Banorët e “Astirit sot protestë tek Krimet e Rënda, ja çfarë kërkojnë

Banorët e zonës së “Astirit” sot rreth orës 11: 00 do zhvendosin kësaj here protestën e tyre para Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Kjo e fundit do të japë masën e sigurisë për të ndaluarit e protestës së të enjtes para Kuvendit. Kjo protestë pati konfrontime fizike dhe të plagosur nga radhët e qytetarëve, por edhe nga efektivët e policisë.

Banorët do të kërkojnë me ngulm lirimin e familjarëve të tyre duke kundërshtuar veprimet e policisë së shtetit, ndërsa kanë hedhur akuza edhe ndaj qeverisë. Për protestuesit e ndaluar, organi i akuzës do të kërkojë arrest me burg për Fluturim Goleci, Amarildo Sinanaj , Marsel Velillari, Dorjan Protoduari, Ruzhdi Daci si dhe për Shpati Bilbilajn.

Personat e mësipërm akuzohen për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”, Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme, por edhe për prishjen e qetësisë publike e kryer në bashkëpunim.

Ritheksojmë se nga përleshja e të enjtes së kaluar para godinës së Parlamentit mbetën të lënduar 15 efektivë të policisë, mes tyre edhe efektivja 26-vjeçare, Ina Nuka, e cila humbi dy gishtat e dorës së djathtë pas shpërthimit të kapsollave të hedhur nga protestuesit.
Si autor i dyshuar i gjymtimit të efektives është etiketuar Daniel Dobraj, por ky i fundit ka mohuar kategorikisht duke deklaruar se nuk është ai përgjegjës. 18-vjeçari ka pranuar se ka hedhur kapsollë, por jo që të ketë lënduar efektivë të policisë në protestën e javës së kaluar.

Gjykata pritet të japë masën edhe për të riun, pasi siç është theksuar, Dobraj është dokumentuar përmes pamjeve se ka qanë autori i hedhjes së kapsollave dhe ka gjymtuar efektiven e forcave “Shqiponja”, Ina Nuku, e cila është transportuar drejt Ankarasë për të marrë një mjekim më të specializuar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne