Bëmat e kontrabandistëve shqiptarë reklamë për konserva mishi franceze

GJERGJI THANASI

Sic e kemi theksuar edhe në shkrime të tjera Shqipëria e fundit të shek. XIX ishte për evropianët një vend thuajse po aq ekzotik sa xhunglat në Afrikë, sa malet e Tibetit apo edhe pylli ekuatorial në brigjet e Lumit Amazona. Shpesh motive, ngjarje e kostume popullore shqiptare shërbenin për t’i dhënë një sharm ekzotik kartolinave, ilustrimeve të artikujve në gazeta e revista apo edhe reklamave të  ambalazheve të mallrave të ndryshme.

Fotoja me motive shqiptare, që ofrojmë për lexuesin, ka shërbyer si ilustrim për ambalazhin e konservave të mishit të një kompanie të famshme të gjysmës së dytë të Shek. XIX.

Kompania e konservave Liebig.

 

Kjo kompani u themelua nga aristokrati gjerman Graf Justus von Liebig dhe inxhinjeri belg Gheorge Christian Giebert. Kompania duke filluar nga viti 1867 hapi fabrika dhe filialet e saja në Gjermani, Francë, Belgjikë, Itali, Angli e SHBA. Konservat e mishit në fillim të përdorura nga ushtria si furnizim për trupat në marshim e në luftim për pak vjet u bënë shumë të preferuara edhe për civilët, për popullatën e gjerë. Cdo filial i kësaj kompanie, kutitë metalike të mishit të konservuar i zbukuronte me etiketa, që përmbanin skena ekzotike për t’i bërë sa më tërheqëse për klientët. Për ilustrim të shkrimit tonë krahas etiketës me motive shqiptare (prodhim i fabrikës franceze Liebig) po ofrojmë edhe një etiketë të përdorur nga fabrika italiane me motive të fiseve gjermane të antikitetit dhe një tjetër etiketë konserve mishi po prodhim francez, por me motive nga Egjipti i lashtë. Kutitë e mishit me etiketa me motive shqiptare të kësaj kompanie janë prodhim i vitit 1901, pra 117 vite më parë!

Konserva me etiketë me motive shqiptare

Etiketa me motive shqiptare ka të shkruar në frëngjisht krahas emrit të Kompanisë Liebig edhe: Montagnards. Contrebandiers Albanais surpris pas de douaniers. (Malësorë. Kontrabandistët shqiptarë pikasen nga doganierët).

Në etiketë kemi të pikturuar qartë 3 kontrabandistë shqiptarë të armatosur dhe në sfond duken me vështirësi nja tre të tjerë. Kontrabndistët shqiptarë për të mbrojtur mallrat kontrabandë (ballot në cepin e djathtë të pikturës) po shkëmbejnë zjarr me doganierët osmanë. Kontrabandistët shqiptarë janë të armatosur me pushkë me mbushje nga gryka, që ngjajnë shumë me pushkën e famshme mbarë shqiptare “Karajfile”, një prodhim artizanal shqiptar por me tytën e importuar nga Kompania “Carlo M.a Colombo e figlio” e Torinos, mjaft e famshme për prodhimin e armëve në gjysmën e dytë të Shek. XIX. Madje njëri nga kontrabandistët është pikturuar duke mbushur pushkën nga gryka me ndihmën e harbisë. Doganierët turq, që dallohen qartë nga “Fezi”, festet osmane në kokat e tyre fshehur pas shkëmbinjve, po u përgjigjen me zjarr kontrabandistëve shqiptarë. Nga tymi i bardhë, që mbulon pjesërisht pozicionet e doganierëve, kuptojmë se po hapet zjarr me pushkë me shul me nga një të shtënë me fishekë me barut të zi të markës “Piebody-Martini”. Në vitet 80 të shek. XIX ushtria osmane po armatosej me pushkë me barut pa tym (piroksilinë) të markës “Martini-Henry” dhe pushkët obsolete “Piebody-Martini” gradualisht po kalonin për armatosjen e xhandarmëirsë, gjymrykxhinjve (doganierëve), trupave bashibozuke apo trupave “redif” (rezerviste) të valës së tretë të mobilizimit. Në cepin e majtë poshtë të pikturës është portreti i një burri mustaqemadh me feste të kuqe në kokë. Festeja ka një xhufkë shumë të gjatë ndryshe nga “Fezi” tuniziano-turk. Feste të ngjashme mbanin qytetarët e detarët ulqinakë deri në vitet e Luftës së Parë botërore.

Shpresojmë që lexuesi të vlerësojë edhe këtë aspekt të një Shqipërie ekzotike, që tashmë nuk ekziston./ Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne