Sulmi agresiv i bandës së Elbasanit mbi policinë konfirmoi faktin e dhimbshëm se krimi i organizuar në Shqipëri ka arritur formën më të lartë të organizimit, Mafien. Në historinë botërore të këtij organizimi konfirmohen të njëjtat karakteristika. Pasuri miliardëshe nga trafiku i drogës, korruptimi i policisë, lidhjet me nivelet e larta politike përmes mbështetjes elektorale, marrja e aseteve dhe pasurive publike dhe kulmon me agresionin arrogant ndaj vetë shtetit.

Në Shqipëri trafiku i drogës mori përmasat e biznesit miliardësh gjatë dy viteve të fundit. Në 2016-2017 sasia e parave të përfituara nga kjo veprimtari kriminale e kalonte buxhetin vjetor të shtetit. Në vende të tilla si Kolumbia, Meksika apo të tjera të Amerikës së Jugut të cilat kanë qenë dhe epiqendra botërore të trafikut të drogës ky biznes kriminal kapte miliarda por jo t? tejkalonte buxhetin e vetë shtetit. Rasti ynë duket më i dhimbshëm.

Një nga trafikantët më të mëdhenj në Meksikë, Amado Carrillo Fuente, mori pseudonimin “Zoti i Qiejve” për shkak të transportit të drogës me avionë të  mëdhenj. Në Shqipëri transporti i drogës me avionë u bë një fenomen masiv dhe përgjegjësit për luftën ndaj tyre talleshin “live” me shqiptarët duke ju treguar kaçatorrët që dezinfektonin mushkonjat.

Për Joauqin “El Chapo” Guzman kryetrafikant në Meksikë, tregohen shumë histori që ndihmonte të varfrit, apo paguante faturën e të gjithë personave që ndodheshin në restorantin ku ai hante. Në Shqipëri shëtitja e deputetëve nën shoqërinë e gangsterëve gjatë fushatës elektorale, market më market duke paguar listat e gjata të borxheve të qytetarëve zëvendësoj pothuajse totalisht takimet elektorale me qytetarët ku të paraqiteshin apo diskutoheshin programet qeverisëse.

Pablo Escobar ne Kolumbi pasi korruptoj pa fund policë, prokurorë e politikanë, pasi provoj edhe vetë për një kohë të shkurtër karrierën politike vendosi ti sulej me tank dhe blind stacioneve të policisë. Në Elbasan mafia e drogës ju vërsul me makinë të blinduar forcave të policisë gjatë ushtrimit të detyrës prej tyre.

Krimi i rëndë i Elbasanit në vend që të nxirret më shumë në dritën e diellit që ti jepet shans drejtësisë të bëhet po merr investim të madh që të fshihet dhe harrohet. Tentativa agresive e shumë operatorëve për ta transferuar ngjarjen nga sulmi mafioz ndaj shtetit në betejën mes grupeve kriminale është po ashtu investim i Mafias. Në Elbasan natën e 18 shtatorit nuk pati luftë midis bandave. Jo. Për fat atë e panë të filmuar të gjithë shqiptarët. Atë natë banda e Elbasanit ju vërsul me mjet të blinduar policisë. Ajo nuk guxoj të reagoj. Kaq e thjeshtë ishte ajo që ndodhi por shumë e thellë dhe komplikuar arsyeja dhe pasoja e saj.

Banda e Elbasanit nuk është e vetmja që ka arritur formën e lartë të organizimit kriminal, atë mafioz. Banda të tilla kemi parë në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Shkodër etj. Ky ishte dhe dështimi më i madh i shtetit. Shqipëria nuk mund të lejohet të kthehet përfundimisht në vendin ku anëtarët e klaneve mafioze të kapardisen rrugëve, restoranteve, kafeneve të qyteteve tona. Me armë në brez të gjobisin çdo biznes dhe trafikojnë çdo vajzë që piketojnë.

Të kryejmë ekzekutime dhe përvetësojnë pasuritë publike. Jo ! Shqipëria duhet të jetë vendi i turistëve që mëngjesi i gjen në Valbonë e mbrëmja në Llogara. E hëna në Berat dhe fundjava në bregun e Jonit. Ku shqiptarët e thjeshtë dhe jo mafia, të bëjnë biznes me bukuritë që ofron Thethi e Boga, Voskopojë e Kelmendi, Tomorri dhe Butrinti. Shqipëria nuk mund të kthehet në hambarin e drogave drejt Evropës por në mundësinë e fermerëve që eksportojnë gjithë vitin. Këto janë plotësisht të mbërrishme. Por që të ndodhin duhet mundur mafia. Beteja me të tani është betejë që nuk mund të ketë kthim pas. Ajo nis e mbaron tek pasuritë e paligjshme të saj.

Tek paratë e pista që lehtësisht sekuestrohen. Veç duhet vullnet politik që të bëhet ajo. Nëse nuk bëhet kjo, atëherë nuk ka luftë kundër Mafies. Kush do ta ofrojë këtë vullnet politik, kush do godasë pasuritë e vëna përmes krimit dhe që vihen në shërbim të krimit  do mund ta bëjë këtë betejë dhe do ta fitojë atë.

Autori është ish-presidenti i Shqipërisë

13