Beogradi, i gjithi “në këmbë”: Putin mbërrin në Serbi, në aeroport pritet nga Vuçiç

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka mbërritur në Serbi. Aeroplani më të cilin ka udhëtuar nga Moska drejt Beogradit, është ulur në aeroportin ‘Nikolla Tesla’.

Ambasadori rus në Beograd, Aleksander Chepurin është futur në aeroplanin e Putinit për ta shoqëruar presidentin rus, ndërsa ka qenë Aleksander Vuçiç ai i cili e ka pritur poshtë shkallëve të aeroplanit.

Putin dhe Vuçiç do të diskutojnë shumë çështje, kanë njoftuar mediat serbe.

Një ndër to pritet të jetë edhe çështja e zgjidhjes së problemit të Kosovës.

Për sigurinë e Putinit do të kujdesen rreth 5000 forca policore, ndërsa në Beograd do ta presin rreth 50 mijë njerëz.

Masat e sigurisë në kryeqytetin serb janë dukshëm të larta. Masat pasojnë protestat e mëdha të opozitës kundër presidentit Aleksandar Vuçiç dhe partisë së tij, javët e fundit, me demonstruesit që e akuzojnë se po shtyp lirinë e medias dhe po sulmon opozitën.

Pavarësisht masave të larta të sigurisë, mijëra njerëz raportohet të kenë planifikuar të dalin e ta përshëndesin liderin rus, ndërsa ai do të vizitojë Kishën e Shën Savës, më të madhen ortodokse në Serbi.

Edhe pse Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE, ajo mbetet aleate e ngushtë e Moskës. Shumëkush, pikërisht në këtë pikë dyzohet: nëse vendi është kaq i vendosur të anëtarësohet në Bashkimin Europian, përse ka një lidhje të tillë me Rusinë?

Karta e lidhjeve të ngushta me Moskën shfrytëzohet nga baza nacionaliste konservatore që mbështet Vuçiçin. Ajo nënvizon karakterin sllav, ortodoks të vendit, edhe pse orientimi i Serbisë është Perëndimi.

Vet presidenti rus ka dhënë dy intervista para vizitës së tij, duke nënvizuar lidhjet shekullore, e raportohet se do të nënshkruhen 21 marrëveshje me Beogradin, përfshirë ato në sektorë si energjia dhe mbrojtja.

Putin, ndërkohë, ka premtuar se do të vazhdojë zhvillimin e bashkëpunimit ushtarak dhe teknik me Serbinë dhe ka kritikuar BE-në për qëndrimin ndaj Kosovës. Kjo e fundit është paralajmëruar se do të jetë një nga temat në agjendën e bisedimeve mes Vuçiçit dhe Putinit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne