BE – Bashkëpunimi me Turqinë është shumë i rëndësishëm

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas bëri të ditur se bashkëpunimi me Turqinë në lidhje me emigracionin dhe migrimin e paligjshëm është shumë i rëndësishëm dhe se do të vazhdojnë të punojnë me homologët e tyre turq.

Schinas gjatë konferencës ditore për shtyp rikujtoi se 3 miliardë euro ndihma të dakorduara në kuadër të marrëveshjes së arritur mes Bashkimit Evropian (BE) dhe Turqisë për zgjidhjen e krizës së emigrantëve, nuk u dhanë qeverisë turke, por për plotësimin e nevojave të refugjatëve.

“Këto para nuk janë për Turqinë, por për 3 milionë refugjatë, të strehuar në këtë vend”, deklaroi Schinas.

Duke e vënë theksin në rëndësinë e bashkëpunimit me Turqinë në kuadër të marrëveshjes së arritur në vitin 2016 për vënie nën kontroll të dyndjes së emigrantëve, Schinas tha se “Bëhet fjalë për një proces dinamik dhe ne vazhdojmë të bashkëpunojmë me partnerët tanë turq”, ndërsa shtoi se qëndrimi i vendeve anëtare të BE-së në lidhje me marrëveshjen e arritur me Turqinë është që ajo të vihet plotësisht në jetë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne