Qytetarët i kthehen paranormales kur shoqëria i neglizhon ata.

nga Nexhat Ibrahimi.

Kur një shoqëri ngec në edukim dhe arsimim normal, ajo krijon hapësirë për depërtim të errësirës shpirtërore dhe ideore në atë shoqëri. Errësira identifikohet me jokompetencën, e personifikuar në mjekët popullorë, fallxhorët, hajmalixhinjtë e mashtruesit, të cilët flasin për të ardhmen, për të panjohurat, për të pamundshmet, duke i manipuluar njerëzit në nevojë materiale ose psikike, por që këtë mundësi ndihme nuk e ka askush tjetër pos Krijuesit. Dukuri të tilla janë të ditura për bashkësitë primitive në Afrikë, Amerikën Latine e pjesë të Azisë, por kur këto dukuri shfaqen në shoqëri bashkëkohore, të qytetëruara, te njerëzit që i rrethon elektronika, kjo gjendje brengos. Për më tepër brengos kur kjo bëhet në nivel shtetëror, në nivel të institucioneve më të larta arsimore, edukative, shkencore. (Shih: https://www.shqiperia.com/Sot-festa-e-Halloween-i-origjina-e-saj-legjendat-dhe-mitet.18834/)

Lajthitja si rezultat i padijes

Jeta është e gjallë dhe e ndërlikuar nëse njeriu nuk ecë binarëve të natyrshëm. Me këtë rast, lindin dilemat, shqetësimet, ngërçi shpirtëror e fizik. Në këtë gjendje, njeriu/grupi ka nevojë për ndihmë përkatëse për rehabilitimin e tyre, duke u dhënë rrugëdalje. Nëse ndihma mungon, njerëzit i kthehen paranormales, jonormales, të skajshmes, duke u përpjekur të shpëtojnë me ndihmën e fijes së kashtës mes oqeanit. Dëshira për të jetuar normalisht i largon njerëzit nga racionalja dhe, në këtë mënyrë, njeriu/njerëzit bien në grackat e padijes, injorancës.

Tekstet fetare kur’anore dhe të hadithit paralajmërojnë:

“A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë.” (Ez-Zumer, 9);

”…sikur të kishim dëgjuar dhe sikur të kishim pasur mend, ne nuk do të ishim ndër banuesit e zjarrit.” (El-Mulk, 10);

“Dija do të zhduket me vdekjen e dijetarëve derisa nuk mbetet në tokë asnjë, ndërsa njerëzit për prijës të tyre do t’i marrin injorantët, do të kërkojnë përgjigje prej tyre, ndërsa këta me padijen e tyre do t’u përgjigjen dhe ata dhe veten në mashtrim do t’i çojnë.” (Buhariu dhe Muslimi).

E qartë, drejt besëtytnisë shpie padija dhe të padijshmit. Madje, edhe në kohën e teknologjisë së avancuar besëtytnia është në rritje. Përse? Përgjigje ka më shumë, por ne do të cekim se dija aktuale është tejet sipërfaqësore, formale, e brishtë, teknike, jo e përjetuar, jo e mishëruar me pronarin e saj. Dija, aktualisht, është dekor, është diplomë, është instrument dëshmie për dijen, por jo vetë dija. Kjo dije po merr hov, duke u dhënë përparësi vlerave të rrejshme dhe njerëzve të pavlerë, duke krijuar mendësi tjetër, ku njerëzit më shumë vrapojnë, por fare pak ose aspak nuk meditojnë dhe duke e sjellë në humbje vetveten dhe të tjerët. (Shih: Selman Selhanović, Štovišeznanja to manje praznovjerja, në: https://www.preporod.com/index.php/misljenja/item/9211-sto-vise-znanja-to-manje-praznovjerja)

Kjo gjendje ka arritur në shkallë të lartë, saqë disa thonë se besëtytnia po bëhet formë universale dhe e përhershme e të menduarit në botën bashkëkohore. Kjo gjendje, ky nivel besëtytnie, me shenja alarmante, është shqetësuese, madje edhe depresionuese te një pjesë e konsiderueshme e popullsisë. Në kërkim të lehtësive nga kjo gjendje e rëndë shpirtërore e psikike, njerëzit mësyjnë forma të ndryshme rrugëdaljeje, të arsyeshme ose jo. Në popull kemi forma të ndryshme të besëtytnisë. Disa janë aq të njohura, sa është vështirë të largohen si joracionale, jofetare. Disa nga këto forma janë:

  • Kulti i gjarprit, i cili duhet të mos vritet;
  • Kulti i ujkut – pjesë të tij, si dhëmbi, konsiderohen të nevojshme;
  • Kulti i buklës, e cila ka fuqi mbrojtëse dhe hakmarrëse;
  • Kulti i fluturës, si gjallesë e mirë;
  • Kulti i maces së zezë, kur ta pret rrugën, andaj duhet ndërruar drejtimin;
  • Kulti i bletës, si gjallesë të bekuar. (Shih gjerësisht për besëtytninë nga përkufizimi, format, ndikimi, shtrirja e tjera: Dr. Orhan Bislimaj, Statusi i besëtytnive në besimin islam (Rasti i Kosovës), disertacion i mbrojtur më 28.11.2018 në Novi Pazar.)

Kemi edhe shfaqje tjera të këtij tipi, si “hapja e çadrës në shtëpi sjellë fatkeqësi”; “kruarja e dorës së djathtë d.m.th. se do të jepni para dhe e dorës së majtë d.m.th. se do të merrni para”; “patkoi i kalit i vendosur në derën e hyrjes mbron nga të këqijat”; “nëse vdes dikush në familje, ia këpusim kokën një pule, që mos të vdes edhe i dyti e i treti”; “pasqyra e thyer ka fuqi që të sjellë gjëra të këqija në jetë”; “e marta ‘e zezë’”, me ç’rast nuk lejohet puna, pastrimi etj.

Orientimi drejt besëtytnisë

Edhe pse nëpër xhami e vende tjera flitet për besëtytninë dhe pasojat e saj, duke ofruar alternativën e besimit të drejtë. Megjithatë, besëtytnia, në format e vjetra, ende është e pranishme dhe me të madhe dhe shumë lehtë depërton në format e reja, së paku të reja për nënqiellin tonë. („Besëtytnitë të cilat edhe sot ekzistojnë, janë me shekuj, të cilët u përpoqën t’i fshijnë”, në: https://wol.jw.org/sr-Latn/wol/d/r353/lp-sbo/101999761.) Mendimet e shkencëtarëve botërorë rreth kësaj dukurie janë të ndryshme, varësisht nga shkolla e mendimit. Duke e marrë parasysh kuptimin e fjalës nga latinishtja (superstitio), si besimi në veprimin e forcave të pashpjegueshme, besëtytni, është e qartë se feja e vërtetë dhe dija a paanshme janë faktorë për zbutjen, amortizimin ose edhe eliminimin e besëtytnisë. Indikative është thënia e shkencëtarit Stjuart A. Vajs, profesor i psikologjisë na Kolegjin e Konektikatit: “Edhe pse jetojmë në shoqërinë teknologjikisht të përparuar, besëtytnia është e shtrirë më shumë se kurdoherë më parë.”

Gjatë shekullit XX modernistët shekullarë menduan se modernizimi ekonomik dhe shoqëror çon në çrrënjosjen e religjionit si element me rëndësi në ekzistencën njerëzore. Po këta ishin të bindur se shkenca, racionalizmi dhe iluminizmi përgjithmonë do t’i eliminojnë besëtytnitë, mitet, irracionalitetin dhe ritualet, të cilat përbëjnë thelbin e feve ekzistuese. Shoqëria që po lind, sipas tyre, do të duhej të ishte tolerante, racionale, pragmatike, progresive, humaniste dhe shekullare. Konservatorët e shqetësuar kanë paralajmëruar për pasoja të tmerrshme me zhdukjen e besimeve dhe të institucioneve fetare, sidomos për sa i përket udhëheqjes morale, me të cilën religjionet e orientojnë mirësjelljen individuale dhe kolektive. (Mislav Kukoč, Neoliberalna globalizacija u sudaru civilizacija, në: Grup autorësh, Globalizacija i  neoliberalizam, Zagreb, 2006, fq, 33, ose:  https://books.google.com/books?id=hBD-K_8JszgC&pg=PA33&lpg=PA33&dq=praZNOVJERJE+in+islam&source=bl&ots=BpcmS35in8&sig=VSYTM_bG870acjLNjc4_OFZm58E&hl=en&sa=X&ved=2ahUKEwjDn4CH5-reAhWO_CoKHdmrDtQ4ChDoATAAegQIABAB#v=onepage&q=praZNOVJERJE%20in%20islam&f=false.) Sipas po këtij autori, synimi më nuk duhet të synohet modernizimi i Islamit, por islamizimi i “modernitetit”.

Në aspekt të vetidentifikimit religjioz e dimë se Islami e gjykon dhe i ndalon rreptë të gjitha llojet e besëtytnive në të gjitha shfaqjet e tyre. Islami e ndalon kërkimin e ndihmës nga ata që kanë nevojë vetë për ndihmë. Mashtrimi i njerëzve me fatkeqësi dhe manipulimi me ta, me qëllim përfitimi në mënyrë të lehtë, është i papranueshëm. Prandaj edhe lutja e njeriut duhet të jetë: “Vetëm Ty të adhurojmë, dhe vetëm nga Ti ndihmë kërkojmë.” (El-Fatiha, 5) Këtu duhet pasur parasysh se: Nëse Allahu të përfshinë me ndonjë të papritur, askush, përveç atij, nuk mundet ta largojë, por nëse të do të mirën, prapë askush nuk mund ta pengojë mirësinë e Tij. Ai me atë shpërblen kë të dojë nga robërit e vet dhe falë shumë, është mëshirëplotë”. (Junus, 107). Ndërkaq Muhammedi a.s. ishte i drejtpërdrejtë: “Ai që ka besim të dobët dhe iu drejtohet mashtruesve, nuk do të hyjë në xhenet.” (Hadith)

Tashmë është e qartë se zbehja, degradimi ose largimi i besimit ndër njerëzit shpie në gjendjen e indiferencës, pasigurisë, braktisjes. Në këtë gjendje të pashpresë, njeriu i drejtohet errësirës, irracionales, mashtrimit, sepse është e detyruar të gjejë shpëtim për vetveten, por këtë e bënë në mënyrë jo të drejtë. Ai u drejtohet mjekëve, bioenergjistëve, parapsikologëve, fallxhorëve dhe hajmalixhinjve të ndryshëm. Ata e shërojnë stresin, depresionin, madje edhe sterilitetin, mosmarrëveshjet bashkëshortore e mossukseset. Kjo, sidomos, është intensifikuar me zhvillimin e internetit dhe mediave të tjera elektronike e të shkruara. Madje, disa media fitimet kryesore i kanë nga reklamat e tilla.

Më rastisi në internet një psikolog me zanat, emrin e të cilit nuk do ta ceki, dhe më habiti gama e tij zanatliu, që konsideroj se është abuzim me fatkeqësinë e njerëzve. Të tillët, duke ikur nga fallxhorët, bien në grackën e titujve shkencorë mjekësorë. Puna që ofron ky psikolog dhe shumë të ngjashëm si ai, do të ishte kafshatë e madhe edhe për një klinikë, e lëre për një individ.

Përgjegjësia rrjedh nga besimi në Zot

Problemi i besëtytnisë është i pranishëm në të gjitha përmasat dhe pothuajse në të gjitha shtresat e shoqërisë. Përpjekjet për diagnostifikim dhe terapi nuk janë të lehta dhe kërkojnë përfshirjen e të gjitha strukturave shoqërore: ligjore, edukative-arsimore etj. Hedhja e fajit te shteti, te feja ose tek individi, nuk do ta zgjidhë çështjen, por do ta ngatërrojë.

Ndihma e sociologëve do të ndihmojë për konstatimin e përmasave dhe të thellësisë së problemit; ndihma e psikologëve do të ndihmojë në qasjen me të mirë karshi karakterit të individit ose grupit; ligji do të ndihmojë në kontrollimin e problemit që mos të dalë jashtë kontrollit shoqëror dhe t’i ndihmojë grupet e tjera të interesit që ta ofrojnë ndihmën e tyre. Por, problemi do të zgjidhet vetëm me përfshirjes e fesë, sepse mungesa e saj edhe e ka shkaktuar besëtytninë. Vakumi i krijuar nga mungesa e fesë nuk përmbushet me besëtytni, shtriga e gogolë, me Kësulëkuqe e Borëbardha, por vetëm me besimin në Zotin Një dhe të Vetëm. Shkenca pa besim krijon ateistë, ndërsa besimi pa dije krijon mistikë; të dyja këto, pa bashkëpunim të plotë, krijojnë skajshmëri. (Shih: Selman Selhanović, po aty. Gjerësisht: Nexhat Ibrahimi, Bazat e etikës islame – Ahlaku, Logos-A, Shkup, 2005, fq. 38-51.)

Pra, është evidente se pa fenë, besimin, njeriu nuk mund të ecë këmbë, por do të sorollatet herë djathtas dhe herë majtas. Por, shtrohet pyetja e fuqishme se sa janë organizatat fetare vendore të gatshme të ofrojnë prezantimin e fesë në mënyrën e duhur fetare, etike, objektive, shkencore. Ka kuadro të gatshme, që dinë çka duan apo ka sasi të kuadrit që reciton tekste, që përcaktojnë xhenetin dhe xhehenemin, për numrin e sevapeve, për vitet që do t’i kalojmë në xhenet apo xhehenem, që flasin për dexhallin e shtazën e tokës, për peshoren e Urën e Siratit, por nuk dinë dy fjalë për islamofobinë, globalizmin, scientizmin, ekzistencializmin, iluminizmin, ateizmin, pozitivizmin dhe liberalizmin. Ne kemi kuadro që gjithë kohën thonë se kemi politikën më të mirë, ekonominë më të mirë, kulturën më të mirë, por asnjë nuk ofroi një platformë publike politike, ekonomike, kulturore, që ka përgjigje karshi vetvetes dhe tjetrit, në frymën e besimit në Zotin Një dhe të Vetëm.

Organizatat fetare islame shqiptare, ne anëtarët e saj dhe faktorë të tjerë të interesuar, duhet dhe munden të ndihmojnë në zvogëlimin dhe eliminimin e besëtytnisë nëse i përvishen punës fetare e etike dhe e lënë pas shpine vesin/maninë e veshmbathjes mark, automjeteve mark, restoranteve ekskluzive, fotografive selfie nëpër vende të ndryshme turistike, sepse tërë këto janë sukses i të tjerëve, e jo i yni. Suksesi ynë është kur qytetarit t’ia ofrojmë ushqimin e përshpirtshëm të nevojshëm për të, kjo nëpërmjet metodave më të mira. Feja islame e ka këtë fuqi, e ka këtë urtësi, madje e ka dhënë provën e suksesit disa herë gjatë historisë.

23