Bahreini bastis shtëpinë kryesore të klerikut Shia, pesë persona të vrarë

Ministria e Brendshme e Bahreinit ka njoftuar vdekjen e pesë njerëzve në bastisjet e protestuesve që u mblodhën në fshatin veriperëndimor Diraz.

Sipas ministrisë, të martën u arrestuan mbi 280 vetë gjatë sulmit.

Më herët gjatë ditës, forcat e regjimit të Bahreinit hynë në rezidencën e sheikut Isa Qassim, udhëheqësi shpirtëror i shumicës Shia të vendit, duke arrestuar të gjithë banorët brenda shtëpisë. Nuk është ende e qartë nëse vetë Sheikh Qassimi është ndër të burgosurit.

Forcat e sigurisë qëlluan me plumba kundër protestuesve dhe me gaz lotsjellës në shtëpinë e klerikut të shquar.

Fshati ka qenë një skenë protestash që nga qershori i vitit të kaluar, kur autoritetet e zhveshën klerikun nga nënshtetësia mbi akuzat se ai e ka përdorur pozitën e tij për t’i shërbyer interesave të huaja dhe për të promovuar “sektarizmin” dhe “dhunën”. Ai i ka mohuar akuzat.

Pas operacioneve brutale, klerikët e Bahreinit bënë thirrje për protesta masive mbarëkombëtare.

Amnesty dënon goditjen e dhunshme të Bahreinit

Ndërkohë, Amnesty International ka dënuar përdorimin e tepruar të dhunës nga regjimi në Manama kundër protestuesve, duke theksuar se fshati ka qenë nën rrethim për më shumë se 11 muaj.

“Zhvillimet e sotme shqetësuese tregojnë edhe njëherë pasojat e pandëshkueshmërisë së shfrenuar që gëzojnë forcat e sigurisë. Duhet të ketë një hetim të shpejtë dhe të pavarur, dhe ata që janë përgjegjës për vrasje të paligjshme dhe forca të tjera abuzive ose arbitrare duhet të ndiqen penalisht. Autoritetet duhet të frenojnë forcat e sigurisë, të urdhërojnë që ata t’i përmbahen në mënyrë rigoroze standardeve ndërkombëtare mbi përdorimin e forcës së policisë dhe të sigurojnë mbrojtjen e së drejtës për protesta paqësore”, tha drejtoresha e fushatave të Amnesty International, Samah Hadid.

“Informacioni ynë tregon se policia ka sulmuar atë që nisi si një demonstrim paqësor. Standardet ndërkombëtare kërkojnë që zbatimi i ligjit të mos përdorë forcën vdekjeprurëse nëse nuk është e pashmangshme për t’u mbrojtur nga një kërcënim për jetën ose nga rreziku i lëndimeve të rënda”, shtoi ajo.

Të dielën, klerikut Qassim iu dha një pezullim një vjeçar dhe u urdhërua për të paguar një gjobë.

Që nga viti 2011, mbretëria ka qenë skenë e protestave paqësore anti-regjim, kundër abuzimit sistematik të popullatës Shia dhe diskriminimit kundër tyre.

Regjimi i Bahreinit i është përgjigjur protestave me forcë të tepruar dhe vdekjeprurëse, e cila ka tërhequr kritika ndërkombëtare. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne