhe me targë karrocerie AB R 200 për të bërë të mundur transportimin e lëndës narkotike heroinë nga Kosova në Shqipëri.

Më datë 28.06.2015 në orën 00:11:27 shtetasi Orges Myftaraj telefonohet nga shtetasi Arben Prendi.

Arben Prendi: A të tha ai ku me ardhë?

Orges Myftaraj: Jo more vlla ktu të rringi jam, te center, e ke parasysh?

Arben Prendi: Po, futu rrugës takohemi në rrugë or urrë.

Orges Myftaraj: E po s’kam pritë të marrë një taksi e të vij se s’kam.

Arben Prendi: Merre një taksi e futu rrugës së Gjakovës e shehe kamionin te parkum krahit të djathtë gjithkonë sa të kalosh.

-Në orën 00:34 shtetasi Orges Myftaraj i ka dërguar shtetasit Jurgen Molla një sms, duke e njoftuar se e kishte takuar Arben Prendin.

Orges Myftaraj: Po iki në dhomë, ok? Mbarova.

Jurgen Molla: E takove at B? (Arben Prendi)

Orges Myftaraj: Po, po iki n’dhomë.

Jurgen Molla: Po thirre tako atë “C” (Arif Çiçon), që ta dinë e më shkruj te tjetri.

Orges Myftaraj: OK, s’kam wireles, sa të iki në dhomë.

Jurgen Molla: Po shkruj me numrin që dhash mo, po lekët i morët.

Orges Myftaraj: OK.

Jurgen Molla: A u rehatove? Shkruaj pra, me numër të Kosovës

Orges Myftaraj: U lidha me ‘C’ (Arif Çiçon). Të marr unë tha. I thashë që jam këtu.

Jurgen Molla: Ok, kur të vijë takoje dhe më shkruaj, po mos gabon me m’i dhanë lek topa më pyt mu dhe mer një numër të Kosovës që të lidheni me Ben. (Arbenin) Ok? I sigurt që lekët i ke ti?

Orges Myftaraj: Po atë po bëjmë. Jo pa merak.

-Më datë 29.06.2015, në orët e para të mëngjesit, shtetasit e sipërpërmendur vazhdojnë negociatat për ngarkesën e drogës. Pasi arrihet marrëveshja, droga ngarkohet në kamion dhe kamioni niset për në Shqipëri. Në orën 13:54:43, shtetasi Jurgen Molla i dërgon mesazh shtetasit Orges Myftaraj në numrin e telefonit.

Jurgen Molla: Hë mo!

Orges Myftaraj: Ala! Më pas në orën 14:00:17 Orgesi i dërgon Jurgenit mesazhin me tekst: “Aty afër është”.

-Më datë 29.06.2015, në orën 14:19:01 shtetasi Jurgen Molla, duke mos e ditur akoma çfarë ka ndodhur me shtetasin Arben Prendi dhe lëndën narkotike të llojit heroinë që po transportonte ( i kapur ne pikën doganore), i dërgon mesazh shtetasit Orges Myftaraj.

Jurgen Molla: Fole më me të ti, ose fol dhe i her prite, zot me u ba gja jan të arift makinat porosite me lezet vlla.

Orges Myftaraj: Të presim dhe pak vlla

Jurgen Molla: Ok mo, po porosite te numri kosovar, a ka.

-Në orën 15:14:31 shtetasi Jurgen Molla i telefonon të vëllait dhe ndër të tjera i thotë të lëvizë, pasi kishin arrestuar shoferin.

Jurgen Molla: Ik iher lëviz, ik der te shpia meri ato lek ça jan në shpi mbaji, meri lekt çoi në bankë, lëviz meri ato lek çoi te banka që jan te shpia.

Vëllai: Po.

Jurgen Molla: E vjen Lola se a problem.

Vëllai: Hajt, ku jeti?

Jurgen Molla: Po lëviz unë.

-Në orën 15:16:59 shtetasi Jurgeni i telefonon shtetasit Orges Myftaraj dhe e njofton për arrestimin.

Jurgen Molla: O lëviz…se e kan kap k**n.

Orges Myftaraj: Ouuu?!

Jurgen Molla: Po.

Orges Myftaraj: Hajt se pres telefonin kteja un, hajt.

Jurgeni Molla: Preja telefonat, ato tjerat priti.

Orges Myftaraj: Po un nga t’shkoj?

Jurgen Molla: Ik diku, ndalu diku i her sa t’mar gja vesht.

– Grupi i strukturuar në çdo moment ka bërë përpjekje të fshehjes së aktivitetit kriminal dhe për këtë arsye një nga organizatorët dhe drejtuesit e grupit, Jurgen Molla, ka tentuar në çdo moment të kontrollojë çdo detaj të aktivitetit dhe të familjarëve të të dënuarit Arben Prendi, me qëllim shmangien e tij nga dënimi.

Nga studimi i procesverbaleve të përgjimit të telekomunikimeve midis shtetasit Jurgen Molla dhe shtetases që thërritet “Katerina”, rezulton se Molla i kërkon ta takojë në mënyrë që të diskutojnë për ta ndihmuar shtetasin Arben Prendi.

Më datë 10.12.2015, në orën 18:02:59 shtetasi Jurgen Molla kontaktohet nga “Katerina” dhe gjatë bisedës, Jurgeni i përsërit disa herë se i ka vënë punët në terezi, si dhe e porosit që t’u thotë personave të tretë të mos flasin, pasi prishin punë.

Katerina i ka treguar Jurgenit se e ka telefonuar i biri, Arben Prendi, personi nga burgu, i cili i ka thënë se i ka humbur shpresat dhe e ka porositur, që t’i thotë Jurgenit të mos e lërë në burg për lekë dhe se deri tani nuk është dhënë asnjë lekë.

Jurgeni i thotë se nuk mund t’i tregojë se ku po i jep lekët, pasi i del fjala, por i thotë se lekë janë dhënë dhe po vazhdojnë të jepen përditë. I biri i ka thënë Katerinës se po rri në burg, ngaqë nuk janë dhënë lekë.

Në vijim të kësaj bisede, Jurgeni i thotë se një prokuror që i ka prishur punë e kanë transferuar në Shkodër

Jurgen Molla: Një që ka qenë, që ka pas prish punë aty ku është ai, një X prokuror që ka pas fut atë, e kanë shkarkuar sot. Janë dhënë lekë që është shkarkuar, nuk po të them më gjatë…E kanë heq nga aty e kanë dërguar në Shkodër, prej këtyre punëve…

Katerina: E keni pas kundra atë?

Jurgen Molla: Po, një legen, që e kemi pas kundër. Më gjatë nuk flas dot. Çoja me amanet, thuaji për punë lekësh.

Katerina: Me amanet ia çoj, faleminderit prej teje, nesër do të them çfarë më ka thënë. Jurgen Molla: Thuaji, për lekë nuk rri brenda sa të jem unë gjallë.

***

-Në fund të tetorit dhe fillim të nëntorit 2015, të pandehurit Jurgen Molla, Arif Çiço dhe Abubekir Tuncdemir hynë në tratativa për arritjen e marrëveshjes për trafikimin e një sasie heroine, e cila do të sigurohej nga Abubekir Tuncdemir, ndërsa Jurgeni dhe Anesti Koromani ishin blerësit e saj.

Abubekir Tuncdemir mundi të trafikojë nga Turqia për në Greqi sasinë prej 15 kg. heroinë. Ai, duke pasur këtë sasi heroine në Selanik, Greqi, u lidh me Jurgen Mollën nëpërmjet shtetasit Arif Çiço (ky i fundit në atë kohë po qëndronte në Laç dhe kryente rolin e ndërmjetësit midis Abubekirit dhe Jurgenit).

Jurgen Molla, për të realizuar transportin e heroinës nga Selaniku për në Athinë, i kërkoi ndihmë Shyqyri Kotorrit, i cili kishte rrjetin e tij të trafikimit, transportimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në Greqi. Jurgen Molla ra dakord për të marrë një sasi prej 5 kg heroinë.

Si rrjedhojë e bashkëpunimit të Policisë Shqiptare me Zyrën e DEA-s në Greqi dhe Policinë Greke, në Greqi u arrestuan dy korrierët turq, shtetasit Erol Belir dhe Songul Erek, të cilëve iu sekuestrua një sasi prej 5 kg. lëndë narkotike e llojit heroinë. Autoritetet policore greke vijuan ndjekjen e grupit të Shyqyri Kotorrit, si rezultat i së cilës, në datë 21.12.2015, forcat e Antidrogës së Drejtorisë së Policisë së Athinës arrestuan shtetasit shqiptarë Edmond Kotorri (vëllai i Shyqyr Kotorrit), Artan Mucelli, Armando Allajbej, Emolina Agalliu, Edmond Balaj, Kreshnik Prendi, Sandër Pemaj e Mentor Pali.

Më datë 12.09.2015 dhe 13.09.2015, shtetasi Jurgen Molla shkëmben mesazhe me shtetasin Shyqyri Kotorri dhe bisedojnë në telefon me njëritjetrin, për trafikimin e një sasie lënde narkotike të llojit heroinë për në Greqi.

Bisedat bëhen të koduara, duke përdorur shprehje si “hedhjen e betonit”, me të cilën kuptohet lënda narkotike.

Shyqyri Kotorri: Bëre nanji telefon.

Jurgen Molla: A janë lidh ata, di gja.

Shyqyri Kotorri: Ja të flas çik un dhe të them.

Jurgen Molla: Pyt i her e më kallzo.

Shyqyri Kotorri: Bëji nonji telefon atyre ustallarëve o burr, janë punëtorët atje. Më pas shtetasi Shyqyr Kotorri bisedon me shtetasin Jurgen Molla dhe diskutojnë se si mund te lidhen shtetasit që do të çojnë “betonin” me ustallarët që presin, ku lënë të kuptohet se duhet të takohen shtetasit që kanë çuar lëndën narkotike me ata që do ta marrin.

Nga hetimet rezulton se dërgimin e sasisë prej 5 kg heroinë në Greqi e ka organizuar shtetasi Arif Çiço dhe shtetasi që thërritet “Plaki”, duke përdorur si transportues shtetasit turq Erol Bilir dhe Songul Erkek. Në Greqi, për llogari të shtetasit Jurgen Mollla, po prisnin të merrnin lëndën narkotike lidhjet shoqërore të shtetasit Shyqyri Kotorri.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne