Belgjikë: Gjykata urdhëron Facebookun të ndalë gjurmimin e personave jashtë Facebookut

Një gjykatë belge urdhëroi të premten Facebookun që të ndalë përndjekjen e përdoruesve të internetit të cilët nuk kanë llogari në Facebook ose ndryshe do të perballet me një gjobë prej 250,000 eurosh në ditë.

Sipas gjykatës, Facebook mban nën vezhgim jo vetëm përdoruesit e tij, por edhe njerëzit që asnjëherë nuk kanë vizituar faqet e internetit të Facebookut.

Facebook duhet “të ndalojë përndjekjen dhe regjistrimet e përdoruesve të internetit në Belgjikë, përderisa ata janë në pajtueshmëri me ligjet belge të privacisë”, tha gjykata e Brukselit, raporton AP.

Facebook duhet ta publikojë vendimin prej 84 faqesh në faqen e vet dhe të publikojë pjesë të tij edhe në gazetat belge brenda tre muajve, tha një zëdhënës i gjykatës.

“Facebook gjithashtu duhet të asgjesojë të gjitha të dhënat personale të marra në mënyrë të paligjshme”, vendosi gjykata.

Vendimi prej 84 faqesh bazohet në një hetim të CPVP-së, mbikëqyrësi i privatësisë belge, i cili përcaktoi se Facebook përdorte programe të padukshëm (cookies,pixels) për të gjurmuar aktivitetin e përdoruesve të internetit.

Sipas gjykatës, përveç përndjekjes së përdoruesve të paregjistruar që klikojnë butonat “like” ose “share” në faqet e Facebookut edhe kur ata nuk kanë llogari të regjistruar, Facebooku gjithashtu gjurmon vizitorët e rreth 10,000 faqeve të palëve të treta përmes pikselve të padukshme të vendosura në ato faqe.

Një piksel i padukshëm në të vërtetë nuk është vërtet i padukshëm, ai është një imazh, HTML-ja e të cilit lejon që të futë kodin e nevojshëm për ndjekjen e personalizuar të aktivitetit të përdoruesit.

Jo vetëm që nuk ka marrë miratimin e përdoruesve për këto veprime, por Facebook nuk thotë se çfarë informacioni mbledh, përse e përdor informacionin dhe për sa kohë e ruan atë, tha gjykata.

Facebook ka reaguar duke thënë se do të apelojë vendimin e gjykatës.

“Ne jemi të zhgënjyer me vendimin e sotëm dhe synojmë që ta apelojmë,” tha Facebook në një deklaratë. “Gjatë viteve të fundit ne kemi punuar shumë për t’i ndihmuar njerëzit që të mësojnë se si ti përdorin “cookies”, në mënyrë që ta mbajnë Facebookun të sigurt dhe me përmbajtje të përshtatshme”.

Facebook tha se cookies dhe pixels që përdoren janë “standarde të teknologjisë”, të cilat lejojnë që qindra e mijëra biznese të ngrihen dhe të arrijnë klientët e tyre.

Organizata Evropiane e Konsumatorëve (BEUC) thuhet se e mirëpriti vendimin, njofton AP.

“Kjo është një fitore e madhe për përdoruesit e internetit që nuk duan që kompanitë e teknologjisë të monitorojnë çdo hap që bëjnë në internet”, tha në një deklaratë zëdhënësi i BEUC, Johannes Kleis .

“Ajo që Facebooku po bën është kundër ligjeve të Evropës për mbrojtjen e të dhënave dhe duhet të ndalet në të gjithë BE-në,” shtoi Kleis./sputnik/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne