Avokatët nga Turqia i ofrojnë mbrojtje falas luftëtarëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale

Gjykata Speciale tashmë ka nisur punën e saj dhe pos që janë dërguar ftesat e para në adresë të luftëtarëve që do të gjykohen, po ashtu, ka marrë tashmë në pyetje disa prej tyre.

Mirëpo, luftëtarët e lirisë nuk do të mbeten pa mbrojtje. Burime të KosovaPost bëjnë të ditur se Turqia do të mbrojë pa asnjë kundërvlerë materiale të gjithë ata luftëtarë që do të akuzohen nga Gjykata Speciale.

Nesër pritet që midis organizatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe disa avokatëve nga Turqia, të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi për mbrojtjen e të ftuarve nga Gjykata Speciale. Detaje nga kjo marrëveshje do të bëhen publike gjatë ditës së nesërme.

“Ne besojmë se lufta e UÇK-së ka qenë e shenjtë dhe kjo është një padrejtësi e madhe që i bëhet luftëtarëve të lirisë, andaj do ta vëmë në dispozicion tërë potencialin tonë profesional për të dëshmuar pafajësinë e tyre nga këto akuza të pabaza”, kanë deklaruar për KosovaPost përfaqësuesit ligjor nga Turqia.

Me pretendimet për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë, Prokuroria Speciale në Hagë deri më tani ka intervistuar Rrustem Mustafën, ish-komandant i UÇK-së për Zonën e Llapit, i njohur si komandant Remi dhe ish-komandantin Sami Lushtakun.

Ndërsa, gjatë këtij muaji pritet të intervistohet edhe një tjetër pjesëtar, anëtar i OVL të UÇK-së dhe po ashtu është ftuar edhe ish-Komandanti i Brigadës 124 të Rahovecit, Ismet Tara, i njohur si “komandant Hoxha”.

Kohë më parë, kryetari i OVL- UÇK, Hysni Gucati kishte thënë se të ftuarit për intervistë në Gjykatën Speciale do të jenë të niveleve të ndryshme dhe nga zona të ndryshme.

“Me 4 shkurt kanë me shku dhe disa shokë tonë, për arsye se programin dhe orarin e ka ndarë Gjykata Speciale. Me këtë datë do të udhëtojnë grupi i fundit. Pritet të jenë rreth 100 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga disa zona të caktuara”, kishte deklaruar Gucati.

Përndryshe, në Kosovë ishin hapur edhe debate lidhur me shumën e parave që duhet të ndaheshin për mbrojtjen e ushtarëve të UÇK-së./KosovaPost

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne