“Bashkim Shqipëri-Kosovë? Le të flasë populli me referendum

Në një intervistë për shtypin e Tiranës Albin Kurti ka folur rreth situatës në Kosovë pas zgjedhjeve dhe për suksesin që Lëvizja Vetëvendosja ka arritur.

I pyetur se nëse do të bëhet kryeministër i Kosovës a do të kërkojë bashkimin me Shqipërinë, Kurti tha se do t’i japë qytetarëve të Kosovës të drejtën për të vendosur me referendum për të gjitha çështjet madhore, përfshirë edhe bashkimin me Shqipërinë.

“Nuk e bën bashkimin kryeministri i Kosovës, por populli i Kosovës. Ajo çfarë do të bëjmë në qeverinë e LV, është që t´i japim popullit të Kosovës të drejtën e referendumit, të cilën sot nuk e ka” – tha lideri i LV ne intervisten per Shqiptarja.Com

Keni paralajmëruar një politikë ndryshe edhe me Shqipërinë? Si do të jetë ajo?

Qeveria e LV do të jetë një lokomotivë e proceseve politike që do t´i afrojnë shumë e do t´i integrojnë disa segmentë të shoqërisë së Kosovës e Shqipërisë. Deri më sot politikat e përbashkëta janë kufizuar në mbledhje ceremoniale, në marrëveshje bilaterale pa institucione e mekanizma të përbashkët, në fotografi e në projekte të ngadalta apo të ndërprera. Do të jetë tjetër ritëm dhe tjetër shpejtësi me LV në qeveri. Bashkimi dhe koordinimi i tregjeve e i sektorëve prodhues, njësimi i praktikave administrative, bashkimi i sistemeve arsimore dhe atyre të prodhimit kulturor, ligat sportive të përbashkëta, koordinimi dhe njësimi i politikave fiskale e doganore. Pra, ka shumë fusha ku mund të veprojmë e ku do të veprojmë, bashkë me qeverinë e Shqipërisë, gjatë qeverisjes së LV.

 Këtë javë mbahen zgjedhjet edhe në Tiranë, keni një preferencë për fituesin e zgjedhjeve?

Cilado që të jetë qeveria e ardhshme e Shqipërisë, ne do të kemi marrëdhënie të shkëlqyera me të. Raportet me të gjithë drejtuesit e partive politike kryesore i kemi shumë të mira. Sigurisht, ne jemi një forcë me orientim të majtë, socialdemokrat, megjithatë nuk na takon të përzihemi në fushatën zgjedhore për t’i treguar votuesit të Shqipërisë se cilën parti të zgjedhin. Jam i bindur se edhe në Shqipëri masa më e madhe e votuesve do të votojnë me idealizëm, për forcim e përparim të shqiptarëve në Ballkan, për zhvillim ekonomik që sjell punësim si edhe për drejtësi në shoqëri e në institucione. Sami Frashëri thoshte: “Jeta e një shteti dhe lumturia e një kombi sigurohet vetëm me bashkim dhe barazi. Zhdukja e barazisë shkakton humbjen e lirisë. Privilegjet janë shokë të tiranisë.”

Nëse do të bëheni kryeministër i Kosovës a do të kërkoni bashkimin me Shqipërinë?

Dëshira dhe interesi i qytetarëve tonë në të dy anët e kufirit të tilla janë. Këtë personalisht do ta kërkoj gjithnjë, pavarësisht pozitës ku do të ndodhem. Megjithatë është e rëndësishme që të sqarohemi se nuk e bën bashkimin kryeministri i Kosovës, por populli i Kosovës. Ajo çfarë do të bëjmë në qeverinë e LV, është që t´i japim popullit të Kosovës të drejtën e referendumit, të cilën sot nuk e ka. E drejta për referendum është një ndër themelet e të qenit sovran. E pastaj, kur të jetë e drejta për referendum, populli i Kosovës le të flasë vetë, kur të jetë momenti.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne