Bashkëpunimi ushtarak ndërmjet Rusisë dhe Turqisë po thellohet derisa marrëdhëniet e Ankarasë me Washingtonin po përkeqësohen. Ushtrimet ushtarake detare të kohëve të fundit ndërmjet Rusisë dhe Turqisë dhe shtimi i bashkëpunimit ushtarak në Siri, po ndodhin, derisa aleatët e NATO-s po vënë në pikëpyetje aleancën e Turqisë me forcën mbrojtëse perëndimore.

“Realizimi i manovrave të përbashkëta ushtarake ruso-turke, janë një mesazh edhe për perëndimin edhe për Lindjen e Mesme, se të dyja palët po bashkëpunojnë”, tha Zaur Gasimov, një analist me seli në Stamboll i fondacionit Max Weber.

Përzgjedhja e Detit të Zi për manovrat e përbashkëta është një simbolikë e fuqishme, duke pasur parasysh se ai është vatër e tensioneve ndërmjet NATO-s dhe Rusisë.

“Ky është një tjetër konfirmim se Turqia ‘është një njeri i çuditshëm në dhomë’ kur bëhet fjalë për të qenit anëtare e NATO-s. Pothuajse të gjithë mendojnë se Turqia është anëtare vetëm në letër”, tha eksperti i shkencave politike Cengiz Aktar, duke shtuar se “sa e suksesshme ishte Moska në shkëputjen e Turqisë nga NATO-ja”.

“Ky është një trend larg të qenit i përkohshëm apo taktik; kjo është strategji afatgjatë e Rusisë”, theksoi Cengiz Aktar.

Moska nxitoi të shfrytëzojë tentimet dypalëshe ndërmjet Ankarasë dhe Washingtonit rreth një morie dallimesh.

“Përmirësimi i pashembullt i marrëdhënieve turko – ruse, duhet parë në kuadër të përkeqësimit të pashembullt të lidhjeve ndërmjet Ankarasë dhe Washingtonit”, tha Zaur Gasimov.

Mbështetja e Washingtonit për forcat kurde YPG në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik, çoi në thyerjen e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë, një aleate e NATO-s. Ankaraja i ka shpallur luftëtarët YPG si terrorist të lidhur me PKK-së (Partia Punëtore Kurde), e cila drejton një kryengritje shumëvjeçare në Turqi.

Vendimi për të blerë raketa ruse S-400 nga Ankaraja, ka shtuar më tej tensionet ndërmjet Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara. Washingtoni paralajmëroi sanksione nëse blerjet përmbyllen duke theksuar se raketat kërcënojnë sistemet mbrojtëse të NATO-s.

“Rusët besojnë se Turqia do t’i blejë raketat S-400 dhe për Moskën marrëveshja ka në radhë të parë, ndikim politik”, tha Gasimov. “I gjithë procesi i shitjes dhe blerjes së raketave S-400 ka helmuar lidhjet e lëkundura midis Ankarasë dhe Washingtonit”.

Derisa ndarjet SHBA-Turqi thellohen, Ankaraja dhe Moska po shtojnë bashkëpunimin në Siri. Rusia dhe Turqia, rivale më parë gjatë luftës civile, po punojnë së bashku përkrah Iranit për t’i dhënë fund konfliktit nën përkujdesjen e të ashtuquajturit “procesi i Astanës”.

Këtë muaj, forcat turke dhe ruse filluan të bashkërendojnë patrullimet ushtarake në Idlib, enklava e fundit e kryengritësve në Siri. Patrullimet janë pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të arritur midis presidentit rus, Vladimir Putin dhe atij turk Recep Tayyip Erdogan.

Marrëveshja shmangu një ofensivë të regjimit sirian në krahinën e Idlibit, që kishte të ngjarë të nxiste një eksod të refugjatëve në Turqinë fqinjë.

Megjithatë, analistët vënë në mëdyshje qëndrueshmërinë e bashkëpunimit ruso-turk në Idlib. “Rusët herët apo vonë do të pastrojnë Idlibin nga dhjetëra mijëra terroristë’, tha Aktar, “dhe kjo është pika e parë dhe më e rëndësishmja e mospajtimeve ndërmjet Ankarasë dhe Moskës”.

Patrullimet e përbashkëta në Idlib pasuan nervozizmin e Moskës me Ankaranë rreth asaj që Moska e ka cilësuar, dështim të forcave të armatosura turke për të frenuar grupet radikale në Idlib.

Tjetërsimi në rritje e Turqisë nga aleatët e saj tradicionalë perëndimorë, duket se do të vazhdojë duke marrë parasysh lidhjet e thelluara të Ankarasë me Moskën dhe analistët paralajmërojnë për realitete të pashmangshme historike e diplomatike.

“Historikisht që nga Pjetri i Madh (cari rus i shekullit te 18-të), turqit dhe rusët kurrë nuk kanë pasur një synim të përbashkët strategjik, kurrë për 300 vjet me radhë”, tha Aktar. “Po ashtu nuk është e mundur që tani të fillojnë të puthen e të kenë synime të përbashkëta strategjike; këto dy vende gjithmonë do të mbeten rivalë rajonal. Për fat të keq nese Ankaraja mendon se mund të nxisë rusët dhe amerikanët kundër njëri tjetrit; kjo nuk do të funksionojë”

26