Berisha: Opozita me Edi Ramën nuk vjen kurrë në pushtet

Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur pro vettingut në politikë, propozim i bërë nga Partia Demokratike, ku përveç hetimi të pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve, në ‘sitë’, të kalojnë edhe politikanët e zyrtarët.

I ftuar në emisionin “Opinion”, Berisha pohoi se i pari që duhet të hetohet është kryeministri Edi Rama dhe shtëpia e tij në Surrel.

“Unë e konsideroj një rendësi të madhe këtë ligj, pasi 100 herë i kam thënë vetes, duke parë formularët e prokurorëve, gjykatësve dhe policëve, duhen hetuar dhe politikanët. Këta kanë shumë pushtet dhe mund të bëjnë pasuri të paligjshme. Dakord, por Vettingu është më shumë më shumë dhe i zbulon të gjitha. Si nuk mund të ketë vetting për sarajet në Surrel. Vettingu do gjej kullat, do gjej pallatet. Absolutisht po. Do ta përcaktojë ligjin. Unë nuk e përjashtoj këtë ide. Nuk kam frikë”, tha ai.

Ndër të tjera Berisha tha se me Edi Ramën në pushtet opozita nuk do të fitonte kurrë zgjedhjet, pasi ato sipas tij nuk do të ishin të lira.

“Nuk mund ta krahasoj me opozitën time. Të pretendosh që tjetri të ketë imitimin tënd, do ishte shumë e padrejtë. A ka bërë opozitë? Padiskutim që ka bërë opozitë të fortë. Unë do bëja gjithçka t’i çoja patkonjtë Edi Ramës qoftë edhe me mjetet që ju kundërshtoni. Në kushtet e grushtit të shtetit, mjetet janë të gjitha. Pa armë, ai ikën pa armë. Opozita me Edi Ramën nuk vjen kurrë në pushtet. Armik më të egër pas Enver Hoxhës nuk ka. Edi Rama nuk pranon kurrsesi votën. Ai duhet nxjerrë prej leckash nga zyra”, nënvizoi ish-lideri i PD-së.

Po ashtu Berisha deklaroi gjithashtu se në ambasadën shqiptare në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po ndërtohet një gradaçelë.

“A ka gjë në botë që fut në thes Sarajet e Surrelit? A ka gjë në botë që fut në thes kullën “Kristaq Rama” te stadiumi? A ka gjë në botë që fut në thes gradaçelën “Kristaq Rama” që do ndërtohet së shpejti në Nju Jork? Po prishet ambasada për të ndërtuar gradaçelën Kristaq Rama”, pohoi Berisha.
Burimi: BalkanWeb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne