Austria: Hetoni futbollistët shqiptarë

Zyrtarisht Teuta e Durrësit është nën hetim nga organet e drejtësisë të Austrisë për trukim të rezultatin të ndeshjes miqësore të futbollit Austria Wienn-Teuta, e luajtur më 21.06.2016 në Seeboden të Austrisë dhe që ka përfunduar 7-2 për austriakët.

Ekipi shqiptar dyshohet se ka humbur qëllimisht me rezultat të thellë për të përfituar financiarisht nga bastet sportive. “Shqiptarja.com” ka siguruar letër-porosinë që kanë dërguar autoritetet e drejtësisë austriake atyre shqiptare në mënyrë që hetimet të vazhdojnë edhe në vendin tonë. Nga pala austriake kërkohet prej Prokurorisë shqiptare që të merren në pyetje në kuadër të hetimit për trukimin e kësaj ndeshje disa shtetas shqiptarë.

Për hir të kofindecialitetit në letër-porosinë që ka siguruar “Shqiptarja.com” emrat e personave janë fshirë, por nga burime mësohet se bëhet fjalë për disa lojtarë të Teutës dhe pjesë e stafit të skuadrës dhe se mund të jenë jo pak por rreth 5 persona. Këta shtetas shqiptarë akuzohen nga drejtësia austriake për veprën penale të “Mashtrim i rëndë”. Gjykata e Tiranës i ka dhënë autorizimin e saj Prokurorisë së Tiaranës për të proceduar sipas kësaj letër-porosie të austriakëve dhe së shpejti të dyshuarit të do të merren në pyetje.
Faksimile e leter-porosise austriake per autoritetet shqiptare per hetimin e ndeshjes

Historia e ndeshjes së dyshuar
Ndeshja për të cilën drejtësia austriake është e bindur që është manipuluar është zhvilluar në verën e vitit të kaluar në Austri. Gjatë fazës përgatitore në prag të fillimit të sezonit futbollistik 2016-17 skuadra e Teutës ka qenë në Austri ku ka zhvilluar më 21 qershor një ndeshje përgatitore me ekipin vendas Austria Wienn. Austria e Vjenës siç shqitohet, është një nga skuadrat më të mira të Austrisë dhe fitorja e saj me Teutën nuk do përbënte lajm në vetvete. Mënyra se si erdhi kjo fitore e sidomos rezultati i thellë krijuan dyshime. Teuta pësoi katë gola në pjesën e parë, që përfundoi 4-0. Sapo filloi e dyta ekipi durrsak ngushtoi rezultatin me dy gola që shënoi, por më pas pësoi edhe tre të tjerë duke e mbyllur ndeshje me humbjen 7-2. Pikërisht tek golat e pësuar në fund të ndeshjes, sidomos për dy të fundit ngrihen dyshimet më të mëdha nga drejtësia austriake.
Si filluan hetimet
Siç raportuan në atë kohë mediat austriake ka qenë policia vendase ajo që nisi fillimisht hetimet pas sinjalizime të saj. Por ky hetim është bërë pas një sinjalizimi të dyfishtë, pasi përveç autoriteteve austriake, ndeshjet e Teutës kanë tërhequr edhe vëmendjen e “Sportradar”. Kjo e fundit është kompania që bashkëpunon me UEFA-n kundër manipulimeve të basteve sportive. Katër ditë pas ndeshjes që skuadra durrsake humbi me rezultatin 7-2 ndaj Austrisë së Vjenës, forcat e rendit austriake, me urdhër të prokurorisë së Salcburgut, kanë ushtruar një kontroll të befasishëm në hotelin e saj në Mayrhofen. “News.at” raportonte atëherë se u morrën në pyetje lojtarët, stafi dhe zyrtarë të klubit që ishin të pranishëm. Nga policia vendase janë sekuestruar disa telefona celularë që ata kishin në përdorim si dhe shkresa të ndryshme, të cilat mendohet se mund të ndihmonin për të zbardhur këtë ngjarje.

Akuza për mashtrim
Pas hetimeve që kanë bërë në Austri organet e drejtësisë së këtij vendi i janë drejtuar homologëve shqiptarë për ndihmë në mënyrë që të vazhdojnë hetimet duke i pyetur në Shqipëri disa prej personave të dyshuar si pjesëmarrës në manipulimin e rezultatit. Letër-porosia ka mbërritur në Prokurorinë e Tiranës e cila sipas legjislacionit shqiptar ka kërkuar nga gjykata e Tiranës autorizimin për të marrë në pyetje personat e dyshuar për llogari të austriakëve. “Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka ardhur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë kërkesa me objekt “Ekzekutimin e letërporosisë së autoriteteve të drejtësisë Austriake për marrjen në pyetje me cilësinë e te pandehureve shtetasve shqiptarë ***për veprën penale të “Mashtrim i rëndë”, parashikuar nga dispozitat përkatëse të legjlislacionit Penal Autriak, sipas pyetjeve të citura, vepër kjo e parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal Shqiptar””, thuhet në vendimin e gjykatës për letër-porosinë.

Versioni i austriakëve për trukimin
Sipas rezultateve të hetimeve të deritanishme, të akuzuarit ***jane të dyshuar, që më dt. 21.06.2016 në Seeboden nepërmjet sjelljes në kundërshtim me të verteten, që po luanin me gjithe fuqinë, sipas rregullores dhe konform rregullave, ndërkohe që ata në fakt dhe mundësisht pa rënë në sy ndikuan në rezultatin e lojes, i cili ishte dakortësuar me përpara konkretisht, pra nëpërmjet mashtrimit për faktet i kanë çuar ofertuesit të basteve në kryerjen e veprimeve, konkretisht në pranimin e basteve me bashkëpunetor të panjohur dhe në pagesat tek keta bashkëpunetor të fitimeve të basteve të arritura në mënyre mashtruese, nepermjet të cilave ofruesit perkates të basteve janë dëmtuar në pasurinë e tyre me një shume deri tani ende të panjohur, të pakten mbi 5***

20 minutat e bastet për 9 gola
Nga analiza e tregut të basteve, bërë nga firma Sportradar, rezulton që në 20 minutat e fundit të ndeshjes së futbollit midis ***koeficientet e bastit-në kundërshtim me përvojen e pergjithshme në tregun e basteve në menyre shume të pazakonte ndryshuan në disfavor të ***. Keshtu që në menyre jo të zakontë shume bastexhinj sportiv, kur rezultati i ndeshjes ishte ***vendosen baste që gjithesej behen të paktën nëntë gola. Përveç kësaj u vu re, që mbrojtësit ***në veçanti në 20 minutat e fundit të ndeshjes janë sjellë shume pasivë.

Telefonat dhe “arratisja”
Sipas palës austriake një nga provat më të forta që ata kanë janë ato që kanë zbuluar nga celularët që u kanë sekuestruar lojtarëve shqiptarë, sidomos të njërit prej tyre. “Përveç kësaj nga vleresimi i telefonit mobil të të pandehurit të katërt ***Gjate marrjes në pyetje nga policia të pandehurit mohuan çdo veprim penal. Meqënëse ata u kthyen në Shqipëri përpara vleresimit të telefonave mobil, ata nuk mund të konfrontoheshin me materialin e provës, i cili i rëndon shumë ata”, thuhet në letër-porosinë e austriakëve.

Minutat që u shënuan golat
FT Austria – Teuta 7 – 2
81′ 7 – 2
73′ 6 – 2
62′ 5 – 2
58′ 4 – 2
47′ 4 – 1
HT 4 – 0
44′ 4 – 0
41′ 3 – 0
34′ 2 – 0
31′ 1 – 0