Bashkia Pogradec: Bregliqen të pastër për turistët dhe vizitorët

Qyteti frekuentohet nga më shumë se 220.000 turistë e vizitorë

Qytetarët ende nuk kanë kuptuar që liqeni është pasuri e tyre

Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit Bashkia e Pogradecit e nisi më herët punën për pastrimin e bregut të Liqenit. Pritet që në fund të javës gjithçka të jetë gati në pritje të vizitorëve dhe të turistëve. Bregliqeni i Pogradecit ka një gjatësi prej 25 kilometrash, një shtrirje kjo që nuk konsiderohet e vogël. Për qytetin e Pogradecit mbetet një pasuri e artë. Bregliqeni dhuron për çdo qytetar, vizitor dhe turist mundësinë e një shëtitjeje të shëndetshme, panoramë të mrekullueshme që përshfaqet këtej dhe andej liqenit, ajrin e pastër dhe miq të shumtë vendas dhe të huaj. Kjo është dhe arsyeja që qyteti frekuentohet çdo vit nga jo më pak se 220 mijë vizitorë dhe turistë. Punimet për pastrin e bregut po kryhen nga Ndërmarrja e Punëve Publike të Bashkisë Pogradec, ku janë përshirë njerëz dhe mjete të mjaftueshme për përfundimin në kohë të këtij procesi.

Përgatitja e bregliqenit, e përvitshme

Shtrirja e bregliqenit nis në Lin dhe përfundon në Tushemisht, por për më shumë na njeh administratori i njësisë Administrative, Paqësor Berberi. “Përgjithësisht, puna nis në “Vilat e Tushemishtit”, duke ndjekur çdo kilometër të bregut, na thotë ai. Ndotja ndodh edhe për shkak të përroit të Vidohovës dhe përroit të Rrëmenjit, të cilët sjellin ujërat e tyre në liqen, duke mbartur me vete papastërtitë që mbledhin gjatë rrugëtimit të tyre.

Gjithashtu, liqeni ndotet edhe për një arsye tjetër, pasi bregu i tij në një gjerësi prej 500 metrash, deri në buzë të liqenit, është fushë e mbuluar gjithnjë nga rëra, ku mbijnë resa (bimë barishtore të liqeneve) dhe barëra të tjera, të cilat rrëmbehen nga valët e liqenit. Bregu ndotet edhe nga qytetarë të papërgjegjshëm, të cilët hedhin mbetje të ndryshme përgjatë tij. Por liqeni ynë ka edhe një karakteristikë të veçantë, ai “vetëpastrohet”; kur ujërat janë tërhequr dhe fryn veri, liqeni nxjerr në breg të gjitha barërat dhe algat, resat etj., të cilat duhen hequr. Pastrimi i bregut të liqenit është proces i përvitshëm dhe i kujdesshëm, në kuadër të masave për çdo sezon të ri turistik. Këtë gjë po bëjmë edhe këtë vit.

Bregliqeni ka përkushtimin e Bashkisë

Ndërkohë, nënkryetari i Bashkisë, Abdulla Cane, na njeh me përkushtimin e Bashkisë Pogradec për një bregliqen të pastër dhe të bukur. Këtë vit, – thotë Cane, – puna për pastrimin e bregliqenit nisi më herët, pasi bregu pati një ndotje më të madhe. Qytetarët tanë ende nuk e kanë kuptuar që për liqenin dhe bregun e tij duhet të tregojnë kujdes dhe ta mirëmbajnë, pasi kjo dhuratë e natyrës është shumë e vyer për gjithsecilin. Mesa duket kërkohet më shumë sensibilizim. Megjithatë ne kemi për detyrë që vija liqenore në gjithë gjatësinë e saj të jetë e pastër me kushte optimale për mirëpritjen e vizitorëve dhe turistëve.

Në këtë sezon turistik gjithçka po bëhet gati në kohë me përgjegjësi maksimale. I sigurojmë pushuesit se 25 kilometrat e bregut të liqenit do të jenë në shërbim të tyre. Mendojmë se bregliqeni do të jetë gati shumë shpejt, ndoshta në fund të javës, ku e gjithë vija bregliqenore do t’u shërbejë turistëve, vizitorëve dhe vetë qytetarëve të Pogradecit, të cilët e frekuentojnë për shëtitje dhe për të shijuar panoramën e mrekullueshme të liqenit dhe të natyrës. Edhe këtë vit jemi në pritje të më shumë se 220.000 vizitorëve dhe turistëve. Pogradeci po bëhet gjithnjë e më i frekuentueshëm nga viti në vit, sepse në këtë drejtim kemi investuar mjaft.

Përkushtim ndër vite

Kujtojmë me këtë rast se procesi i hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor të bashkisë Pogradec, i mbështetur nga Ministria e Zhvillimit Urban nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit si institucioni që bashkërendon procesin e planifikimit dhe zhvillimit të territorit, ka pasur si institucion udhëheqës Bashkinë Pogradec, e cila ka ndërmarrë nismën për hartimin e PPV-së, në muajin tetor 2015, duke e miratuar këtë dokument edhe në Këshillin Bashkiak (Vendim nr.45 datë 28.10.2015).

“Besoj se idetë e prezantuara në këtë plan, do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë tek rritja e nivelit të punësimit, si dhe do të mbulojnë nevojën për infrastrukturë sociale në një qytet që është i ngarkuar jo pak me infrastrukturë shërbimesh ose banimi që ka ardhur si rrjedhojë e urbanizimit të viteve të fundit. Vëmendje në këtë plan i është kushtuar edhe promovimit të aseteve kulturore dhe historike të qytetit, si mënyra më e mirë për të nxitur sa më shumë vizitorë vendas dhe të huaj. Vizioni i PPV-së mbështetet kryesisht në zhvillimin e Sektorit të Turizmit, duke e kthyer Bashkinë Pogradec në një vend turistik shumë-sezonal dhe multi disiplinor…”, shkruan në hyrje të prezantimit të këtij plani, kryetari i Bashkisë Pogradec, Z. Eduard Kapri.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne