Austria propozon vendosjen e refugjatëve jashtë qytetit

Johann Gudenus, kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë (FPÖ), parti e ekstremit të djathtë në Austri, partner i koalicionit të qeverisë së re, propozoi që refugjatët që jetojnë në Vjenë të vendosen jashtë qytetit për shkak të “veprimtarisë kriminale”.

Duke folur në televizionin shtetëror austriak ORF, deputeti Gudenus ka mbrojtur idenë e tij se do të ishte më mirë që refugjatët të dërgoheshin në vendbanime jashtë Vjenës deri në përfundimin e aplikimit të tyre për azil.

“Një mënyrë e tillë është e mundur për zgjidhjen e problemit. Këto vendbanime mund të ndërtohen në zona me popullsi të ulët dhe azilkërkuesit mund të qëndrojnë këtu deri në përfundimin e aplikimit të tyre”, tha Gudenus, duke pretenduar se “refugjatët kryejnë krime”.

Gudenus, i cili nuk i është përgjigjur pyetjes se ku duhet të vendosen rreth 13,000 njerëz që kanë bërë kërkesën për azil, është shprehur: “Duhet të parandalohet që azilkërkuesit të jetojnë në qytet në grupe të vogla. Mund të kufizohet kjo situatë që shkakton fluks të paligjshëm të refugjatëve. Në këtë mënyrë, emigrantëve u tregohet se Austria nuk është një vend aq i rehatshëm sa mendohet”.

Kryetari i bashkisë së Vjenës, Michael Haeupl, duke e cilësuar të pakuptimtë propozimin e Gudenus, është shprehur se nuk gjendet një vend ku mund të ndërtohen rreth 150 ndërtesa për refugjatët, ku mund të qëndrojnë 13 mijë persona. Ndërsa zëvendës kryetarja e bashkisë, Maria Vassilakou, tha se “propozimi është poshtërues.”

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne