Bashkia Tiranë u jep pronat e saj 4 kompanive për të ngritur pallate, do marrë 40 % të ndërtimit

Bashkia e Tiranës pritet të miratojë në mbledhjen e saj të ardhshme një vendim i cili i kalon katër kompanive të ndërtimit, pasuri që janë në pronësi të Bashkisë Tiranë. Marrëveshjet janë me kompanitë Startek, Milo 2000, M.Petrela dhe Arlis Ndërtim.

Kompanitë do t’i përdorin këto pasuri për të ndërtuar dhe zgjeruar ndërtimet që kanë nisur në zonën aty pranë, ndërsa Bashkia do të marrë në këmbim 40% të sipërfaqes që mund ta përdorë për nevojat e saj si kopshte, çerdhe apo ambiente të tjera për strehim.

Vendimi nr. 53 datë 26.04.2018 të Këshillit Bashkiak “Për përcaktimin e procedurës për negocimin me zhvilluesit privat që shprehin interesin që të bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës nëpërmjet marrëveshjes për pronat në pronësi të saj”, i jep të drejtë Bashkisë që në cilësinë e pronarit të sipërfaqeve të caktuara të parcelave, mund të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me palë private që janë duke zhvilluar ose do të zhvillojnë parcelat kufitare, duke vlerësuar sipas rastit shkëmbimin apo një tjetër transaksion në lidhje me të drejtën e zhvillimit të kësaj prone, duke mbajtur parasysh në çdo rast ruajtjen dhe garantimin e interesit publik, ruajtjen dhe rritjen e vlerës ekonomike të pronës sipas parimit të dobishmërisë më të madhe publike.

Bashkia ka dhënë detaje vetëm për marrëveshjen që pritet të miratojë me kompanitë Startek.

Në rastin e kompanisë Startek bëhet fjalë për tre pasuri që ndodhen në Rrugën e Kavajës, me një sipërfaqe totale prej gati 1400 metra katror (1363).

Ndërkohë, kompania “Startek” sh.p.k ka lidhur Kontratë Sipërmarrje nr.2916 rep, 940, kol, datë 04.05.2017, me pronarët privatë të një pasurie me sipërfaqe 682 m2 që ndodhet në kufi me pasuritë e Bashkisë, me qëllim ndërtimin e një Godine Banimi dhe Shërbimesh.

Në këtë mënyrë sipërfaqja totale që firma do të ketë në dispozicion do të shkojë në rreth 2000 metra.

Sipas relacionit, zona ka një pozicion mjaft të favorshëm në qytetin e Tiranës. Ajo aksesohet nga dy rrugë të rëndësishme “Muhamet Gjollesha” dhe “Bulevardi Gjergj Fishta”, në tërësi Godina do të ketë banesa dhe njësi tregtare dhe një kat parkim nëntokë.

“Për sa më sipër nga përfshirja e trojeve të Bashkisë Tiranë, sipërpërmendur, për t’u bashkëzhvilluar me trojet private, me masën e propozuar nga komisioni i negocimit sipas përqindjes së dakortësuar prej 40% të sipërfaqes totale ndërtimore që do të përftohet nga përfshirja e këtyre parcelave në zhvillim, mund të përfitohen sipërfaqe të konsiderueshme si pjesë takuese për Bashkisë Tiranë, të cilat mund të përdoren për nevoja publike si kopësht ose çerdhe ose ambiente të tjera të nevojshme për Bashkinë Tiranë sipas nevojave dhe për strehim social”, thuhet në relacion./Monitor/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne