Australia dhe Kanadaja dënojnë vrasjen e Khashoggit

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kanadasë Chrystia Freeland dënuan vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi.

Morrison rikujtoi se qeveria ka marrë vendim për të mos marrë pjesë në konferencën e “Iniciativës për Investim në të Ardhmen”, e cila do të mbahet në qytetin Rijad të Arabisë Saudite.

Ai tha se Australia do të veprojë së bashku me të gjitha vendet të cilat e dënojnë vrasjen e Khashoggit dhe e kundërshtojnë këtë rast. “Dënojmë vrasjen e Jamal Khashoggit. Presim që qeveria saudite të realizojë një bashkëpunim të plotë me autoritetet turke për hetimet në lidhje me rastin”, tha ai.

Ndërkaq edhe ministrja Freeland në një deklaratë me shkrim ka thënë: “Kanadaja dënon vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, të cilën e konfirmoi Mbretëria e Arabisë Saudite se ai ka vdekur në konsullatën në Stamboll. Deklaratat e deritanishme në lidhje me vdekjen e Khashoggit nuk kanë qëndrueshmëri dhe besueshmëri”.

Freeland shprehu ngushëllimet e saj miqësore për të fejuarën e Khashoggit, Hatice Cengiz dhe të gjithë të afërmve të tij. “Dhimbja të cilën e përjetojnë si pasojë e kësaj tragjedie, po ua djeg zemrat. E ritheksojmë thirrjen tonë për një hetim gjithëpërfshirës e cila përfshin shqyrtimin e plotë dhe të përpiktë të kushteve përreth vdekjes së Khashoggit, me një bashkëpunim të plotë me zyrtarët turq. Ata të cilët janë përgjegjës për vrasjen e Khashoggit duhet të japin llogari dhe të nxirren përpara drejtësisë”.

Gazetari dhe kolumnisti i gazetës “The Washington Post” Jamal Khashoggi u zhduk më 2 tetor pas hyrjes në kompleksin e konsullatës të Arabisë Saudite në Stamboll.

Autoritetet saudite 17 ditë më pas pranuan se Khashoggi është vrarë.

Burimi:AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne