Bashkia e Elbasanit rrit bashkëpunimin me Turqinë në fushën e arsimit

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini ka pritur në një takim zyrtar ambasadorin e Turqisë në Tiranë, Ahmet Yoruk.

Dy zyrtarët diskutuan mbi thellimin e bashkëpunimit dhe propozime konkrete që qeveria turke mund të mbështesë në qytetin e Elbasanit. Kërkesat e kryetarit të bashkisë, Sejdini kanë qenë të përqëndruara në sektorin e arsimit si një nga sektorët më të rëndësishëm për të ardhmen e një vendi.
“…Sot patëm një takim shumë interesant dhe shumë konkret. Patëm një bashkëbisedim për bashkëpunim në fushën e arsimit në të gjitha drejtimet e arsimimit, një bashkëpunim krejtësisht të ri, për të dhënë një kontribut për qytetin e Elbasanit, sigurisht që këto janë bisedimet e para, por janë shumë konkrete…”.

Gjithashtu, në këtë takim u ra dakord që bashkia e Elbasanit do të binjakëzohet me bashkinë Edirne, binjakëzim i cili është kërkuar nga vetë kryetari i kësaj bashkie, për shkak të origjinës së tij shqiptare. Ky binjakëzim, theksoi Sejdini nuk do të jetë një bashkëpunim në letra, por konkret për të dyja palët.

“…Gjithashtu sot vendosëm të kemi një bashkëpunim me bashkinë e Edirnesë, meqë edhe kryetari i bashkisë është me origjinë shqiptare, një bashkëpunim jo vetëm me bashkinë, por edhe me prefekturën, por që janë bashkëpunime konkrete për binjakëzime. Gjithashtu biseda jonë u zhvillua për zhvillimin e qytetit të Elbasanit, nëpërmjet punës së ambasadorit dhe këshilltarëve të tij, që ishin të pranishëm në këtë takim. Unë shpresoj shumë që së shpejti do të kemi punë konkrete, unë nuk jap afate, por mund të them në shtator. Jam shumë optimist dhe më vjen mirë që ambasadori është shumë konkret…”.

Nga ana e tij, ambasadori turk, Ahmet Yoruk vlerësoi figurën e Sejdinit dhe punën e tij në krye të bashkisë së Elbasanit, por edhe miqësinë që ekziston midis dy vendeve Shqipëri-Turqi.
“…Sot, ndjej një kënaqësi shumë të madhe që kam ardhur në qytetin e Elbasanit, një ndër qytetet më të veçantë të Shqipërisë, të këtij vendi mik dhe vëlla. Ndjej kënaqësi të veçantë që pata një takim tepër kuptimplotë dhe të dobishëm me kryetarin e bashkisë së Elbasanit, një personalitet politik, i njohur për aftësitë e tij të integrimit të pushtetit lokal. Ne, kemi ecur së bashku me vëllezërit dhe miqtë tanë shqiptar ndër shekuj. Në këtë ecje, gjithmonë përpara do ta konkretizojmë me shumë projekte. Para se të vija këtu në Elbasan, isha në qytetin e bukur të Belshit, ku mora pjesë në përurimin e një kopështi. Për mua, është një lumturi dhe kënaqësi kur shikoja ato fytyrat e lumtura të fëmijëve të atij kopshti. Siç tha edhe zoti kryetar, ne diskutuam shumë çështje dhe ramë dakord për disa çështje, kryesisht në fushën e arsimit, sepse kemi bindjen që edhe fëmijët tuaj janë edhe fëmijët tanë. Ne do të vazhdojmë të japim ndihmë më të madhe dhe mbështetje. Unë kam bindjen personale që populli shqiptar është një popull i zgjuar, vetëmohues, shumë punëtor dhe një popull i prirur për t’u integruar shpejt me të renë. Ne, kemi bindjen se të rinjtë shqiptar, këtu në Shqipëri i pret një e ardhme e mirë dhe e begatë. Nëse më lejoni në fund, dua të them se në kuadrin e përqasjes së përgjithshme që ka Turqia për Shqipërinë, ne kemi bindjen se në ditë të mira dhe ditë të vështira, dora që mbështet është më e fuqishme se gjuha që kritikon...”, përfundoi Yoruk.

Pas këtij takimi, ambasadori turk ka vijuar me të tjera takime me pushtetin lokal në Elbasan./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne