BIK: “Ndërhyrja militare në Al-Aksa kontribuon në nxitjen e konfliktit”

Ndërhyrjet e forcave të sigurisë izraelite kundër palestinezëve të cilët lutjet e tyre i kryenin në kompleksin e xhamisë Al-Aksa, kanë nxitur reagime të shumta nga udhëheqës dhe përfaqësues të institucioneve e organizatave të ndryshme në botë, të cilët dënuan fuqishëm dhunën izraelite ndaj muslimanëve të shtypur.

Një nga ata është edhe Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), zëdhënësi i të cilës në një deklaratë me shkrim për Anadolu Agency (AA) vlerësoi se “ndërhyrja militare në një objekt fetar të cilit do besimi është e papranueshme dhe jo e mirë për askënd”.

Ahmet Sadriu, zëdhënës i BIK-ut, thekson se ndërhyrja militare rrit tensionet ndër-fetare dhe ndër-nacionale, si dhe shton se qytetet dhe objektet e shenjta si Jerusalemi e Al-Aksa shërbejnë dhe ndikojnë në afirmimin e komuniteteve dhe ato nuk duhet të shfrytëzohen për tensione, konflikte dhe gjakderdhje.

“Në rastin në fjalë kemi të bëjmë me një objekt fetar që ka rëndësi të veçantë për besimtarët musliman. Andaj atakimi në çfarëdo forme i Aksa-së për besimtarët musliman është i papranueshëm. Objektet e kultit janë vend ku besimtarët i luten e falen Krijuesit, ndërhyrja militare në ato objekte përveç asaj që është e dënueshme dhe e papranueshme, një gjë e tillë kontribuon në nxitjen e konfliktit, urrejtjes dhe mosdurimit”, thotë ai.

Duke vënë në dukje se problemet nuk mund të zgjidhen me dhunë, Sadriu thotë se zraeli duhet të heq dorë nga dhuna dhe të dy palët t’i kthehen procesit të dialogut. “Duhet krijuar mundësitë që shteti palestinez të krijohet e funksionalizohet sa më parë, që të kemi paqe për të dy popujt dhe për rajonin”, thoti ai.

Sadriu thekson se ky konflikt ka rrënjë fetare dhe se “fatkeqësisht feja po përdoret për qëllime politike e hegjemoniste”. Duke theksuar se kjo ka ndikuar edhe në paqen dhe sigurinë e rajonit, zëdhënësi i BIK-ut thotë se kjo gjendje mund të thellojë krizën, por se “duhet parë mundësitë që kjo gjendje të tejkalohet”.

Sipas tij, për arritjen e paqes në Palestinë duhet angazhim i të gjithë faktorëve me ndikim, për të mundësuar që populli palestinez ta ketë shtetin e tyre të lirë dhe sovran.

“Jo vetëm vendet muslimane, por të gjithë faktorët relevant ndërkombëtar duhet të kenë vullnet të mirë që të angazhohen seriozisht që konflikti në Lindjen e Afërt të marrë fund. Kujtojmë që duhet rikthyer sa më para procesit të paqes dhe sigurisht që pa praninë, angazhimin dhe kontributin e botës, para së gjithash atyre arabe, nuk mund të ketë paqe atje. Mirëpo, duhet ditur se edhe vetëm me shtetet muslimane nuk mund të arrihet paqe”, shprehet Sadriu për AA.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne