Basha tregon se kush do t’i bashkohet nesër protestës së madhe të opozitës

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha thotë se protesta e nesërme në Tiranë do të jetë masive, pasi asaj do t’i bashkohen të gjitha kategoritë e shoqërisë.

Sipas tij, protestës do t’i bashkohen studentët, që me Ramën kanë parë t’u rriten tarifat e shkollimit dhe t’u digjen studimet nga një reformë e dështuar.

Do t’i bashkohet biznesi i vogël për t’u çliruar nga taksat e larta.

“Bashkohen fermerët e lënë në dëshpërim, pa investime, pa konkurrencë të ndershme. 650 mijë pensionistë të cilët janë trajtuar si qytetarë të dorës së dytë me pensionet që u rritën më pak se inflacioni, me fatura energjie të rritura, me ilaçe të shtrenjtuara.

Një nga aktet e para do të jetë përgjysmimi me ligj i biletave të urbanit në Tiranë e çdo qytet tjetër, sepse paratë e pensionistëve do të jenë për pesionistët dhe jo për Lali Fikun me të korruptuarit e tij.

Bashkohen qindra mijëra shqiptarë në shtrëngesë ekonomike që humbën ndihmën ekonomike, sepse paratë e tyre i vjedh Edi Rama me oligarkët e tij.

Bashkohen punëdhënës e punëmarrës.

Qindra të përndjekur politik, por për shlyrjen e borxheve financiare, por mbi të gjitha për më të madhin shpagim, shpagimin moral që Republika e Re do të ketë në themelet e tij, për të përndjekurit dhe pronarët, për të hequr ligjin e ndyrë komunist, që është ligji i shpronësimit të dytë.

Bashkohen socialistët e ndershëm shqiptarë, që bashkë me ne do t’i thonë ndal krimit dhe ndal drogës, që njësoj si ne duan një shqipëri që qeveriset përmes votës së lirë dhejo përmes diktatit të drogës dhe krimit. Bashkohen intelektualët, akademikët, sportistët, artistët, truri dhe shpirti i kombit, elita e vërtetë e kombit e cila sot rri me sytë përdhe, sepse është zëvendësuar nga oligarkët barkderrë, kriminelët, trafikantët e të korruptuarit. Ja pse e nesërmja do të hyjë në histori si dita më e madhe në historinë e kombit shqiptar. Sepse është dita e bashkimit më të madh të padëgjuar më parë ndër vite”, deklaroi Basha.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne