Banorët e Shkozës në ambasada: Shteti ynë po na nxjerr në rrugë

Me dhjetëra banorë të Shkozës kanë protestuar sot përpara ambasadës së SHBA dhe zyrës së BE në Tiranë. Ata kërkojnë ndihmë nga ndërkombëtarët pasi bashkia po ju shemb shtëpitë dhe nuk i kompenson.

Janë plot 153 banesa që do të shemben nga projekti për rehabilitimin e lumit Lana. Sipas banorëve, ata janë pajisur me leje ndërtimi, por kurrë nuk kanë mundur të marrin çertifikatën e pronësisë. Banorët e prekur nga prishja e banesave në lagjen 1 të Shkozës kanë kërkuar me vazhdim të protestave nëse nuk gjejnë zgjidhje të problemeve.

Ata i kanë dërguar edhe një letër zyrtare ambasadorit amerikan Lu dhe ambasadores së BE, Romana Vlahutin, duke kërkuar ndërhyrjen e tyre. Bashkia e Tiranës u ka dhënë dy opsione: Strehim me kredi të buta ose banesa me qira.

Sipas banorëve kjo është absurde, të lënë shtëpitë e tyre dhe të zhyten nëpër kredira apo të dalin me qira. Banorët kërkojnë dëmshpërblim në vlerë monetare për objektet që do të shemben.

Banorët e Shkozës u vizituan pasdite edhe nga deputetë të PD, ndërsa kryetari Basha akuzon kryeministrin Rama se i mashtroi familjet e Shkozës kur i premtoi në fushatë shpronësim sipas tregut. Basha e quan këtë një krim dhe thotë se PD do të kërkojë me ngulm shpronësimin e shtëpive të tyre sipas vlerës së tregut. /Opinion.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne