‘Babalja’/ PD akuza Prokurorisë: Nuk zhvilloi hetime për trafikun e drogës

Përmes një deklarate për mediat nga selia e PD, deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj dhe këshilltari ligjor, Gazmend Bardhi kanë hedhur akuza në drejtim të qeverisë dhe të Prokurorisë për çështjen e audio përgjimit e njohur si ‘Babale’, ku pretendohet se është përfshirë vëllai i ministrit Fatmir Xhafaj në trafik droge.

Alibeaj tha se Prokuroria nuk heton krimin, por denoncuesit dhe se Agron Xhafaj nuk u hetua kurrë, por u lejua të ikë natën për në Itali. Ai tha se prokuroria nuk ka zhvilluar asnjë hetim për trafikun e drogës.

“Sot jemi para jush për të dëshmuar me prova se si Rama përmes veglave në prokurori nuk heton krimin, por denoncuesit. Nuk arreston trafikantin e drogës, por përndjek gazetarët. Agron Xhafaj nuk u hetua kurë, por u lejua të iki natën në Itali, sapo u publikua materiali audio se ai drejtonte trafikun e drogës. Prokuroria e Krimeve të rënda nuk ka zhvilluar asnjë hetim për trafikun e drogës. Çfarë është bërë me drogën e Tragjasë? Çfarë është bërë me personat trafikantë që shfaqen ne materialin gazetarit? Rama ka instaluar një shtet privat mafioz. Prokuroria përdoret nga Rama si zyrë e propagandës për manipulimin publik”- tha Alibeaj.

Deputeti i PD u shpreh ndër të tjera se krimi ka kapur edhe Prokurorinë dhe Shqipëria është shndërruar në diktaturë mafioze.

“Krimi tashmë ka kapur edhe Prokurorinë. Prokuroria e krimeve të Rënda është kthyer në një celulë kriminale. Përdorimi politik i drejtësisë nga Edi Rama është paralajmëruar nga PD që ditën kur në mënyrën e njëanshme u emërua një kryeprokurore vegël e tij. Rama mbron kriminelët me të cilët bashkëqeveris. Shqipëria është shndërruar në diktaturë mafioze”- tha Alibeaj.

Burimi: BalkanWeb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne