Belgjika thirrje për ndalimin e shitjeve të armëve në Arabinë Saudite

Zv/kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo, ka deklaruar se vendi i tij duhet të marrë shembull Gjermaninë dhe të ndalojë shitjen e armëve në Arabinë Saudite.

Duke folur për stacionin lokal VRT, De Croo i bëri thirrje vendit të tij të ndalë shitjen e armëve në Arabinë Saudite për shkak të vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi.

“Vendimi për eksportin e armëve është marrë nga parlamentet rajonale, prandaj ata nuk kanë autoritet tjetër përveç të këshillojnë. Nuk duhet të fshihemi prapa BE-së. Ne duhet ta marrim shembull Gjermaninë dhe të ndalojmë shitjen e armëve në Arabinë Saudite”, tha De Croo.

Sipas tij, ndalimi i eksporteve të armëve po ashtu do të kontribuonte në parandalimin e vdekjes së dhjetëra njerëzve që humbin jetën çdo ditë në Jemen.

Rajoni Walonia, një nga tre rajonet kryesore të Belgjikës, udhëhoqi shitjen në Arabinë Saudite me mbi 153 milionë euro vitin e kaluar.

Gjermania të dielën paralajmëroi se do të ndalonte eksportet e armëve në Arabinë Saudite midis dyshimeve mbi shpjegimin e Riadit zyrtar mbi vrasjen e gazetarit Khashoggi.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, kërkoi sqarime urgjente për vrasjen e Khashoggit, duke u shprehur se, “Sa i përket eksporteve të armëve, ato nuk mund të realizohen në kushtet aktuale”.

Ndërkohë, Kongresi i SHBA-ve pritet të ndalojë shitjen e armëve në Arabinë Saudite, pavarësisht kundërshtimit të presidentit Donald Trump.

Po ashtu edhe kryeministri kanadez, Justin Trudeau, për gazetarët në Parlament në kryeqytetin Ottowa, deklaroi se, “Kanadaja do të anulojë marrëveshjen e mbrojtjes me vlerë prej 15 miliardë dollarë me Arabinë Saudite”.

Për herë të fundit, Khashoggi është parë më 2 tetor kur hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll. Pas disa ditëve të mohimit për vendndodhjen dhe fatin e tij, Arabia Saudite të shtunën konfirmoi se Khashoggi u vra gjatë një zënke brenda konsullatës.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, sot konfirmoi se të gjitha informatat dhe dëshmitë që janë zbuluar deri më tani treguan se Khashoggi ishte viktimë e një vrasjeje “të paramenduar dhe mizore”.

Burimet e policisë turke theksuan se në ditën e zhdukjes së Khashoggit, 15 shtetas sauditë, përfshirë disa zyrtarë, arritën në Stamboll me dy aeroplanë dhe vizituan konsullatën përderisa Khashoggi ishte brenda. Të gjithë individët e identifikuar janë larguar nga Turqia.

Një ekip i përbashkët turko-saudit përfundoi një hetim mbi rastin në fjalë, pasi kryen ekzaminime në rezidencën e konsullit të përgjithshëm, si dhe në Konsullatën Saudite në Stamboll.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne