Atletet e post-demokracisë

Latif Mustafa

Dy liderët, të cilët kanë marrë mbështetjen më të fuqishme deri më tani nga BE-ja, janë presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Këta dy liderë janë, madje, edhe të përkëdhelurit e kancelares gjermane Angela Merkel, e cila karrierën si kancelare e filloi më 2005, si dhe të presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, i cili karrierën e filloi si kryeministër më 2003, edhe pse së fundmi marrëdhëniet gjermano-turke shënojnë “periudhën më të ftoftë” të marrëdhënieve bilaterale në historinë e tyre si shtete-kombe. A do të jetë Serbia dhe Shqipëria pikëtakimi i interesave gjermane dhe turke në Ballkan?

Në anën tjetër, Wall Street Journal tërheq vëmendjen e një skenari të ri destabilizimi, përmes një plani më të madh amerikano-rus, e që lojtarët më të mirë në fushë të këtij skenari janë dyshja Rama-Vuçiq. Megjithatë, Ballkani ka përvojë të hidhur me shtetet ku fuqia dhe pushteti politik mbivendoset mbi një parti të vetme. Sado që këto shtete mund të sjellin risi në zhvillimin ekonomik, ato shpesh janë të prira drejt oligarkive financiare, politike, mediatike dhe policore. Një pushtet të tillë e ka tashmë edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. megjithatë, ata kanë një dallim të theksuar: njëri mbathë atlete e tjetri këpucë.

Përtej një qasjeje gjeopolitike, ashtu siç u kritikuan zgjedhjet në Serbi nga analistë të ndryshëm dhe nga shoqëria civile u akuzuan si zgjedhje “të kurdisura”, ashtu edhe në Shqipëri ato u kritikuan nga analistë të ndryshëm dhe opozita si zgjedhje të kurdisura. Reforma në drejtësi ose procesi i Vettingut ishte alibia që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, kjo e ndihmuar jo pak edhe nga dështimi i opozitës, në këtë rast Partisë Demokratike, me mungesën e artikulimit të mirëfilltë të kërkesave politike në kuadër të “Çadrës”, e cila shpesh u cilësua si veprim absurd me emërtim të kundërthënshëm si “Republika e re”, që në vetvete cilësohet si “majtiste” dhe e lidhur me regjimin enverist në Shqipëri.

Vullnetet e popujve të vegjël, popujve të cilët kanë ndikim të dobët ekonomik, ushtarak dhe politik, popujve që rrallë ose fare nuk kanë qenë “subjekt” i historisë, popujve të cilët e kanë lëvizur gurin e historisë, e jo popujve që kanë qenë “objekt” dhe vetë guri në histori, janë vullnete të manipulueshme politikisht dhe shpërfytyruese historikisht. Kjo më së miri u pa në samitin e radhës në Triestë të Italisë, në kuadër të mini-planit mareshal për Ballkanin, të sponsorizuar nga Gjermania. Përkundër të gjithave, mesazhi i këtij samiti i drejtohej Rusisë rreth dilemave për rrugën që duhet ta ndjekë Ballkani në raport me Bashkimin Evropian.

Post-demokracia është një fazë evolutive e zhvillimit të demokracisë në shoqëritë ku edhe pse dominon ndjenja e një zhvillimi normal të demokracisë, si zgjedhjet e lira, liria e fjalës dhe shteti i së drejtës, pushteti përsëri rrëshqet në duart e grupeve “të privilegjuara” shoqërore, në të cilat jeta publike është thjesht një spektakël. Grupe “të privilegjuara” shpesh rastisin të jenë edhe organizata civile dhe ushtarake ndërkombëtare, të cilave nuk u bëhet vonë për liritë dhe të drejtat elementare njerëzore dhe demokracinë politike, por u bëhet vonë për interesat e veta ekonomike dhe strategjike, pavarësisht kostos së tyre. Shoqëria post-demokratike është edhe më e realizuar kur ato formalisht udhëhiqen nga një lider i vetëm, pra pa oponencë të theksuar qeveritare. Post-demokracia si fenomen nuk është i ri në Ballkan. Në emër të stabilitetit bashkësia ndërkombëtare shpeshherë ka qenë shpërfillëse ndaj vullneteve popullore, sidomos lirive të popujve shtypur, kurdisjes së zgjedhjeve e betonimit të liderëve konformistë ndaj burokratëve të huaj. Simbolikisht, post-demokracinë në Ballkan e shfaqi edhe sensacioni i atleteve të Edi Ramës në Triestë, ku mesazhi, si duket, ishte i qartë: S’na mbetet tjetër, pos të përkujdesemi për atletet. Urojmë që një ditë të flasim edhe për sukseset e Ramës, e jo vetëm për atletet e tij./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne