BeH, hapet solemnisht Xhamia e Mbretit në Foça

Para shkatërrimit të saj barbar, në një ditë të vetme në vitin 1992, këtu për pesë shekuj ka qëndruar Xhamia e Mbretit e cila është ndërtuar nga Sulltan Bajaziti II, u tha sot në ceremoninë e hapjes solemne të xhamisë së Mbretit në Foça të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë një numër i madh i besimtarëve, por edhe zyrtarë të shumtë.

E ngritur në një kodër mbi Foça, Xhamia e Mbretit për vite ka zbukuruar qytetin. Kësaj, si shumë xhamive të tjera në qytet iu vu zjarri në vitin 1992 dhe u rrafshua me tokë. Xhamia e Mbretit në Foça është një nga tridhjetë xhamitë mbretërore në BeH.

Kryetari i Këshillit Ndërtimor Sulejmen Pilav ka thënë se “Është e vërtetë se para shkatërrimit të saj barbar, në një ditë të vetme në vitin 1992 këtu pesë shekuj ka qëndruar xhamia e Mbretit e cila është ndërtuar nga Sulltan Bajaziti II”.

Ai rikujtoi se fillimi i rindërtimit të xhamisë nuk ishte aspak i lehtë dhe i thjeshtë, sepse Kisha Ortodokse Serbe (KOS) është përpjekur për të parandaluar rindërtimin e saj. KOS kishte argumentuar se në vendin e Xhamisë së Mbretit dikur ka pasur një kishë dhe kanë kërkuar që xhamia të ndërtohet në një vend tjetër.

Megjithatë, pasi që arkeologët e Institutit për Mbrojtjen kulturore, historike dhe natyrore të Republikës Sërpska përfunduan gërmimet në këtë vend, ka vazhduar ndërtimi i xhamisë së Mbretit, sepse nuk janë gjetur prova relevante për ekzistencën e kishës.

“Në rindërtimin e Xhamisë së Mbretit kanë punuar një numër i konsiderueshëm i punëtorëve të kombësive të tjera, kurse popullata lokale, pothuajse çdo ditë punëtorëve të angazhuar sipas traditës tonë të vjetër u ka ofruar kafe, lëngje …”, ka thënë Pilaf.

Ai ka falënderuar të gjithë njerëzit të cilët në ndonjë mënyrë kanë kontribuar për rindërtimin e Xhamisë së Mbretit.

Kryetari i Kuvendit të Foçës, Izet Spahiç ka ftuar partnerët nga Turqia, autoritetet lokale, popullatën lokale që jetojnë në diasporë që të vazhdojnë me investimet e tyre në zonën e Foçës, sidomos kur bëhet fjalë për projektet e energjisë dhe projekte në fushën e turizmit.

Themelet për rindërtimin e xhamisë janë vendosur në prag të Kurban-Bajramit në vitin 2013. Rindërtimi i xhamisë së Mbretit ka kushtuar rreth 1.5 milionë euro.

Xhamia e Mbretit është ndërtuar në vitin 1501 nga Sulltan Bajaziti II, kurse në luftërat e mëparshme është shkatërruar disa herë.

Bashkësia Islame e qytetit të Foçës deri në vitin 1992 kishte 12 xhami. Të gjitha janë shkatërruar, minuar, kurse mbetjet e tyre janë hequr. Deri më tani është rindërtuar vetëm njëra, xhamia e Atik Ali Pashës.

Në vijim është rindërtimi i xhamisë së famshme Alaxha, të cilën autoritetet serbe në vitin 1992 e minuan, dhe mbetjet e saj i groposën në deponinë e qytetit.

Xhami Alaxha është ndërtuar në mesin e shekullit të 16-të dhe ishte e njohur si një nga objektet më të vlefshme të kulturës orientale në Ballkan.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne