Bashkim Fino dorëzon mandatin e deputetit, kandidon për kreun e FSHF

Duket se për Armando Dukën nuk do të ketë më një mandat tjetër si President i Federatës Shqiptare të Futbollit, pasi përballë tij do të jetë një kandidaturë e fortë, e cila ka për më tepër mbështetjen politike të kryeministrit Edi Rama. Burime ekskluzive të Lapsi.al thonë se nesër Bashkim Fino do të zyrtarizojë kandidaturën e tij për postin e kreut të FSHF-së.

Për këtë garë ai do të dorëzojë edhe mandatin e deputetit që ka marrë në zgjedhjet e 25 qershorit. Burimet i thanë Lapsi.al se Fino e ka gati platformën për të sfiduar ‘të paprekshmin’ Armando Duka, i cili kërkon mandatin e pestë në krye të futbollit shqiptar. Pak kohë më parë Duka e Fino shkëmbyen replika publikisht. I pyetur gjatë një interviste për kandidimin e mundshëm të Bashkim Finos, Duka nuk e kurseu ironinë teksa u shpreh:

Nëse Bashkimi do të jetë kandidat për president si përfaqësues i Partisë Socialiste, ai duhet të dalë nga zyrat e saj. Nëse jo, partia duhet të bëjë të kundërtën dhe të thotë se distancohet nga kjo iniciativë që është e drejta e plotë e zotit Fino, e cila mund të jetë private. Partia Socialiste patjetër që do ta bëjë këtë gjë. Ose do ta vendosë si kandidatin e saj, ose do të thotë që është iniciativë private. Kjo do të jetë në të mirën e lojës që futbolli të mos jetë i varur nga politika”.

Pas kësaj ka patur reagim edhe nga Bashkim Fino, i cili i ka kërkuar Armando Dukës të linte mënjanë sarkazmën, duke i kujtuar në të shkuarën mbështetjen e Partisë Socialiste.

Por gara mes Finos dhe Dukës nuk mund të mos jetë pa sfond politik. Kandidati-deputetet, do të ketë një mbështetje jo të vogël nga qeveria. Kujtoni që shumica e kryebashkiakëve të vendit janë të zgjedhur nga PS-ja. Me një urdhër të Ramës të gjithë mund të vihen në rresht për të votuar Finon. Por edhe Armando Duka ka mbështetjen e vet. Së fundi janë denoncuar në media disa shoqata fantazmë, të cilat drejtohen nga njerëz pranë tij.

Këto shoqata votojnë për kreun e FSHF-së, duke ia lehtësuar rezultatin Armand Dukës që në nisje. Por mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin gjërat deri atëhere dhe ajo që duhet thënë është se deri më tani, zyrtarisht as Armand Duka nuk e ka konfirmuar rikandidimin për mandatin e pestë.

Njeriu që drejton futbollin shqiptar prej 16 vjetësh është akuzuar jo pak për abuzim me fondet, ndeshje të trukuara apo dhe favorizim të ekipeve të caktuara të kampionatit, si dhe deri në marrje ryshfeti për të pranuar në kombëtare futbollistë të ndryshëm. Në vitin 2006 kur Berisha erdhi në pushtet, bëri përpjekje për ta larguar Dukën nga FSHF-ja, por kjo u frenua edhe me ndërhyrjen e UEFA-s, e cila kërcënoi se nëse do veprohej më tej, vendi ynë do të përjashtohej nga organizmat ndërkombëtar të futbollit. Nëse garat e tjera i ka fituar lehtësisht, kjo ndoshta do të jetë gara ku Armando Duka do të frenohet pas 16 vitesh si president i FSHF-së. Megjithatë mbetet të presim!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne