Kuvendi ka hapur punimet paraditen e sotme, në orën 9:00 për të debatuar programin e qeverisë “Rama II”.  Fjalën e ka marrë kreu i opozitës, Lulzim Basha, fjala e parë e tij si deputet i Kuvendit në postin e kryetarit të PD.

Basha e nisi fjalën e tij duke analizuar punën e qeverisë “Rama I” dhe vërejti se bilanci ishte negativ. Ai theksoi se qeveria Rama II vazhdon avazin e vjetër, dhe solli si shembull emërimin e personave me të kaluar kriminale duke filluar nga kreu i Kuvendit, Ruçi dhe ministri i Brendshëm, Xhafaj. Në këtë këndvështrim, Basha e sfidoi Ramën duke i kërkuar të shkarkojë këta persona dhe të arrestojë ata që janë lidhur me krimin për të provuar se ka ndryshuar.

“Ti ndoshta do të bëhesh ajo që nuk je, të lësh krimin dhe të përqafosh vlerat… – tha Basha. –  Duhet ta nisësh me shkarkimin e Gramoz Ruçit; të arrestosh vëllanë e Fatmir Xhafës, për lidhjet e tij të njohura me krimin; të shkarkosh krerët e policisë të lidhur me kapitenin e tyre Tahirin; të shkarkosh kryebashkiakët e inkriminuar. I bën dot ti këto?! Nëse jo, çfarë ka ndryshuar? Kjo është qeveria e korrupsionit dhe krimit,” theksoi kreu i PD-së.

NGA FJALA E BASHES NE KUVEND:

Zonja dhe zotërinj,

Te nderuar bashkëqytetarë,

Para 4 viteve erdhe këtu si kryeministër dhe shpalle; 300 mijë vende pune, shëndetësi falas, rend e siguri, ulje taksash për 97 përqind të shqiptarëve, hapje te negociatave për anëtarësim me BE, e të tjera jo pak të rëndësishme.

Vjen sot, fiks pas 4 vitesh, në të njëjtin vend pa e mbajtur asnjërin premtim, me shpresën se koha amniston, se do t’ia hedhësh dhe një herë.

Por këto ishin 4 vite ferri për shumicën e shqiptarëve, dhe ti nuk bëre kurrë një bilanc, një llogaridhënie.

Nëse zgjedhjet do të ishin të lira, ti dhe ekipi yt nuk do të ishit ulur sot aty.

Qytetarët e kanë jetuar vetë cdo ditë 4 vjecarin që kaloi e kanë provuar në lëkurë, por për mua dhe opozitën, është ora të bëjmë bilancin e munguar. Për Shqipërinë dhe shqiptarët ka ardhur ora e vetëdijes.

Ato që nuk thanë në përshkrimin e qeverisjes së tij katër vjeçar janë disa fakte kuptimplota:

Ramanjëshi është qeveria e parë që nuk ka sjellë asnjë arritje në fushën e integrimit europian. Fati i Ramanjëshit ishte që Brukseli miratoi kërkesën e bërë nga qeveria Berisha për statusin kandidat, pasi i kishte plotësuar të gjitha kushtet e kandidimit. Katër vjet asnjë zhvillim tjetër në fushën e integrimit. Madje është qeveria e parë që ka bërë hapa mbrapsht pasi disa qeveri europiane janë duke konsideruar rikthimin e vizave për shqiptarët.

Ramanjëshi është qeveria e parë në historinë e Shqipërisë që nuk solli asnjë investim të huaj të ri. Absolutisht asnjë. Në vend të politikave për tërheqjen e investimeve të huaja, Ramanjëshi vuri si prioritet promovimin e pikturave të kryeministrit në Hong Kong, Singapor, Kinë, Turqi, Gjermani, Austri, SHBA.

8