BE-ja rrit me 4,8 miliardë euro në vit buxhetin e sigurisë për vitet 2021-2027

Bashkimi Evropian do të vendosë një trupë prej 10 mijë rojash në patrullimin e kufijve të saj tokësorë dhe detarë, sipas planeve që çojnë nga 3,5 në 4,8 miliardë euro në vit të shpenzimeve të Unionit për të shënjuar emigracionin në bllokun 28-anëtarësh.

Ndërtimi i infrastrukturës së re në kufi, përfshi këtu skanerë, sisteme automatike të njohjes së targave të automjeteve dhe laboratorë të lëvizshëm për analiza, do të jetë prioritet bashkë me patrullimet me qenë të trajnuar.

Duke publikuar planin e tij të shpenzimeve prej afro 30 miliardë eurosh për vitet 2021-2027, Komisioni Evropian këmbënguli se megjithatë nuk do të financonte vendosjen e rrethimeve në kufijtë e BE-së.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i kërkoi BE-së vitin e kaluar që të financonte rrethimin në kufijtë e vendit të tij me Serbinë dhe Kroacinë.

Një deklaratë e Ke-së thekson se financimi i tij kishte si qëllim të siguronte kontrollin e kufijve dhe jo mbylljen e tyre.

“Komisioni nuk ka financuar asnjëherë rrethimet në kufi dhe nuk do ta bëjë këtë as me buxhetin e ri të BE-së”, tha zëvendëspresidenti i KE-së, Frans Timmermans.

“Bazuar në eksperiencën e shkuar dhe faktin që emigracioni do të mbetet një sfidë në të ardhmen, ne propozojmë një rritje të paprecedentë në financime. Fuqizimi i kufijve të përbashkët të BE-së do të vazhdojë të jetë një prioritet madhor”, shtoi ai.

Edhe pse financimi shtesë është gjerësisht i pranuar nga shtetet anëtare, ato mbeten të ndara në lidhje me emigracionin dhe politikat e azilit edhe pas dy vitesh përplasjeje.

KE-ja do të nxjerrë Poloninë, Hungarinë dhe Republikën Çeke para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për faktin se ato nuk kanë respektuar kuotat e detyrueshme, që synonin të sistemonin rreth 120 mijë refugjatë sirianë.

Hungaria nuk ka pritur asnjë refugjat qëkurse kuotat janë miratuar, Polonia nuk e ka bërë këtë që nga viti 2016, ndërsa Republika Çeke nuk ka pranuar asnjë refugjat që nga muaji gusht i vitit të kaluar./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne