BE deklaratë pro-izraelite për sulmet në Gaza

Teksa numri i dëshmorëve palestinezë nga sulmet izraelite në Gaza vazhdon të rritet, Bashkimi Evropian (BE) bëri thirrje për ndalimin e gjuajtjes së raketave nga rajoni i bllokuar në drejtim të Izraelit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Militantët palestinezë në Gaza duhet t’u japin fund gjuajtjes së raketave menjëherë. BE rithekson mbështetjen e fuqishme për sigurinë e Izraelit”, ka thënë në një deklaratë Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Marrëdhënie të Jashtme dhe Politika të Sigurisë.

Mogherini i ka shprehur ngushëllime popullit izraelit, duke shtuar se gjuajtjet e raketave shkaktojnë dhimbje “të papërshkrueshme” dhe nxisin dhunën.

Në deklaratën e saj, Mogherini nuk ka përmendur aspak palestinezët e vrarë apo plagosur si pasojë e sulmeve izraelite, në mesin e të cilëve kishte edhe foshnja dhe gra shtatzënë.

Sipas shifrave zyrtare palestineze, 20 persona kanë rënë dëshmorë dhe më shumë se 100 janë plagosur në Rripin e Gazës si rezultat i sulmeve të ushtrisë izraelite nga dita e djeshme.

Nga ana tjetër, tre persona pësuan në anën izraelite si pasojë e raketave të hedhura nga Gaza nga ana e grupeve palestineze.

Tensionet e fundit në Gaza u rritën pasi dy ushtarë izraelitë u plagosën me snajper të premten, me çka Izraeli ndërmori sulme ndaj vendbanimeve civile, kurse nga Gaza u realizuan kundërpërgjigje me raketa.

Izraeli dje nisi një operacion ajror me avionë luftarakë, duke cituar si arsye raketat e hedhura nga Rripi i Gazës.

Në mesin e shumë ndërtesave të goditura mbrëmë nga ushtria izraelite ishte edhe zyra e Anadolu Agency në Gaza./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne