Gjykata Themelore në Prishtinë të shtunën e ka lënë në paraburgim 40 ditor, Ugur Toksoyn, i cili dyshohet për veprën penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”. Toksoy po cilësohet si kundërshtar i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Turqia ka kërkuar nga Kosova ekstradimin e Toksoyt, që akuzohet nga shteti turk se ka kontribuar në organizimin e puçit të korrikut të 2016’s.

Por, avokati mbrojtës i Toksoyt, Adem Vokshi, thotë se Kosova nuk ka të drejtë të ekstradojë persona të akuzuar për çështje politike.

“Akuza e ngritur nga shteti turk ka të bëjë me pretendimin se Ugur Toksoy është përkrahës i klerikut Fethullah Gylen, të cilin Presidenti Turk Erdogan e ka shpallur si terrorist dhe po mundohet me çdo kusht të përndjek të gjithë përkrahësit e tij anë e kënd botës”, thuhet në një reagim të lëshuar nga Fondacioni Atmosfera, pjesë e të cilit është Toksoy.

Në seancën e 28 tetorit, Prokuroria Speciale e Kosovës ka paraqitur kërkesën për ekstradim dhe urdhër ndalimin e lëshuar nga autoritetet turke me të cilën kërkohen nga Kosova që të bëhet ekstradimi i Toksoyt në Turqi.

Këto dokumente përmbajnë një përshkrim të përgjithshëm të asaj se çka ka ndodhur më 15 korrik 2016 në Turqi, bën të ditur Atmosfera. Sipas fondacionit, ato nuk prezantojnë asnjë provë të vetme se cilat ishin veprimet konkrete të Toksoyt në ngjarjet e grushtshtetit.

Gjatë seancës, i akuzuari i ka sqaruar Gjykatës se ai që nga viti 2007 së bashku me famlijen e tij jeton në Kosovë dhe posedon leje qëndrim të ligjshëm dhe se që nga viti 2015 nuk ka vizituar Turqinë, dhe këtë e ka dëshmuar në seancë gjyqësore nëpërmjet pasaportës.

Sipas avokatit mbrojtës, “kërkesa për ekstradim është çështje tërësisht politike”.

Ai ka thënë se “Kosova nuk duhet të lejojë që të bëhet vasal i Erdoganit, që ai të arrijë qëllimet e tij politike”.

“Mbrojtja, po ashtu, Gjykatës i ka prezentuar provat se Lëvizja Gylen nuk është shpallur organizatë terroriste nga OKB, e as nga Departamenti Amerikan i Shtetit, por kjo është bërë vetëm nga Qeveria e z. Erdogan të cilët për qëllimet e tyre politike janë duke shfrytëzuar të gjithë mekanizmat ligjor dhe joligjor për të ndjekur dhe persekutuar ndjekësit e kësaj lëvizje. Përveç tjerash mbrojtja ka ngritur shqetësimin se ekziston rreziku që z. Ugur Toksoy të jetë pre e tortuarve dhe trajtimit çnjerëzor nga autoritetet turke në rast të ekstradimit të tij. Kjo për faktin se qindra përkrahës të Lëvizjes Gylen gjer tani janë persekutuar dhe torturuar nga autoritet turke duke përfshirë edhe gazetarë të shumtë turq”, ka treguar avokati Vokshi.

Gjatë periudhës sa Toksoy do të qëndrojë në paraburgim pritet të mbahet edhe një seancë për ekstradimin e tij, në bazë të cilës Gjykata Themelore në Prishtinë do të vendosë lidhur me ekstradimin apo jo të Toksoyt.

Mbrojtja e Toksoyt druan se ai mund t’i nënshtrohet torturave në Turqi, në rast të ekstradimit.

“Duke marrë parasysh raportimet e Human Rights Watch dhe Amnesty International, tortura e autoriteteve turke ndaj personave të cilët i cilëson si përkrahës të lëvizjes Gylen është e pashmangshme. Prandaj ekstratimi i z. Ugur Toksoy do të përbënte shkelje të Kushtetutës së Kosovës dhe konventave evropiane të cilat janë direkt të aplikueshme sipas nenit 22 të Kushtetutës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Atmosferës.

“Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut në nenin 3 ka përcaktuar se asnjë person nuk duhet të jetë subjekt i turturave çnjerëzore ose trajtimit dhe dënimit degradues. Gjithashtu sipas nenit 3 të Konventës Evropiane për Ekstradim, ndalohet ekstradimi nëse vepra për të cilën kërkohet nga pala kërkuese, është vepër penale politike ose ndonjë vepër penale që lidhet me vepër penale politike”, ka theksuar fondacioni. /Express/

 

26