Me avion të posaçëm – riatdhesohen 31 shqiptarë nga Franca e Belgjika

Tridhjetë e një shqiptarë janë riatdhesuar nga Franca e Belgjika.  Drejtoresha e Kufirit Aida Hajnaj në një deklaratë për mediat nënvizon se në vendet e BE nuk ka asnjë shans për të përfituar azil Ajo shton se shkelësit do të përballen me ligjin

Aida Hajnaj: “Sot jemi në Aeroportin e Rinasit për të pritur shtetasit Shqiptarë që janë riatdhesuar nga autoritetet Franceze, për shkak të refuzimit të kërkesave të tyre për azil, dhe kjo tregon se të gjitha shtetet në vendet e Bashkimit Europian në mënyrë të prerë refuzojnë kërkesat e shtetasve shqiptarë për azil. Asnjë kërkesë qoftë politike apo ekonomike nuk pranohet. Shanset për t’i fituar këto janë zero. Apelojmë të gjithë shtetasve Shqiptarë që të mos marrin iniciativa të tilla të cilat harxhojnë mijëra euro dhe janë të dështuara. 

Fluturimi u bë me avion të posaçëm nga Franca. Në operacion mori pjesë Franca si vendi organizator, Belgjika si vend përfitues, dhe Policia Shqiptare si mbështetëse, me financim të agjencisë FRONTEX.

Të riatdhesuarit ishin të vendosur në qendrat e ndalimit administrativ, që presupozon se kthehen të detyruar dhe jo me dëshirë , dhe se ndaj tyre ka një vendim që i detyron të largohen nga territori francez.

Në njoftimin e policisë thuhet se policia shqiptare po bashkëpunon ngushtësisht edhe me autoritetet Franceze dhe me të gjithë vendet e Bashkimit Europian, po kryen hetime intesive me qëllim të vënies para drejtësisë të personave që shpërdorojnë detyrën, abuzojnë me detyrën duke mashtruar shtetasit shqiptar e duke iu dhënë atyre dokumenta ose vërtetime të falsifikuara me qëllim përfitimi në azil. E gjithë kjo u konfirmua dhe në takimin që autoritetet shqiptare patën javën e kaluar me autoritetet franceze të Ministrisë së Brendshme.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne