Ejup Alimi, deputeti i BDI-së, njëherësh koordinator i grupit parlamentar të partisë së Ahmetit, ka komentuar deklaratën e mbrëmshme të kryeministrit Zoran Zaev lidhur me qëndrimin kundër të Qeverisë së re për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, shkruan gazeta KOHA.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, duke aluduar te Zaevi, Alimi ka shkruar se “kushdo që flet për kundërshtimin e Kosovës, qoftë edhe kundër anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare siç është UNESCO, ka folur kundër gjithë shqiptarëve kudo që janë, ka folur kundër SHBA-ve, NATO-s dhe kundër Bashkimit Evropian”.

Ja postimi i plotë i deputetit Alimi:

“Maqedonia shtetin e pavarur të Kosovës e ka njohur që para nëntë vitesh, ose saktësisht – në dhjetor të vitit 2008. Pavarësia e Kosovës është projekti më i madh i gjithë shqiptarëve, SHBA-ve, NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Dhe, kushdo që flet për kundërshtimin e saj, qoftë edhe kundër anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare siç është UNESCO, ka folur kundër gjithë shqiptarëve kudo që janë, ka folur kundër SHBA-ve, NATO-s dhe kundër Bashkimit Evropian. Kosova u takon shqiptarëve dhe qytetarëve të saj, të cilët me shekujt kanë ëndërruar pavarësinë e sodit. Reterimi nuk i ngjan askujt, hiç më pak atyre që kalkulojnë herë andej e herë këndej. Qeveria e Maqedonisë dhe vendimet që i merr ajo nuk janë të një personi apo një partie politike, por të të gjithë partnerëve të barabartë në tryezën politike të saj”.

18