Autoritetet maqedonase i refuzojnë kërkesën për azil shtetases nga Dubai

Autoritetet në Maqedoni thonë se kërkesa për azil politik e shtetases nga Dubai i Emirateve të Bashkuara, Hind Mohammad Albolooki, 42 vjeçare, është refuzuar për shkak të mos gjetjes së arsyes për t’i ofruar strehim në Maqedoni.

Ajo kërkesën për azil e kishte dorëzuar më 15.10.2018. më pas autoritetet vendore në përputhje me ligjin për mbrojtje të përkohshme ndërkombëtare e kishin strehuar në kampin për të huajt, ndërsa më pas kanë nisur edhe procedurat e shqyrtimit të kërkesës së saj.

“Në bazë të bisedës dhe shqyrtimit të të gjitha rrethanave dhe fakteve relevante, sektori për azil më datën 07.11.2018, kishte vendosur të refuzojë kërkesën për njohjen e të drejtës për azil në Maqedoni për shkak se nga bisedat dhe shqyrtimi i fakteve është konstatuar se nuk ekziston frika për ndjekjen e saj, përkatësisht nuk është vërtetuar se Hind Mohammad Albolooki, përndiqet për shkak të racës së saj, fesë, nacionalitetit, përkatësisë së ndonjë grupi sociale, apo bindjes politike dhe nuk ekziston arsyeje që të besohet se nëse kthehet në shtetit e saj, do të përballet me rrezik real që të ketë pasoja”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë së Punëve në të Brendshme të Maqedonisë për Radion Evropa e Lirë.

E pakënaqur me këtë vendim, shtetasja e Emirateve të Bashkuara Arabe, më 3.12. 2018, ka paraqitur ankesë pranë gjykatës administrative në Shkup lidhur me vendimin e sektorit për azil.

Por, edhe gjykata i ka refuzuar ankesën duke e lënë në fuqi vendimin e sektorit për azil, pas çka ajo ka paraqitur ankesë në Gjykatën e lartë administrative, megjithatë edhe nga kjo instancë gjyqësore ka marrë përgjigje negative.

Hinf Mohammad Albolooki më datë 04.02.2019 është njoftuar se procedura për njohjen e të drejtës për azil ka përfunduar me hyrjen në fuqi të vendimit gjyqësor duke i dhënë afat prej 15 ditëve që vullnetarisht të lëshoj Maqedoninë ndërsa më së voni deri më 19.02.2019 apo nëse i përmbush kushtet, ajo duhet të rregulloj çështjen e qëndrimit në Maqedoni, në përputhje më ligjin për të huajt.

Ndryshe, Shtetasja nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Hind Mohammad Albolooki, 42 vjeçe, nënë e katër fëmijëve, në një video regjistrim të shpërndarë në rrjetet sociale ka thënë se ishte larguar nga Dubai meqë familja e kishte kërcënuar pasi kishte kërkuar divorc nga burri i saj.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne